Aktualitet

Fatos Lubonja: Të bashkohemi të gjithë me Berishën dhe Metën për të rrëzuar Ramën

Fatos Lubonja ka folur për garën e 14 majit duke u ndalur tek paraqitja e opozitës në këto zgjedhje. Në emisionin Open, Lubonja tha se kryeministri Rama ka bërë një “grusht gradual shteti nga lart” në vend.

Sipas tij forcat opozitare në vend duhet të rreshtohen së bashku dhe të bëjnë rezistencë kundrejt qeverisjes dhe më pas të kenë diskutime mes tyre. Ai shtoi se nuk fiton dot askush përballë një regjimi të tillë që ka kapur çdo institucion.

“Unë kam folur për bashkim dhe kam dhënë një shembull shumë të qartë. Atë që ka ndodhur në Izrael këto ditë. Është ende në proces akoma. Ndodhi kjo që Netanyahu donte të bënte një reformë në drejtësi ku donte të shtonte nja dy gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, etj dhe nuk po u hyj teknikaliteteve dhe u kundërshtua nga kundërshtarët e tij, nga opozita, por jo vetëm. Duke iu referuar Hararit që kishte bërë edhe një shkrim për këtë, duke e quajtur “grusht shteti nga lart”.

Sipas tij ka dy lloje grushtesh shteti. Ka grusht shteti nga poshtë, kur gjeneralë të caktuar që duan të marrin pushtetin bëjnë sulm mbi pallatin dhe kapin e marrin pushtetin nga poshtë – lart. Ka dhe një grusht shteti nga lart -poshtë kur qeveritarë në pushtet me qeveri legjitime dhe sipas ligjit, fillojnë të përdorin ligjin duke përjetësuar pushtetin e tyre.

Teza ime është që Edi Rama ka bërë pikërisht këtë. Një “grusht gradual shteti nga lart”. Nuk po i hyj me detaje sepse kam folur dhe herë të tjera dhe e kam quajtur herë “putinizëm”, herë e kam quajtur “tirani e mazhorancës”, apo “narkoshtet”. Kam përdorur terma të ndryshëm.

Tani çfarë ndodhi në Izrael. U bashkuan të gjithë dhe dolën në shesh. Jo vetëm opozita, por edhe Presidenti i Republikës, por edhe shoqëria civile, por edhe sindikatat që shkuan deri në grevë të përgjithshme për ta ndaluar. Pra ishte një bashkim për të mbrojtur themelet e shtetit që është demokracia dhe liria, terreni mbi të cilin jetojmë të gjithë të qetë. Kur ky terren është i kërcënuar atëherë unë them që duhet ky bashkim.

Nëse ka Shqipëria një shembull të tillë, unë e kam një, ku kam qenë dhe vetë kur ndodhi ‘96-‘97 dhe kur Berisha po bëhej një rrezik sipas mendimit të një shumice, ndodhi edhe ajo kriza e piramidave, u bashkuan nga e djathta ekstreme me Petrit Kalakulën deri tek Partia Socialiste. U bashkuan për të normalizuar këtë dhe për të shkuar në zgjedhje dhe jo për të marrë aty pushtetin njëra ose tjetra.

Unë tani flas për bashkim. Tani e kanë gjetur kollaj këta polemizuesit dhe thonë: “Është rreshtuar me Berishën”. Unë nuk them “të rreshtohemi me Berishën” siç e ka përdorur Kajsiu: “Rreshtohet Lubonja me Berishën”. Absolutisht nuk e kam thënë ndonjëherë. Unë kam thënë bashkim, hajde të gjejmë modalitetet.

Sigurisht edhe me Berishën, edhe me Metën, por modalitetet duhen diskutuar. Çfarë diskutoj unë për ata që i quaj “të baraslarguarit”. Këta nisen në apriori që “me Berishën dhe me Metën nuk duhet të bashkohesh se këta nuk janë zgjidhje”. Së dyti, nuk përcaktojnë të gjithë lirinë dhe demokracinë si rrezik kryesor. Thonë është sistemi, madje sistemi në kuptimin e përgjithshëm. Por edhe ai që kishim ne me 3 parti, ai sistemi që unë i kam quajtur “banda” ishte më demokratik se ky që kemi sot dhe që po eliminon gjithçka.

Ai ishte një sistem ku mund të dilnin parti të reja. Në këtë situatë tani, ku ka një sistem për t’i eliminuar kundërshtarët, nuk ka asnjë shans që të lindin parti të reja. Dhe dalin teza se “e keqja është njësoj”, se “është Rama, por është dhe Berisha”. Kjo është teza e të baraslarguarve, që ata janë njësoj. Ka dhe teza të tjera që nuk vënë lirinë dhe demokracinë si rrezikun kryesor, por korrupsionin etj.

Atëherë çfarë bën kjo. Kjo e shpërqendron vëmendjen e publikut nga ai që është rreziku kryesor. Madje Endri Shabani tha herën e kaluar se “ne do rregullojmë transportin urban”. Një pjesë nga këta nuk e quan as regjim, nga këta të baraslarguarit. Duket sikur jemi vend normal, në një vend që vetëm se është Berisha dhe Meta të pabesueshëm për shkak të së kaluarës së tyre (dhe këtu ka për të folur sa të duash), nuk fiton opozita, se përndryshe mund të fitojë.

Teza ime është që nuk fiton dot kushdo qoftë kur janë kapur të gjitha institucionet. Atëherë duhen bashkuar të gjitha forcat. Unë u kam bërë thirrje të gjithëve nëpërmjet shembullit izraelit. Edhe socialistëve, sepse në Izrael ishte edhe ministri i mbrojtjes dhe 2 ministra të tjerë iu larguan nga qeveria Netanjahut për këtë gjë. U bëj thirrje edhe socialistëve që të bashkohen në këtë front.

Në vend të kësaj, bëhet sikur jemi në një sistem të korruptuar si ai i viteve 2015-2017 në qeverisjen e parë të Ramës kur ai ishte me Metën dhe kishte ende shpresë se mund të kishte rotacion. Atëherë mbështesnim parti të reja. Vetë unë kam mbështetur Bojaxhiun, kam mbështetur dhe Ben Blushin me këtë tezë që duhet të dalë diçka e re.

Përvoja më mëson që kjo tezë është e dështuar. Në ’97-ën u bashkuan të gjithë për një çështje të caktuar dhe pastaj u shkua në zgjedhje. Termat e bashkimit nuk mund t’i diskutoj tani, por unë them që duhet bashkim. Tezat nuk i kam formuluar, por teza kryesore është që “jo të rreshtohesh me Berishën”, por me identitetet e tyre këto forca të reja që janë kundër regjimit duhet të shkojnë në këtë front dhe nesër të bëjnë debat me Berishën, t’i vënë kushte Berishës.

Këta as nuk mendojnë të shkojnë tek Berisha sepse të baraslarguarit thonë që edhe Berisha është njësoj dhe duhet përjashtuar nga politika. Ky është problemi” – tha Lubonja.

TRENDING

Exit mobile version