Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Akull, ngrica dhe pengesa/ Si po i sheh Rama, Kurtin dhe Vuçiçin – Shkrim nga NTV

Kryeministri Rama është kthyer në komentuesin e rregullt të zhvillimeve në veri. Për situatën atje, thotë se është 100 për qind në linjë me qëndrimin e Perëndimit. Veprimet e Kryeministrit Kurti i duken shkurtpamëse dhe shprehet se e tmerrojnë. Sipas Ramës, Kryeministri I Kosoves dhe presidenti i Serbisë duan të mos e shuajnë figurën e armikut, sepse u duhet për politikë të brendshme. Ai gjithashtu ka paralajmeruar Aleksander Vucic që mund t’i prishë raportet me të, nëse Serbia nuk i liron tre policët kosovare te rrembyer. Në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për të folur vetëm për Kosovën një javë më parë, Kryeministri Rama i bëri një përshkrim të mbështetur në një tregim biblik përballjes së Kryeministrit Albin Kurti me fuqitë ndërkombëtare. Ai tha se po i bëhet magji elektoratit që të besohet se Kryeministri Kurti, si “Davidi” luftëtar, po përballet me “Goliathin”, që në këtë rast është Perëndimi. “Kjo situate mund ta intrigoj për njëfarë kohe elektoratin që ndjen boshllëkun e sapombarimit të Big Brother-it, por nuk është diçka që çon larg” – ironizoi Rama. Për 50 minuta të tjera, në atë konferencë, Kryeministri shqiptar e quajti një “absurd” situatën e krijuar mes Kosovës dhe fuqive ndërkombëtare, të cilat kanë paralajmëruar sanksione. “Kosova po kërcënohet nga një arsye e mosarsyes dhe i një gjykimi absolutisht të gabuar strategjik” – tha Rama. Për Kryeministrin e Shqipërisë, kjo që po bën Kurti është një shkurtpamësi, e cila thotë se po e tmerron.Rama u fokusua të analizojë edhe se çfarë mendon Kurti në krejt situatën, dhe çfarë mendon Presidenti serb, Aleksandër Vuçic, me të cilin ka raporte miqësore. Sipas Kryeministrit Rama, Kurtit dhe Vuçicit, u duhet një armik i jashtëm, prandaj nuk duan të zgjidhet situata, duke u formuar Asociacioni, që është kthyer në një nyje. “Ka dy njerëz që janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet dhe këta janë Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë. Për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, u duhet armiku i jashtëm” – deklaroi Rama, qe sipas tij “Asociacioni e shpërbën “figurën e armikut imagjinar”, prandaj Kurti dhe Vuçiqi nuk duan që ai të bëhet, ndersa kur flet për draftin e propozuar nga ai për Asociacionin, të cilin e quan “top” dhe “kryevepër”, Rama thotë se refuzimi ka të bëjë me “pengesë psikologjike”. Përgjatë gjithë kësaj kohe që Rama ka qenë aktiv me komentimin e ngjarjeve në veri, por Qeveria e Kosovës priste nga Shqipëria vetëm mbështetje. “Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, është thënë në një nga deklaratat e Qeverisë. Rrëmbimi i tre policëve kosovarë brenda territorit të Kosovës ndërroi pak qasjen e Ramës. Ndonëse ai mban qëndrim neutral persa i përket versioneve të dhëna nga Kosova dhe Serbia rreth vendndodhjes së policëve, Rama kërkon që ata të lirohen menjëherë. “Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!” – ka shkruar Rama në Twitter, duke i dhene fund “Ultimatumit” të rrallë ndaj Vucic

Advertisement