Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Politika e dështuar dhe dokumenti i turpit – Shkrim nga Albanian Post

Pas sulmeve në Banjskë, Albin Kurti bëri saktësisht gjënë tipike për karakterin e tij: fjalë të mëdha si mbulesë për vepra të vockla. Ai u zotua se dialogu, ashtu siç e kemi njohur deri më tani, ka vdekur dhe ai nuk do ta takojë Presidentin e Serbisë pa një sërë kushtesh. Marrë parasysh disponimin kolektiv, ai manipuloi duke shkuar në drejtim me valët e opinionit publik. Rritja e rejtingut të tij personal megjithatë erdhi me një çmim enorm për politikën e Kosovës. Në me pak se dy javë, ai jo që dështoi të drejtoi politikën ndërkombëtare drejt vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, por i theu të githa betimet e tij, duke pranuar të shkoj kokëulur në Bruksel. Për më keq, ai kërkoi edhe zbatim sa me të shpejtë të planit franko-gjerman duke e shpërblyer Serbinë, pas akuzave që i kishte bërë vetë. Çfarë mund të pritet tjetër nga një njeri i cili pas vdekjes së Adem Jasharit u zotua se s’do ta kap armën asnjëherë, e ndërkohë flet për UÇK-në? Çfarë mund të pritet tjetër nga një njeri i cili u zotua se s’do të bëhet asnjëherë parti politike, e sot bën vetëm llogari elektorale? Çfarë mund të pritet nga një njeri i cili u zotua se nuk do të bëjë asnjëherë negociata me Serbinë, ndërkohë sot ka vendosur t’ua jap Asociacionin territorial? Nënshtrim dhe mashtrim, ashtu sikurse ka bërë me kauzën e moçme të bashkimit kombëtare dhe me gënjeshtrën e madhe për njohjen ‘de facto’ nga Serbia. Menjëherë pas sulmit në Banjskë, Vjosa Osmani filloi fushatën e saj personale në media të ndryshme perëndimore. Ajo është aq sipërfaqësore, sa beson se rrjedhshmëria e anglishtes së saj nënkupton edhe karizëm personale edhe fuqi argumentuese. Në fakt, nuk janë as njëra, as tjetra. Vjosa Osmani është thjesht një egoiste e cila nuk e kurseu as policin e rënë në krye të detyrës, për të ngritur imazhin e saj publik, ashtu siç e keqpërdori Albin Kurti vetëvrasjen e Astrit Deharit. Për një moment mbase edhe mund të supozojmë se këto probleme të tyre të thella personale dhe morale, nuk kanë asnjë rëndësi për interesin publik. Problemi është se anashkalimi i këtij supozimi nuk e ndryshon faktin se kjo dyshe në krye të shtetit, jo vetëm që ka dështuar në raport me Serbinë, por edhe sjellja e tyre shkurtpamëse i ka sjell pasoja veshtirë të riparueshme Kosovës. Pse? Vjosa Osmani deklaroi se Kosova do të kërkojë sanksione bilaterale ndaj Serbisë pas agresionit kundër Kosovës. Kushdo duhet ta ketë parasysh se Qeveria fillimisht sulmin ne Banjskë e cilësoi si terrorist e pastaj si agresion ndër-shtetëror. Sulmi terrorist përfshinë çdo shkaktim te viktimave pa diskriminim me synim shkaktimin e frikës në funksion të qëllimit të caktuar. Akti i agresionit shtetëror nënkupton drejtpërdrejtë ndërhyrjen e organizuar ushtarake kundër tërësisë territoriale dhe kushtetuese të vendit. Ajo çfarë ka bërë Rusia në Ukrainë nuk është sulm terrorist, por agresion ndër-shtetëror. Sipas presidentes së vendit, njëjtë ka vepruar edhe Serbia ndaj Kosovës. Po ashtu, sipas saj, masa e parë urgjente në shërbim të korrigjimit të sjelljes së Serbisë është vendosja e sanksioneve. Në këtë fushatë, për disa jave tashmë janë angazhuar Presidentja, Kryeministri e Ministra e Jashtme.

Advertisement