Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Bytyçi zbardh misterin e planit të Big Five/ Ja çfarë në të vërtetë përmban ai

Prof.dr. Enver Bytyçi ka komentuar vizitën e pesë emisarëve evropiane dhe amerikanë, si edhe planin e propozuar të Miroslav Lajçak. Ai vlerësoi se vizita ishte shumë më serioze, se e të gjitha ekipeve të mëparshme që kanë qenë në Kosovë dhe se drafti i propozuar ka në brendësi themelimin e Asociacionit, e që në rast se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk duhet të pranohet. “Pesëshja euro-amerikane erdhi në Kosovë vetëm një ditë pasi në Uashington biseduan për ngjarjet dhe konfliktin Kosovë-Serbi presidenti Biden, Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen e të tjerë. Mendoj se ky fakt e bën këtë pesëshe më serioze se të gjitha ekipet e mëparshme. Pra i jep asaj një autoritet të shtuar” – u shpreh Bytyçi, duke shtuar: “Lajçak tha se kanë sjellë me vete një draft-projekt për krijimin e Asociacionit dhe se këtë draft do ta diskutojnë edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Ne nuk e dimë se çfarë përmban ky draft. Por nëse është brenda kornizës kushtetuese të Kosovës, këtë projekt nuk do ta pranojë kreu i shtetit të Serbisë, i cili edhe pse i zënë ngushtë nga akti terrorist i 24 shtatorit, deklaroi se kurrë nuk do të pajtohet me ekzistencën e shtetit të Kosovës” Bytyçi vlerëson se Kurti mund ta përdor si avantazh deklaratën e Vuçicit, kur thotë se nuk e njeh shtetin e Kosovës. Në këto rrethana, sipas tij, çdo nënshkrim i Kurtit është i pavlefshëm, pasi presidenti serb duhet të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe ta njohë Kosovën si shtet i pavarur, dhe gjithashtu shprehu kritika edhe për Bashkimin Europian, në lidhje me mosndëshkimin e palës serbe pasi agresionit të 24 shtatorit. “Kjo deklaratë e Vuçiç mund dhe duhet të jetë avantazh për kryeministrin Kurti. Atij po i kërkohet që të bëjë asociacionin dhe zbatojë planin franko-gjerman. Por Vuçiç thotë se e njeh shtetin e Kosovës. Pra nuk e njeh kryeministrin e Kosovës. Në këto kushte çdo firmë e Albin Kurtit është e pavlefshme. Presidenti i Serbisë duhet të firmosë marrëveshjen e Brukselit e Ohrit dhe ta pranojë se këtë po e firmos së bashku me kryeministrin e Kosovës. Pra duhet ta njohë Kosovën, me qëllim që t’i japë legjitimitet marrëveshjes. Brukseli, nga ana e tij, ka shpikur një lloj marrëveshje, e cila nuk firmoset nga palët, por që miratohet në Këshillin e Europës. Qesharake. Është njëlloj sikur KE-ja të bëhet garant për një marrëveshje që nuk e nënshkruajnë as ufot. Të paaftë për t’ia shëruar dorën presidentit të Serbisë që ta firmosë marrëveshjen, i drejtohen e madje i vendosin Kosovës sanksione. Ndërsa disa shqiptarë, në vend të flasin për të drejtën dhe interesin e Kosovës, bëhen palë me interesin serb të vendosjes së sanksioneve kundër vendit të tyre” – theksoi profesor Bytyçi Në vazhdim, ai tha se ka mungesë guximi nga diplomatët ndërkombëtarë për sanksionim të Vuçiçit, teksa nga ana tjetër mbështeti qëndrimet e Kurtit dhe kritikoi Lajçakun. “Nuk guxon pesëshja euro-amerikane të adresohet me sanksione ndaj Vuçiç. I bëjnë ende presion Kurtit. Madje i thonë “Krijoje asociacionin ti, pastaj shohim e bëjmë”! Shkurt duan që pas asosacionit ti vendosin kushte të tjera Kosovës, gjithnjë në favor të Serbisë. Prandaj dhe Kurti kishte të drejtë kur formuloi qëndrimin e prerë: – “Më parë siguria territoriale dhe e rendit politik, juridik e qytetar të Kosovës e më pas normalizimi”. Mirëpo Lajçak nuk u pajtua me këtë formulë. Madje bëri edhe një presion shtesë: – Tha se nëse nuk vijon dialogu, atëherë do të ketë sërishmi akte dhune në veri të vendit. Ndërkohë që terrori i 24 shtatorit e përgënjeshtron zotin Lajçak. Ai akt ndodhi vetëm një javë pasi në Bruksel kishin dialoguar kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç. Që do të thotë se nuk është vazhdimi i dialogut garanci e normalitetit në marrëdhëniet Kosovë-Serb” – nënvizoi Bytyçi.

Advertisement