Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Në Banjskë, aty ku dështoi një Krime e dytë – Reportazh i Le Monde

Banjska është rikthyer sërisht në letargjinë e saj të dikurshme. Vetëm vrimat e plumbave mbi disa dritare dhe portat e thyera të manastirit ortodoks të ngritur mbi këtë fshat modest në veri të Kosovës, ruajnë ende gjurmët e përplasjeve të dhunshme që shpërthyen më 24 shtator, prej një komandoje serbësh të armatosur rëndë. Që pas ngjarjes, rreth 40.000 serbët që banojnë në veri të këtij vendi ballkanik, me shumicë shqiptare, ndodhen nën presion. Të gjithë kanë frikë nga një rikthim i luftës, njëzet vjet pas asaj të vitit 1999, që çoi në pavarësinë e Kosovës. E mbiarmatosur, e veshur me uniforma pa shenja dhe e paisur me mbi tridhjetë automjete, disa prej të cilave të shenjuar me logo të rreme të KFOR-it, komandot serbe dolën në rrugët e fshatit në natën midis datave 23 dhe 24 shtator. Operacioni filloi në orën 2:34 të mëngjesit. Pikërisht në atë orë, një patrullë policore e Kosovës, që vajti për të inspektuar dy kamionë, të instaluar për të bllokuar urën e vogël, e cila gjendet në hyrjen e fshatit, u godit nga shpërthimi i një mine të komanduar në distancë. Njëri nga tre policët, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos. Njësiti i armatosur serb u përball për orë të tëra me forcat speciale kosovare të dërguara nga Prishtina, për t’u tërhequr pastaj brenda në manastir, ku gjendej edhe një grup pelegrinësh dhe për tu larguar në fund përmes pyllit, që të çon drejt Serbisë. Bilanci i asaj dite, më e dhunshmja e dekadës së fundit në Kosovë ishte tre terroristë të vrarë, tre të tjerë të arrestuar dhe dhjetëra në arrati. Mes këtyre të fundit gjendej edhe lideri i grupit terrorist, i cili u identifikua shpejt, përmes imazheve të filmuara me dron: bëhej fjalë për Milan Radoiçiçin, një lider i fuqishëm politik lokal serb, i njohur prej kohësh për lidhjet me krimin e organizuar. Pesë ditë më vonë, në Beograd, personi në fjalë e pranoi pjesëmarrjen e tij në ngjarjet e dhunshme dhe njoftoi, përmes avokatit të tij, se e ndërmori këtë aksion “personalisht” dhe “pa informuar qeverinë serbe”. Në deklaratën e tij, ai deklaroi se e drejtoi atë komando për të “inkurajuar popullin serb ne veri, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe që të “krijonte kushtet e nevojshme për realizimin e ëndrrës së lirisë”, të pakicës prej 100.000 serbësh në Kosovë, të cilët refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës pasi e konsiderojnë atë si djepine kombit serb dhe prej pesëmbëdhjetë vjetësh ata kanë ëndërruar të kthehen në gjirin e Beogradit. Gjithsesi, version i ngjarjeve I paraqitur nga Radojicic është vënë në dyshim serioz nga shumë elementë shqetësues që kanë nxjerrë në dritë gjetjet e hetuesve kosovarë. “Nuk ishte një grup qytetarësh të pakënaqur të cilët organizuan një sulm. Ishte qartësisht një ofensivë paraushtarake nga Serbia. Një grup “burrash të të veshur me të gjelbër” që synonin aneksimin e veriut të Kosovës, sipas stilit të Krimesë, kryer nga Vladimir Putin” – ka thënë për ‘Le Monde’ presidentja Vjosa Osmani, duke hequr një paralele me operacionin rus të kryer nga ushtarë pa shenja dalluese në gadishullin ukrainas, në vitin 2014. “Objektivi i tyre kryesor ishte të pushtonin territorin në Veri, për të provuar ta ndanin këtë rajonin nga pjesa tjetër e Kosovës” – thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. “Ne gjetëm harta të cilat tregojnë se duhet të ketë pasur tre fusha operimi me më shumë se 200 persona të përfshirë” – siguron ministri, duke vlerësuar se kontrolli i rastësishëm i policisë në mes të natës, bëri që operacioni të dështonte, duke e shkaktuar përplasjen më shpejt se sa ishte planifikuar. Videot me dron të publikuara nga Prishtina tregojnë në fakt njerëz të armatosur rëndë, të gatshëm për të luftuar, pasi u trajnuan për ditë të tëra në baza ushtarake brenda në territorin serb.

Advertisement