Kosova
DONALD TRUMP MESAZH VJOSA OSMANIT
Presidentja e gjashtë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar letrën që ka pranuar nga presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pas përfundimit të mandatit të saj në krye të Presidencës.
Në këtë letër, Trump ka shprehur admirimin për lidershipin e Osmanit, duke e vlerësuar atë si “të guximshëm” dhe “vendimtar” në emër të popullit të Kosovës.
“Kemi arritur shumë së bashku në një periudhë të shkurtër kohore, veçanërisht përmes bashkëpunimit tonë në kuadër të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë të re premtuese do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht lirinë dhe mirëqenien për të dy popujt tanë”, thuhet në letrën e Trump drejtuar Osmanit.
Ndër të tjera, presidenti i SHBA-së ka theksuar se mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin me Osmanin edhe në vitet në vijim.
“Ndërsa së shpejti do të largoheni nga detyra, ju do të lini pas një trashëgimi të rëndësishme që do të formësojë të ardhmen e vendit tuaj, rajonit të Ballkanit dhe të gjithë Evropës. Ju keni qenë gjithmonë një mike dhe partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara dhe mezi pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë në vitet në vijim”.
Osmani në janar nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes, duke e bërë Kosova një nga anëtaret themeluese të kësaj organizate, e udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, e cila synon t’u japë fund konflikteve globale.
Kosova është zotuar se do të kontribuojë me trupa ushtarake përmes këtij bordi.