Aktualitet
Edhe aksi Përrenjas -Qafë Thanë “nën pushtetin” e dëborës, vështirësohet qarkullimi i mjeteve
Reshjet e dëborës prej orës 15:30 po bien me intensitet të lartë dhe kanë mbuluar edhe aksin e rrugës kombëtare Përrenjas -Qafë Thanë. Si rezultat i mbizotërimit të motit të keq është vështirësuar jashtëzakonisht qarkullimi. Shërbime të përforcuara të policisë rrugore janë në terren dhe po punojnë për disiplinimin e qarkullimit të automjeteve.
Në këtë aks rrugor prej ditës së Premte ka një qarkullim të dendur pasi me qindra familje nga kryeqyteti kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën dhe Festat e Nëntorit në Korçë.
Për shkak të fluksit të madh të automjeteve Policia Rrugore ka paralajmëruar që të gjithë përdoruesit e rrugë Qafë-Thanë-Pogradec-Korçë të qarkullojnë me automjete me goma dëbore dhe të jenë pajisur me zinxhirë.
Aktualisht rruga është e hapur dhe automjetet e mirëmbajtjes së saj janë në terren duke punuar pa ndërprerje. Por me shtimin e intensitetit të reshjeve të dëborës situata mbetet e vështirë dhe e rrezikshme në qarkullim. Ndërkohë në rrugë janë hedhur skorie.