Kosova
Don Lush Gjergji e quan Ibrahim Rugovën profet: Strategjia Tereziane
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës ka folur për Presidentin historik, Ibrahim Rugova si dhe për dy figura shumë të rëndësishme, Papa Gjon Pali II dhe Shën Nënë Terezën.
Don Lush Gjergji thotë se krishterimi nuk ishte diçka e huaj për Rugovën, sepse ai ishte studiues i historisë dhe i krishterimit tonë dymijëvjeçar. Ndër të tjera ai tregon se çfarë i tha Presidenti, Ibrahim Rugova për strategjinë tereziane.
“Gjithsesi, për të krishterimi nuk ishte diçka e huaj, nuk ishte diçka e panjohur. Ai në rend të parë si studiues i mirëfilltë, jo vetëm i Bogdanit, por edhe i tërë historisë dhe i tërë krishterimit tonë dymijëvjeçar, aty e gjeti brumin me vlera dhe virtyte njerëzore, pra edhe kombëtare dhe çmoi lartë kontributin që e ka dhënë Kisha Katolike gjatë shekujve për popullin iliro-shqiptar, apo arbëror. Dy figurat të cilat i kishte gjithmonë në gojë, në zemër dhe të cilat edhe botërisht i ka çmuar dhe nderuar ishte Papa, tashmë Shën Gjon Pali II, me të cilin kishte një komunikim të jashtëzakonshëm dhe në të gjeti protagonistin i cili ja dha grushtin e fundit, përfundimtar rrënimit të ateizmit dhe komunizmit, të diktaturës së kuqe”, është shprehur ai në emisionin “Fakte me Adnan Merovcin” në Klan Kosova.
“Në anën tjetër e kishte Nënën Terezën. Shpeshherë më thoshte ‘mos thuaj strategjia gandiane, por strategjia tereziane’, sepse nëse Nëna Terezë e përfitoi botën mbarë dhe kur gjithë ishin kundër saj, ajo me dashuri arriti të depërtojë atje ku njerëzit nuk kanë pasur fuqi, as me sy ta shohin, e jo më me duar ta prekin këtë realitet, pse ne mos ta arrimë, paqen, lirin, demokracinë dhe pavarësinë, me mjete paqësore jo dhunore, apo me mjete siç thoshte ai tereziane”, tha ai.
Don Lush Gjergji tregon se Rugova jetoi dhe veproi me dy protagonistët e mëdhenj të shekullit XX, siç ishte Papa Gjon Pali II, dhe Nëna Terezë.
Tutje, ai thotë se Ibrahim Rugova ishte një profet.
“Prandaj, Rugova ka qenë një njeri i cili e ka gërshetuar në mënyrë të mrekullueshme, lashtësinë, historinë, traditën, kulturën, por edhe aktualitetin në të cilën jetoi dhe veproi ai, me dy protagonistët e mëdhenj të shekullit XX, siç ishte Papa Gjon Pali II, dhe Nënë Tereza. Dhe, pikërisht këtu është gërshetimi i së kaluarës, i së tashmes dhe hapja e perspektivave apo horizonteve për të ardhme”.
“Presidenti ynë ishte një vegimtar, ishte një vizionar. Unë e kam quajtur edhe një profet i mirëfilltë i paqes, i lirisë, i pavarësisë dhe demokracisë, atëherë kur njerëzit çuditeshin, mahniteshin çka flet ky njeri apo a ndërron. Ai së paku 10, 15, 20 vjet e ka pa shumë qartë se nevojitet një ndërhyrje ndërkombëtare, nevojitet protektorat për një kohë dhe pastaj dalëngadalë Kosova do të jetë shtet i lirë, shtet i pavarur dhe shtet demokratik multietnik”, ka thënë ai.