Connect with us

Shkrime

Vuçiç me orë të kurdisur në Betejën e Fushë Kosovës

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk mund të jetë një lider si perëndimorët dhe i moderuar si ata, nëse ai mbjell në popullin e tij ëndrra nacionaliste të shtetit të madh serb

Ai jeton një kohë midis, një kohë pa kohë!. Nuk është i qetë aspak në luhatjen e tij në kohë e në hapësirë. Por di ta luajë gjithashtu rolin e indiferentit! Subkoshienca e çon gjithnjë drejt Moskës. Aty i ka lidhjet politike e shpirtërore. Aty ka gjetur gjithnjë ngrohtësinë e shpirtit. Ndërkaq hiqet se do të ndryshojë qasje drejt euroatlantizmit. Megjithatë këtë stacion e sheh thjesht si interes të kombit të tij. Të paktën për momentin dëshiron një kthesë të politikave dhe aleancave nga Lindja në Perëndim. Ndërkohë nuk mundet, sepse i mungojnë të gjithë instrumentet politikë, social, psikologjikë e kulturorë për ta bërë këtë.

Jo vetëm kaq. Vuçiç është i vetëdijshëm se është shumë vonë për këtë. Aq vonë sa, edhe sikur zoti t’i jepte një forcë magjike e të mbinatyrshme, nuk do ta realizonte dot kthesën e premtuar me mashtrim! Nuk mundet kurrë njëherësh të jesh autokrat e njëkohësisht aleat i Perëndimit! Aq më tepër për një vend dhe shtet evropian.

Si i tillë Aleksandër Vuçiç do të mbetet gjithmonë aleat e Lindjes, kryesisht i Rusisë së Vladimir Putin. Ai është pa diskutim një autokrat tipik i pa ndreqshëm. Të punosh nën urdhrat e një Hitleri të fundit të shekullit XX, si Sllobodan Milosheviç, të jesh Gebelsi i tij e të pretendosh të jesh demokrat, është utopi. Pra nuk mund të jetë demokrat një vrasës si ai! Edhe nëse do ta donte diçka të tillë, nuk mund ta bëjë!

Nuk mund të jetë një lider si perëndimorët dhe i moderuar si ata, nëse Vucic mbjell në popullin e tij ëndrra nacionaliste të shtetit të madh serb. Ai që ushqen mite dhe mban fjalime nga pozitat e një racë të zgjedhur nga Zoti, mbetet gjithmonë në zonën e komfortit autokratik e diktatorial! Aleksandër Vuçiç është lider tipik autokrat lindor edhe se ende ruan nostalgji për ish-kasapin e Ballkanit, Sllobodan Milosheviç! Ende e përjeton me lavdi epokën e tij, kur vetë ishte njëkohësisht ministër i informacionit dhe propagandës së diktatorit. Si i tillë ai ishte, është dhe do të mbetet gjithë jetën një politikan mesjetar, me orën e kurdisur që në kohën e Betejës së Fushë Kosovës së 28 qershorit 1389.

Nëse presidenti i Serbisë, Vuçiç, do të donte të dëshmonte lidhjet e tij në adresë të perëndimit, ai do të duhej të kryente dy akte të mëdha politike e civilizuese. Së pari, të pranonte genocidin serb të udhëhequr ose së paku të justifikuar prej tij në Bosnjë-Hercegovinë. Të shkonte në Srebrenicë së paku katër herë në vit e të ulej në gjunjë para viktimave të tmerrshme të kallashnikollëve të tij! Dhe së dyti, të kërkonte njëmijë herë ndjesë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë. Të lutej për faljen e këtij gjenocidi. Madje që në fillim të procesit të pajtimit me shqiptarët dhe jo në fund të këtij procesi, siç ia ka premtuar këtë kryeministrit të Shqipërisë. Pra jo mbasi të përfitojë territore ose kontroll shtetëror serb në Kosovë, por që ditën e parë të dialogut midis palëve. Ai nuk ka bërë asnjërën prej këtyre.

Por megjithatë Vuçiç ka ditur të luajë, të mashtrojë dhe të gënjejë jo pak politikanë e diplomatë në Perëndim, në Evropë dhe në SHBA. U ka thënë se “dëshiron paqe, siguri, stabilitet”.  Se “dëshiron marrëdhënie të mira me fqinjët” dhe për këtë u ka sjellë rastin e marrëdhënieve të tij me Shqipërinë. Nuk ka perëndimor që të mos e besojë makinerinë mashtruese të presidentit të Serbisë, kur ai u thotë atyre se “Me Shqipërinë dhe marrëdhëniet me të ka bërë histori”

E vërteta është se gjithçka që bëri në akord me kryeministrin e Shqipërisë ai ka ditur ta shesë si aset të “lojalitetit, përkushtimit dhe ndryshimit” të tij në favor të paqes e sigurisë rajonale.

E ndërkohë nuk pajtohet me realitetin e një Kosovë të pavarur, sovrane dhe të lirë. E quan padrejtësi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në pranverën e vitit 1999. Ndërkaq optimistët që e presin zotin Vuçiç në aleancën perëndimore besojnë se kritikat ndaj NATO-s janë thjesht “pamundësi e tij për të folur ndryshe”, sepse sipas tyre “populli serb nuk e kupton gjuhën e një aleance të Serbisë me NATO-n”

Në fakt pikërisht retorika anti-NATO dhe anti-perendimore është pengesa kryesore e ndryshimit të pozicionit të Serbisë dhe presidentit të saj në favor të euroatlantizmit. Kjo retorikë po e shndërron në një mit të ri viktimizimi edhe sot Serbinë. Politika serbe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999 po shkon drejt traditës së mitizimit të Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389.

 

Advertisement