Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | E premtja e zezë/ Çudit Albin Kurti – Shkrim nga NTV

E premtja e 26 majit e gjeti veriun e Kosovës në një tjetër përleshje midis Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë pas përpjekjve të kryetarëve të rinj të komunave veriore për t’u vendosur në zyret e tyre. Situata e krijuar atje dhe kërcënimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të dërguar ushtrinë, rriti shqetësimet e aleatëve të Kosovës, në vazhdën e frikës nga një përshkallëzim i situatës që mund të shkaktojë akte të mëtejshme të dhunshme dhe paqëndrueshmëri. Ndonëse në reagimin e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken u tha se veprimet ishin “në kundërshtim me këshillat e SHBA-së dhe partnerëve evropianë”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se nuk është shumë i shqetësuar për këtë situatë, duke shprehur madje bindjen e tij se Kosova vazhdon të gëzojë mbështetjen e palëkundur të Perëndimit. Përkundër faktit se reagimet e aleatëve të Kosovës për situatën në veri zbuluan mungesën e koordinimit, duke komentuar këtë, Kurti në një prononcim të fundit shprehu besimin se qeveria e Kosovës gëzon mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë. “E kemi mbështetjen e ndërkombetarëve dhe mirë po shkon puna”, – tha kryeministri Albin Kurti Rrjedha e ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës u përcoll me kritika të ashpra dhe paralajmërime të forta nga aleatët e Kosovës. I pari në reagim nga ndërkombëtarët ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në një gjuhë të padëgjuar më parë ndaj veprimeve të shtetit kosovar, i quajti “masa të dhunshme”. Reagimi i fortë erdhi shumë shpejtë edhe nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken i cili dënoi ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës duke i bërë madje thirrje direkte kryeministrit Kurti t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”. Përmes një deklarate të sekretarit Antony Blinken, të publikuar edhe në faqen e Departamentit të Shtetit, ShBA dënoi veprimet e Kosovës, duke përmendur se ishin “në kundërshtim me këshillat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë”. Madje, shteti që konsiderohet si aleati më i madh i Kosovës, theksoi qartë se këto zhvillime do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve, e madje përmendet edhe fjala “pasojë”. Pas sekretarit Bliken, reagime të menjëhershme pati edhe nga Bashkimi Evropian duke thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të njënashëm, apo provokues.

Advertisement