Bota
Energjia, Europa kufizon varësinë nga gazi rus
Nismat në nivel evropian për të kufizuar varësinë nga gazi rus po shumohen. Shtatë vende të Detit Baltik – Finlanda, Suedia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia dhe Danimarka – kanë shpallur angazhimin e tyre për të rritur shtatë herë prodhimin e energjisë nga era deri në vitin 2030, për të çliruar Europën veriore nga varësia prej gazit rus.
“Përpjekja e Putinit për të na shantazhuar me lëndë djegëse fosile po dështon – tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian – ne po përshpejtojmë tranzicionin e gjelbër, po çlirohemi nga varësia nga karburantet fosile ruse dhe po ecim me nxitim drejt burimeve të pastra dhe të rinovueshme”
Deri në vitin 2050, kapaciteti i energjisë së erës në Detin Baltik mund të rritet në 93 gigavat, thanë vendet veriore të Kontinentit në një deklaratë.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi se Bashkimi Evropian dëshiron të reformojë tregun e energjisë elektrike, në mënyrë që çmimet e gazit të mos diktojnë më çmimet e energjisë elektrike në Bashkimin Europian.
Më shumë ndërlidhje energjetike nevojiten edhe brenda Evropës, theksoi kryeministri spanjoll Sanchez në takimin e tij me kancelarin gjerman Scholz.
Ky i fundit theksoi mbështetjen e tij të fortë për një gazsjellës që lidh Gadishullin Iberik me Evropën Qendrore, ndërkohë që edhe Berlini nxiton të reduktojë varësinë nga Rusia.
Rusia ka shkurtuar apo reduktuar gazin natyror në një duzinë vendesh të Bashkimit Evropian. Që nga pranvera, liderët e Unionit i kanë bërë thirrje publikut që të përdorë më pak gaz gjatë verës, në mënyrë që të krijojë depozita për dimër. Shtetet anëtare kanë propozuar një reduktim vullnetar të përdorimit prej 15% dhe po kërkojnë të zbatojnë shkurtime të detyrueshme në të gjithë bllokun në rast të mungesave të rënda të gazit.