Shkrime
Doni Serbinë në NATO?! Pranojeni Kosovën në Aleancë
Nga Enver Bytyçi
Kombet janë organizma njerëzore kolektive. Ashtu si individët ushqejnë konkurrencën dhe garën për sukses me njëri-tjetrin, edhe kombet bëjnë të njëjtën gjë. Njerëzit konkurrojnë me më të ngjashmit e tyre. Ato nuk shkojnë larg dhe nuk magjepsen dhe as tundohen të konkurrojnë të pangjashmit e tyre. Nuk joshen nga ata që janë larg tyre në pikëpamje të territorit ose që janë ndryshe si racë. Asnjë komb evropian veç e veç nuk konkurron p.sh Kinën, edhe pse BE e ka shpallur atë si konkurrente e nganjëherë si rivale. Të gjitha kombet e Evropës, si të çdo kontinenti tjetër, bëjnë garë me njëri tjetrin. Gjermanët me francezët, turqit me grekët, spanjollët me italianët, e kështu me radhë.
Në Ballkan gara ka qenë e hapur prej shekujsh sidomos midis serbëve, shqiptarëve, bullgarëve dhe kroatëve. Kjo garë ka nxitur veçmas Serbinë të luftojë kundër të gjithë popujve ballkanikë, me qëllim që të garantojë supremacinë e saj në rajon. Tani Serbia ka rinisur të njëjtën garë. Pyetja është nëse do ta realizojë objektivin e saj me luftë ose përmes konkurrencës paqësore, apo asaj hibride.
Mjeshtria serbe përdor hibriden. Banjska dhe akti terrorist që ndodhi aty më 24 shtator të vitit të kaluar ishte pjesë e luftës hibride. Por nëse krijohen rrethanat, Serbia bën edhe luftëra të padrejta për te mposhtur të tjerët, fqinjët e saj. Nëse ndodh ndonjë konflikt në rajon, Serbia do të veprojë jo për shkak se këtë konflikt e dëshiron aq shumë Rusia, por se Beogradi llogarit fitoren e tij. Ndërkohë kulaçi që vazhdimisht i ofron Perëndimi, vetëm sa shton orekset serbe në rajon.
Megjithatë, duket se lufta nuk do të jetë opsion i vetëm i Serbisë. Por lufta mund të përjashtohet nga alternativat serbe, nëse Kosova bëhet me shpejtësi, njësoj si edhe Finlanda e Suedia, anëtare me të drejta të plota e Aleancës Atlantike. A mund të ndodhë kjo?
Thuhet se pengon mosnjohja nga ana e Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Po 29 vende të tjera, anëtare të NATO-s, të cilat e kanë njohur Kosovën, nuk paskan fuqi t’i detyrojnë këto katër vende për ta përfunduar këtë proces?! Absurde, sidomos në kushtet kur Aleanca Atlantike ndodhet në rrezik nga kërcënimet ruse. Katër vendet mos-njohëse mund ta njohin Kosovën shtet sovran e të pavarur, nëse ato vihen para alternativës: – Ose me agresorin rus, ose me Aleancën paqeruajtëse!
Pranimi i Kosovës në NATO do të sillte zhvillime surprizë. Në betejën për konkurrencë, pra për të zënë vendin e saj në rajon, Serbia do të ndryshonte të gjitha strategjitë e aleancave të saj. Do të detyrohej që vetë, me vullnetin e saj, të kërkonte zyrtarisht anëtarësimin në, e jo vetëm në BE. Kosova përdoret prej saj, sa kohë që shteti më i ri në Evropë nuk është pjesë e BE-së dhe sidomos e NATO-s. Nëse ajo bëhet anëtare e Aleancës, Serbia do të vrapojë të kapë trenin euro-atlantik, pasi që do të ndjehet jo vetëm e poshtëruar, por edhe e izoluar, e mundur dhe e humbur për shumë dekada të ardhshme.
E di se ka nga ata që do më thonë se “nuk është kaq e lehtë”! Nuk është e lehtë as për Serbinë të bëhet pjesë e Perëndimit, as për katër vendet anëtare të NATO-s që të hedhin hapin e njohjes së Kosovës. Por paqja nuk ka alternativë tjetër. Nëse në Ballkan duhet bërë një operacion paqebërës, atëherë nuk shoh tjetër mënyrë të vepruari.
Operacionin e bëjnë mjekët e guximshëm. Nuk e bëjnë ata që e kanë një këmbë në Evropë e tjetrën në Rusi. Nuk e bëjnë as ata diplomatë që shkojnë sipas parimit “I duhet dhënë diçka Serbisë nga Kosova, që të arrihet pajtimi”! Nëse i jep Serbisë gishtin, ajo do të kërkojë dorën e më pas edhe krahun! Këta diplomatë nuk e kuptojnë këtë formulë qëndrimesh e veprimesh në Serbi, sepse janë mësuar të nënshkruajnë marrëveshje mirëbesimi midis tyre. Por Serbia është tjetër. Është vendi më i pabesë i kontinentit evropian.
Ndaj duhet të bëhet fakt i kryer anëtarësimi i Kosovës në NATO e me këtë rast pavarësia e saj. Kjo e detyron Serbinë të shkundet për ta larguar mjegullën në të cilën jeton me shekuj e dhjetëvjeçarë! Rruga që është ndjekur deri tani rezultoi e pasuksesshme. Kjo duket nga mungesa e dialogut dhe provokimet e herë pashtershme të Beogradit kundër territorit dhe sovranitetit të Kosovës!