Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Është e drejtë të ndëshkohet Vuçiç – Shkrim nga Nenad Kulaçin

Letra e përfaqësuesve të opozitës serbe drejtuar Brukselit, për Aleksandër Vuçiçin, e shtyu presidentin e Serbisë, të shkonte në pikën zero. Presidentin tonë e nxjerrin nga shinat gazetarët me pyetje normale, e lëre më një letër e hidhur e kolegëve politikanë ku ndër të tjera i bëhet thirrje Unionit Europian që të mos vendosen sanksione ndaj qytetarëve të Serbisë, por ndaj atij që është përgjegjësi për situatën e krijuar para dhe pas 24 shtatorit. Vuçiç është mësuar me rolin e liderit të vetëm të popullit serb dhe tani nuk ka shumë vend që ai ti shmanget përgjegjësisë. Sigurisht Vuçiç e dinte se çfarë po ndodhte në Banjskë, duke patur parasysh se Serbia ka një sharlatan të madh në krye të shërbimit të sigurisë. Sigurisht, Milan Radoiçiç është aleati, bashkëpunëtori dhe miku i tij. Edhe Vuçiç e di shumë mirë se nga vijnë paratë për jetën, kënaqësinë dhe luftën e Milan në veri të Kosovës. Radoiçiç nuk është produkt i qytetarëve të Serbisë, por i Aleksandër Vuçiçit. Ai mund të mos e ketë krijuar, por as kjo nuk do të ishte befasi, por e instaloi dhe e përditësoi në dikë që sundon jetën dhe të tjerët në pjesën veriore të Kosovës në emër të tij dhe me shpenzimet e tij. Pse qytetarët e Serbisë të bien nën barrën e sanksioneve për diçka për të cilën është përgjegjës Vuçiç? Kjo është më shumë se një pyetje logjike. Unë sinqerisht prisja nga Vuçiç të thoshte – Unë jam përgjegjës, më dënoni mua, jo njerëzit. Po teksa Vuçiç nuk është i aftë ta bëj këtë, e kërkoi opozita. Ndëshkoni Vuçiçin dhe e lini popullin të qetë se nuk ishte ai që e ngriti në qiell Radoiçiçin, nuk i tha populli atij bli armë dhe uniforma dhe shko përplasu në Banjskë. E gjitha kjo është vepër e një njeriu, politika e të cilit ka përjetuar një kolaps të plotë. Serbët e mbetur në Kosovë nuk duhet të bëjnë më një sy qorr dhe të pajtohen me shantazhet dhe kërcënimet e Listës Serbe. Aty nuk ka më Radoiçiç. Bashkë-komplotistët e mbetur nuk kanë as një “a” autoriteti. Ka pasur mjaft pengje të politikës së Vuçiçit. Hyni në institucionet e Kosovës, pastaj dilni, bojkotoni zgjedhjet dhe tani lutuni për ta. Kjo nuk është një politikë normale, por skizofrene dhe asnjë komb nuk është i detyruar të bëjë sakrifica për këtë. Vuçiç nuk mund ta kuptojë se ai përfaqëson vetëm shtetin, por nuk është shtet. Kur dikush thotë, ta perifrazoj – vendosni sanksione ndaj tij, jo shtetit, ai nuk kërkon të dënohet shteti, por ai që është më përgjegjës në shtet. Ka plot thënie të mëdha nga Vuçiçizmi i famshëm, përshembull: Dorëzimi nuk është opsion. Dhe çfarë ndodhi? Në segmentin më të rëndësishëm të rrëfimit për Kosovën, për të diskutuar në Këshillin e Sigurimit, Vuçiç dërgoi Ana Brnabiçin e varfër dhe të torturuar, e cila nuk di se çfarë të thotë, nëse nuk ia dërgon me sms Vuçiç në celular. Çfarë ishte më e rëndësishme për Vuçiç të bënte këto ditë sesa të shkonte në Nju Jork? Kishte diçka shumë më të rëndësishme se Kosova dhe Serbia. Ajo është qeveria. Përshtypja është se zgjedhjet e ardhshme në asnjë mënyrë nuk do ta zgjasin historinë e Kosovës. Opozita po forcohet dhe Vuçiç po përballet me situatën e pranverës së vitit 2012, kur për të marrë pushtetin iu desh t’i ofronte Ivica Daçiçit postin e kryeministrit. Këtë duket se do të duhet ta bëjë pas 17 dhjetorit, për të qëndruar në pushtet. Ballafaqimi me situatën aktuale për të është më i rëndësishëm se Kosova dhe për këtë arsye ai nuk ishte në vijën e parë të frontit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Advertisement