Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Ta ruajmë Kurtin nga Albini dhe opozita – Shkrim nga Enver Bytyçi

Padyshim që veprimet e kryeministrit Kurti në veri të Kosovës për të dëshmuar sovranitet në ato komuna, duhen vlerësuar. Asnjë lider tjetër kosovar para zotit Kurti, pos Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut, nuk ka qenë kaq i vendosur për mbrojtjen e territorit të vendit. Haradinaj ka meritë të padiskutueshme për vendosjen e taksës dhe rikthimin e Kosovës si e barabartë në dialog me Serbinë. Ai ka meritën se bëri një ndryshim epokal, duke ndaluar votimet për zgjedhjet dhe referendumet serbe në Kosovë, duke insistuar për të kontrolluar territorin në veri të vendit. Megjithatë ngjarjet e kohëve të fundit e dobësuan rolin e kryeministrit të Kosovës. Ky rol u dobësua më së shumti për qëndrimet amalgamë e kontradiktore të faktorit perendimor, por edhe për shkak se opozita e Kosovës ende nuk po di të orientohet dhe të dallojë se ku ndahet kryeministri me interesin e Kosovës. Në opozitën kosovare shfaqen edhe të moderuarit, të cilët përpiqen të mbrojnë interesin e vendit, duke kritikuar veprimet e kryeministrit, deri te sharlatanët, të cilët mbajnë anën e armikut të Kosovës, Serbisë, me dëshirën për ta dëmtuar pozitën e Albin Kurtit. Kur i dëgjon disa opozitarë në ekranet televizive të mbushet mendja se kundër kryeministrit të Kosovës po flet plot mëllef Aleksandër Vuçiç. Madje guxoj të them se edhe Vuçiç do të rezervohej diçka më shumë. Kjo kategori kritikësh besojnë ndoshta se duke fajësuar Albin Kurtin e dobësojnë atë si politikan. Në fakt ndodh efekti i kundërt. Madje edhe kritikat e tepruara e të njëanshme të ndonjë diplomati apo kryediplomati perëndimor krijon efekt të kundërt. Në vend që të dobësohet autoriteti elektoral i Kurtit, ky autoritet vetëm se forcohet. Por dëmtohet me këto qëndrime Kosova dhe interesi i saj madhor për formësimin përfundimtar të shtetësisë. Dobësohet pozita e Kosovës në dialogun me Serbinë. Por sot më tërheq vëmendjen fakti që në raste të caktuara edhe Albini i kundërvihet kryeministrit Kurti. Eshtë një problem i madh fakti që liderët politikë shqiptarë vuajnë kush më pak e kush më shumë nga kompleksi i “kostumit të ngushtë”! Simptomat e këtij kompleksi në rastin e krizës së fundit i kam vënë re edhe te Albin Kurti. Ishte krejt e panevojshme të etiketohej reagimi p.sh i zotit Blinken si “naivitet”! Antony Blinken kritikoi e fajësoi Albin Kurtin për ngjarjet në tri komunat e veriut, sepse ka një strategji të tërheqjes së Vuçiç në Perendim. Pra nuk e lëshoi kritikën ndaj Kosovës për naivitet. Nga ana tjetër nervozizmi i Albinit në reagimet e tij ndaj deklaratave të disa diplomatëve dhe kryediplomatit amerikan duket se janë emocionale e jo racionale. Por kryeministrit të Kosovës nuk i lejohet të jetë emocional, edhe nëse Albinit mund t’i lejohet kjo. Kompleksi i “kostumit të ngushtë” e bën Kurtin të dalë jashtë sjelljes protokollare të kryeministrit të Kosovës. Por Albini rrezikon pozitën e kryeministrit të Kosovës kur e tejkalon të drejtën e vet të gjykojë mendimin dhe vendimet e aleatëve. Rrezikon edhe interesat e Kosovës me këto qëndrime. Ai duhet të kuptojë se në momentin që është ulur në karrigen e kryeministrit nuk është më Albin Kurti i zakonshëm. Nuk është as Albin Kurti politikan në opozitë. Është dhe duhet të jetë kryeministri i Republikës së Kosovës. Parë nga ky këndvështrim sjelljet dhe deklarimet e tij e tejkalojnë protokollin e të qenit kryeministër. Megjithatë në esencë qëndrimet dhe vendimet e Albin Kurtit i shërbejnë interesave të vendit. Thjesht shqetësimi im është ruajtja e një ekuilibri midis ideve dhe mendimeve të Albinit, si dhe vendimeve të kryeministrit e interesave të Kosovës.

Advertisement