Bota
Elon Musk nën presion, shkencëtarët e akuzojnë për shkelje të etikës! Biznesmenit i kërkohet të largohet nga akademia prestigjioze britanike

Royal Society, akademia kombëtare britanike e shkencave, i ka sugjeruar Elon Musk të marrë në konsideratë dorëheqjen nga titulli i tij si anëtar i nderit (Fellow), për shkak të rolit të tij në administratën Trump dhe akuzave se ka ndihmuar në dëmtimin e shkencës në Shtetet e Bashkuara.Musk, pronar i platformës X (ish-Twitter), si dhe CEO i Tesla dhe SpaceX, u zgjodh në vitin 2018 anëtar i Royal Society për kontributin e tij në industrinë e hapësirës dhe automjeteve elektrike.Megjithatë, gjatë vitit të fundit, një sërë shkencëtarësh dhe anëtarësh të tjerë të Royal Society kanë bërë thirrje për veprim ndaj Musk, duke e akuzuar për shkelje të kodit të etikës së akademisë. Janë dërguar letra të hapura, janë dorëzuar çmime dhe janë dhënë dorëheqje në shenjë proteste për mosveprimin e akademisë ndaj sjelljes së miliarderit.Në qendër të kritikave është edhe pozicioni i Musk si drejtues i Departamentit për Efiçencë Qeveritare (Doge) në administratën Trump – një trupë që është akuzuar për censurë ndaj komunitetit akademik dhe për shkurtimin drastik të fondeve për kërkim shkencor.
Sipas The Guardian, presidenti i ardhshëm i Royal Society, Sir Paul Nurse, i ka dërguar një letër Muskut në muajin mars, duke shprehur shqetësimet për “dëmin e gjerë” që administrata Trump po i shkaktonte shkencës në SHBA dhe duke i kërkuar të ndërhynte për të ndihmuar.
Musk thuhet se ka kthyer një përgjigje të menjëhershme, duke riafirmuar përkushtimin e tij ndaj shkencës dhe duke kërkuar më shumë detaje. Nurse më pas i ka dërguar një tjetër letër më 27 mars, duke i sugjeruar që të konsultohej me shkencëtarë të sektorit publik për të kuptuar më mirë pasojat. Por Musk nuk ka kthyer përgjigje.
Letra përfundimtare e Nurse, dërguar më 20 maj, përfshinte shqetësime të ngritura nga shkencëtarë amerikanë, përfshirë dhe kritika ndaj disa shkurtimeve buxhetore të cilat i konsideronin “absurde”. Në fund të kësaj letre, Nurse sugjeron – me ton të hidhur – që:
“Nëse nuk ndiheni në gjendje të ndihmoni, ndoshta duhet të konsideroni nëse dëshironi të vazhdoni të jeni anëtar i Royal Society, e cila ka si qëllim promovimin dhe mbështetjen e shkencës. Mendoni nëse duhet të jepni dorëheqjen.”
Musk nuk iu përgjigj kësaj letre, përveçse në mënyrë të shkurtër, kur u informua se përmbajtja do të ndahej me anëtarët e akademisë.
Një zëdhënës i Royal Society konfirmoi se Musk nuk iu përgjigj sugjerimit për dorëheqje dhe aktualisht vazhdon të jetë anëtar i akademisë.
Në një email dërguar gjithë anëtarësisë, presidenti aktual Sir Adrian Smith tha se këshilli drejtues vendosi të mos ndërmerrte masa disiplinore ndaj Musk, pasi kjo nuk shihej si në interesin e Royal Society.
Ai shtoi se kishte “mospajtime të forta dhe të kundërta” në takimet e fundit, por të gjithë ranë dakord se mbrojtja globale e shkencës është prioriteti kryesor i shoqërisë.
Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur me këtë vendim. Një anëtar i akademisë e përshkroi qëndrimin si “frikacak dhe i pajustifikueshëm”, ndërsa të tjerë kritikuan drejtimin aktual për qasje më pragmatike sesa etike.
Stephen Curry, profesor emeritus në Imperial College London, i cili organizoi letrën e hapur kundër Muskut, tha: “Royal Society duhej ta kishte vënë përballë një zgjedhjeje të qartë: ose ndan vlerat tona, ose humb statusin si anëtar.”
Ai shtoi se “moszbatimi i kodit të sjelljes e bën atë dokument praktikisht të pavlefshëm”.
Përfaqësues të Elon Musk nuk kanë dhënë asnjë koment zyrtar mbi ngjarjen.

