Connect with us

Kronike

EMRI/ Mashtronte bizneset duke u hequr si zyrtar, jepet vendimi për 39-vjeçarin

Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në burg mashtruesin Indrit Aliu, i cili u arrestua ditën e djeshme pas denoncimit të një biznesmeni, identiteti i këtij të fundit ende nuk është zbuluar. Avokatja e 39-vjeçarit, i cili prezantohej si zyrtar i lartë, duke premtuar tendera ndërtimi ka mohuar akuzat e ngritura për mashtrim. Ndërsa Indrit Aliu nuk ka pranuar që të japë shpjegime para gjyqtares.

Indrit Aliu ka rreth 2 vite që ka dalë nga burgu, pasi u dënua në vitin 2011 me 10 vite heqje lirie për të njëjtën vepër penale, ndërsa këtë herë kishte vendosur ta bënte më “zyrtar” profesionin e tij, duke hapur edhe një zyrë ku joshte viktimat. Indrit Aliu u arrestua në nëntor të vitit 2009 në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim pas dhjetëra kallëzimeve në emër të tij në Prokurorinë e Tiranës nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve në total Aliu u kishte “zhvatur” rreth 4 milion euro.

Pas 12 seancash gjyqësore, togat e zeza të Gjykatës së Tiranës i dhanë fund gjykimit të Aliut, duke e deklaruar atë fajtor për veprën penale të “mashtrimit me pasojë të rënda”. Në vendimin e shpallur dje nga një treshe e kryesuar nga gjyqtari Albert Meça, gjykata pranoi kërkesën e bërë nga Prokuroria për dënimin e Aliut. Gjykata e dënoi Aliun me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të tij me kohë të shkurtuar, në masën përfundimtare ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit.

Advertisement