Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Si u katandis Kosova deri në këtë shkallë? – Shkrim nga Muhamet Hamiti

Kosova i ka punët më keq se kurdo prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Më keq me regjimin e ri, që erdhi në pushtet me propagandë për ‘regjimin e vjetër’, siç i quan përmbledhtas qeveritë e mëhershme, të pasluftës, të para- e paspavarësisë së Kosovës, qeveritë e LDK-së dhe të partive që dolën nga UÇK-ja. Ato që e kanë bërë shtetin e pavarur të Kosovës, qoftë edhe nëse s’kanë qenë më të mirat në qeverisje. Qoftë edhe nëse kanë qenë të këqija në qeverisje ndonjëherë. Për t’i ndërruar qeveritë e këqija ekziston sistemi demokratik, ekzistojnë zgjedhjet. Me vullnet qytetar, me zgjedhje, mund të ndërrohen edhe qeveritë e mira. [Në parantezë, për kujtesë, 45 vjet regjimi i ri i Enver Hoxhës i ka luftuar ‘klasat e përmbysura’, regjimin e vjetër 14-15 vjeçar të Ahmet Zogut. 30 e sa vjet mbas rënies së regjimit të ri të Hoxhës, shqiptarët i vuajnë ende pasojat e diktaturës mizore komuniste.] Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës është më i keqi në historinë bashkëkohore në kohën e Qeverisë aktuale të Albin Kurtit, të VV-së e të satelitëve të tyre. Sanksione ndërkombëtare, nga miqtë dhe aleatët më të mëdhenj, SHBA dhe BE, po vuan populli i Kosovës, jo Qeveria e këtij vendi. Kemi Qeveri që e ka shndërruar vendin në demokraturë, me parashenja të diktaturës në qoftë se vazhdon të sundojë me këtë afsh, simbas motos #KrejtdheDrejt, me të cilën erdhi në pushtet. Duhej ta kishin parë njerëzit e dijshëm se me këtë moto Albin Kurti dhe VV-ja kërkonin mandat për pushtet absolut dhe absolutist. I donin Kuvendin dhe Qeverinë; dhe i morën. Po i duan edhe dy degët e tjera të pushtetit, gjyqësorin dhe mediat. Prandaj, i sulmojnë egërsisht. Në përballje me sulmet, si ‘zgjidhje’, një pjesë e tyre mund t’i kapen pushtetit vetë. Nën kohën e regjimit të ri, në këto dy vjet e gjysmë deri tani, ka shkelje të shpeshta, serike, të Kushtetutës e të ligjeve të Kosovës. Ka afera të mëdha korruptive, që po dalin në shesh përditë. Simbas pushtetit të VV-së, aferat e regjimit të vjetër kanë qenë malinje, ndërsa këto të regjimit të ri janë beninje. Po të mos ishte kështu, nuk do t’i kishin mbrojtur protagonistët e korrupsionit, por do ta kishin shkarkuar ndokë deri sot. Edhe shkeljet e Kushtetutës që i bëjnë vetë janë kushtetuese, simbas pushtetit absolutist, sepse janë në interes të transformimit të shoqërisë e të karakterit të shtetit tonë simbas ideologjisë së tyre të ekstremit të majtë. Fundja, Albin Kurti dhe VV-ja as kanë besuar në pavarësi as e kanë dashur shtetin e pavarur të Kosovës. E donin bashkimin kombëtar, thoshin, por tash s’duan të kenë punë as me autoritetet e Shqipërisë. Për gjendjen ekonomike katastrofale, për braktisjen në masë të kosovarëve, as që brengoset ‘Qeveria e Shpresës’. Kosovarët i duan më shumë jashtë vendit, se në atdhe. Në ndërkohë, duke e konsumuar pushtetin, ky regjim i ri po e ha pangopshëm shtetin e Kosovës, Republikën tonë të dashur, për të cilën derdhën djersë e gjak breza atdhetarësh, njerëz të dijshëm e të përkushtuar, që u flijuan për këtë vend. Kosova qe katandisur keq më 1989, kur Serbia e Millosheviqit ia hoqi dhunshëm statusin e njësisë federale në ish-Jugosllavi. Atë vit, kur ra perdja e hekurt, kur ra Muri i Berlinit, elita intelektuale shqiptare e Kosovës u mobilizua për ta kundërshtuar Serbinë: nisi lëvizjen për liri, demokraci e pavarësi të Kosovës.

Advertisement