Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Kurti – Rama: Mospajtime politike apo inate personale – Shkrim nga NTV

Përplasjet verbale mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, kanë të bëjnë me çështje politike, por nuk përjashtohen as ato personale. Mospajtimet e dy liderve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Një ditë më herët, Kurti tha se me Ramën do të takohej vetëm në mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve. Një mbledhje e tillë, e planifikuar të mbahej më 14 qershor, nuk u mbajt, pasi Rama kërkoi që t’i ndërrohej formati, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u përkeqësua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë, teksa dhe Kurti nuk i përfilli kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për tërheqjen e këtyre kryetarëve dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Mbledhja “nuk mund të mbahet në formatin e paraparë” dhe “nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që, në fakt, ndodh në realitetin e Kosovës sot” – tha Rama muajin e kaluar. Në një intervistë më 6 korrik, Rama tha se ka insistuar të takohej me Kurtin përpara mbledhjes së planifikuar të qeverive, “për t’ia përcjellë disa shqetësime”, porse kjo nuk ka ndodhur, kurse sipas Kurtit, mbledhja e dy qeverive u anulua pa arsye Sipas analistëve, përplasjet Kurti-Rama ndodhin për arsye objektive dhe subjektive. Rama, duke i përdorur faktorët objektivë, në emër të të cilëve ai flet, po synon si shtesë një protagonizëm që, objektivisht, përveçse e delegjitimon Kurtin si pushtet, i fryn edhe idesë së Kosovës si një shtet i dështuar…Sipas tyre, kjo lidhet me raportin rajonal të forcave, si dhe me rolin dhe pozitën e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe si shtet i integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, thotë ata, Rama po përpiqet të luajë rolin e një “hegjemoni” rajonal. Analistet shprehen se Rama, po përpiqet të ndërmjetësojë mes palës shqiptare dhe asaj serbe, por edhe të paraqitet si “një gjysmëzëdhënësi i bashkësisë ndërkombëtare, apo së paku i strukturave të sigurisë ndërkombëtare”. Aspekti subjektiv, që ka acaruar marrëdhëniet mes dy kryeministrave, sipas tyre, është “takti me të cilin Rama i është qasur Kosovës, jo vetëm tani, por edhe më herët. Janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës – nisur nga mbështetja e tij për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për ta bindur Kosovën që t’i bashkohej nismës Ballkani i Hapur e deri te paraqitja e një draft-propozimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Analsitet shprehen se “Këto kanë lënë shije të keqe, sepse Rama është parë si një lloj ‘pyke’, e cila është pjesë e një pabesie më të madhe. Kështu është perceptimi i Qeverisë aktuale, i Qeverisë së Kurtit”

Advertisement