Kosova
Dy duar për një kokë/ SHBA nuk do të jetë më arkitektja e Ballkanit

Në përvjetorin e 30-të të Marrëveshjes së Dejtonit, Christopher Landau, Zëvendës Sekretari i Shtetit në administratën e Donald Trump, zgjodhi fjalë të qarta, por të maturuara, duke e zhveshur politikën amerikane nga tonet e epërsisë morale dhe nga iluzioni i ndërhyrjeve shpëtuese që e kanë karakterizuar veprimin diplomatik të SHBA-së në Ballkan për më shumë se dy dekada.
Në një fjalim që shënon kthesë, jo vetëm për nga stili por edhe për nga përmbajtja, Landau tha se SHBA eshte per një diplomaci të përulur, që dëgjon më shumë se sa flet dhe vë në dispozicion kapitalin politik vetëm për ata që vetë e dinë çfarë duan të bëjnë me vendin e tyre.
Landau e cilësoi Marrëveshjen e Dejtonit si një “kompromis të ndershëm” që ndali gjakderdhjen, por pranoi se ajo nuk ishte dhe as nuk mund të ishte një zgjidhje ideale. Ai përmendi me ndershmëri se marrëveshjet e mëdha zakonisht janë të papërsosura, por janë më të mira se asgjë.
“Kompromisi është shpesh i shëmtuar”, tha ai – ”por më mirë të jetosh me një zgjidhje të papërsosur se sa të vdesësh për një ëndërr të pamundur”.
Në këtë reflektim qëndron edhe thelbi i një qasjeje të re amerikane që ndalet para kufirit të paternalizmit. Mesazhi është i qartë: nuk do të ketë më receta të shkruara në Washington dhe të zbatuara në Sarajeva, Prishtinë apo Shkup.
Në vend të strategjive “transformuese”, Landau ofroi një realpolitik të përulur: “Nuk do të ofrojmë mjete të pakufizuara për qëllime të paqarta, të pasigurta apo jorealiste.”
Paqja nuk është më import: është zgjedhje e cdo vendi” – ishte porosia e zv. Sekretarit amerikan të shtetit, I cili e mbylli ligjerimin e tij me një ofertë miqësie, por të kushtëzuar: “Zgjatim dorën e miqësisë, por jo drejtimit. Paqja është zgjedhje që duhet ta bëjnë popujt vetë.”
Në përkthim të lirë, kjo do të thotë: Amerika do të jetë aty për të ndihmuar, por jo për të ndërhyrë. Do të jetë e pranishme, por jo e përfshirë. Do të dëgjojë, por nuk do të udhëheqë.
Fjalimi i Landau mund të lexohet si pika e fundit në një proces që ka nisur prej kohësh: tërheqja graduale e SHBA-së nga roli i dirigjentit në Ballkan. Dhe kjo tërheqje nuk është boshllëk. Ajo do të plotësohet ose nga strukturat evropiane, ose nga rivalë strategjikë si Rusia dhe Kina, ose më e keqja nga vetë boshllëku, që në Ballkan është gjithmonë i rrezikshëm.

