Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Kurti i ve zjarrin Maqedonisë së Veriut/ Ja përplasjet – Shkrim nga NTV

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten, më 11 gusht, udhëtoi për në Maqedoninë e Veriut, për një vizitë në Çair të Shkupit dhe në Tetovë. Kurti u prit aty nga tre liderë të partive opozitare. Gjatë kësaj kohe ai nuk u takua me asnjë anëtar të qeverisë. Reagimet dhe kritikat mes partive politike maqedonase dhe figurave më të larta të shtetit pas vizitës së Kurtit kanë qenë të mëdha. Tubimet me flamurin “Autoctonus”, në kundërshtim me protokollet dhe ligjet, në të cilat mori pjesë edhe kreu i qeverisë së Kosovës, shkaktoi reagimin e krerëve të shtetit maqedonas, duke rrezikuar ftohjen e marrëdhënieve mes dy qeverive. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i është përgjigjur me një reagim të ashpër ngjarjeve në Tetovë dhe Çair lidhur me shfaqjen e flamurit “Autoctonus”, ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai gjithashtu shprehu shqetësim për ikonografinë e përdorur gjatë manifestimeve në prani të përfaqësuesve të lartë të vendeve të huaja. “Theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste shtetërore paraqet ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik. Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të kryejnë procedurat e parapara.”- ka shkruar Pendarovski. Qeveria maqedonase gjithashtu dënoi faktin që në territorin e tyre u zhvillua një manifestim pa kënduar himni kombëtar dhe pa ekspozuar flamurin kombëtar të Maqedonisë së Veriut. Kjo u vlerësua si një shkelje e rëndë e rregullave të respektimit të simboleve kombëtare. “Theksojmë se, të gjithë shtetet e rajonit, të cilët duan që i njëjti të jetë prosperues, me ekonomi të zhvilluar dhe i integruar në Bashkimin Evropian dhe të cilët duan të ndërtojnë raporte miqësore me fqinjët e tyre, duhet që me të gjitha veprimet e tyre t’i thellojnë miqësitë edhe mes shteteve edhe mes qytetarëve dhe të insistojnë në respektimin, para së gjithash, të simboleve shtetëror si dhe të specifikave multikulturore të çdo shteti të rajonit. Republika e Maqedonisë së Veriut është si shoqëri multikulturore dhe multietnike funksionale ndërton raporte të mira fqinjësore me gjithë fqinjët e saj, të bazuara në respektimin dhe bashkëpunim, i cili duhet të kontribuojë drejt zhvillimit të mëtejmë edhe të vendit edhe të rajonit”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Kovaçevskit. Problematik ka rezultuar edhe emërtimi i një rruge sipas veprimarit Adem Demaçi, e cila më herët mbante emrin “Brigada e 2-të Sulmuese Maqedonase” në komunën e Çairit. Në inaugurimin e saj mori pjesë edhe kryeministri Kurti. Siç shkruan Zëri i Amerikës, emërtimi i ri i kësaj rruge shkaktoi pakënaqësi midis maqedonasve nën argumentet e “ndryshimit të emërtimeve pa një konsensus të gjerë ndëretnik”. LSDM ka pretenduar se VMRO-në autorizoi ndryshimin e emrit të rrugëve përmes aleatëve të saj jozyrtar. “Mickovski dhe DPMNE janë organizatorët e ngjarjeve në Shkup dhe në Tetovë. Bilall Kasami u bë kryetar komune në Tetovë me mbështetjen e (VMRO) DPMNE-së, ndërsa bashkëpunimi i tyre vazhdon në Këshillin Komunal, në Parlament dhe në fusha të tjera”, thuhet në një deklaratë të LSDM-së. Në anën tjetër, Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, ka kritikuar Kryeministrin Dimitar Kovaçevski për vendimin e tij për të miratuar ndryshimet e emrave të rrugëve. Ai e akuzoi atë për “tradhëti ndaj interesave dhe popullit maqedonas”. “Aktrimi juaj i partiotizmit dhe i shërbëtorëve tuaj në opozitë nuk ju ka hije sepse nuk ka tradhti pas së cilës nuk qëndron nënshkrimi juaj”, ka shkruar Mickovski mes tjerash në Facebook

Advertisement