Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Kurti – Rama përplasen edhe në Maqedoninë e Veriut – Shkrim nga NTV

Maqedonia e Veriut ndodhet para një procesi të rëndësishëm që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës. Si opozita maqedonase ashtu edhe ajo shqiptare besojnë se Qeveria aktuale nuk ka legjitimitete meqë nuk ka të siguruar votat e nevojshme për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese, prandaj të njëjtit kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Në këtë kontekst, njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, besojnë se partitë politike shqiptare mund të faktorizojnë votën e elektoratit shqiptar vetëm nëse arrijnë të grupohen duke garuar si dy blloqe. Për analistët politik është e qartë se bashkimi i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut në një kauzë mund të arrihet përmes një figure të fuqishme rajonale në mesin e shqiptarëve. Nga ky prizëm të njëjtit e shohin edhe vizitën joformale të paralajmëruar të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup më 11 gusht. Nga kabineti i kryeministrit të Kosovës për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se Kurti është i ftuar i kryetarit të Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu, për të promovuar një rrugë me emrin e ri, atë të Adem Demaçit, dhe në Tetovë me ftesë të kryetarit të kësaj komune, Bilall Kasami, për të diskutuar për aksin rrugor Tetovë – Prizren. “Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, pa u përgjigjur konkretisht se pse kësaj radhe nuk takohet edhe me liderin e BDI-së që është pjesë e pushtetit. Kujtojmë se javëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë intensifikuar takimet ndërmjet drejtuesve të partive shqiptare në opozitë Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, e cila së fundmi është shkëputur nga Bashkimi Demokratik për Integrim i drejtuar nga Ali Ahmeti e cila aktualisht në Parlament është e përfaqësuar me tre deputetë. Izet Mexhiti, i cili ka iniciuar formimin e partisë së re, Lëvizja Demokratike, ka thënë për REL se në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vetëvendosje e sheh vizitën e kryeministrit Kurti të premten në Maqedoninë e Veriut. Mexhiti thekson se me kryeministrin Kurti do të diskutohen edhe tema politike si Procesi i Berlinit. “Do të bisedohet edhe për tema politike, ku do të ketë një ndarje mes atyre që janë me Ballkanin e Hapur dhe atyre, përkatësisht neve, si edhe Kurtin që jemi për Procesin e Berlinit. Normalisht se do të bisedojmë dhe për tema që thellojnë bashkëpunimin ndërmjet frontit opozitar shqiptar në Maqedoni (të Veriut) me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë”, shton Mexhiti. Nisma Ballkani i Hapur është kritikuar disa herë edhe nga Bilall Kasami, kryetari i Komunës së Tetovës nga radhët e Lëvizjes Besa. Për njohësit e zhvillimeve politike, ardhja e Kurtit në Shkup shihet si shtytje për pozitën shqiptare nga ana e kryeministrit Kurti për të bashkëvepruar si një front i përbashkët, por njëkohësisht edhe demonstrim i rivalitetit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte një nga promotorët e nismës Ballkani i Hapur. “Rama dhe Kurti, rivalitetin e tyre për ndikim apo dominim politik në hapësirën gjuhësore shqiptare e shtrijnë edhe në Maqedoninë e Veriut”, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, duke rikujtuar se ishte Rama që ftoi në takim liderët e partive kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, para se Aleanca për Shqiptarët të bindej të merrte pjesë në qeveri. “Ndërkohë e dimë se nga viti 2015 e këndej kemi një bashkëpunim shumë të ngjeshur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes Besa. Ky rivalitet (mes Ramës dhe Kurtit) është fakt se është i dukshëm edhe në Maqedoninë e Veriut. Por, pozitive në tërë këtë rivalitet është se, mbase, më në fund në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një garë mes dy blloqeve ose koalicioneve të partive politike shqiptare – njëri në pushtet dhe tjetri në opozitë – dhe me siguri se do të kemi dhe oferta më përmbajtjesore”, vlerëson Neziri.

Advertisement