Connect with us

Aktualitet

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së

Mirëdita!
Kjo është një ditë e shënuar në marrëdhëniet e miqësisë së posaçme dhe të partneritetit të paçmueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që hap një kapitull të ri në rrugën e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së SHBA-së për Shqipërinë.
Ne jemi thellësisht mirënjohës SHBA-së për mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë Shqipërisë që në ditën e parë të daljes nga errësira e komunizimt në rrugën e reformave dhe të përpjekjeve për të ndërtuar një shtet funksional demokratik dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës.
Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për kontributin e tyre të paçmueshëm në rajonin tone, ku falë SHBA-së, në radhë të pare, sot jemi në  një realitet tërësisht të ndryshëm nga ai i jo shumë viteve më parë.
Sot flasim për bashkëpunim dhe për paqe të qëndrueshme, të gjithë rreth një tryeze, ndërkohë që deri dje dëgjoheshin vetëm bombat, krismat dhe klithmat e vuajtjeve të shumë popullsive, të ngërthyera në një konflikt të pafund.
Dhe unë dua ta falenderoj megjithë zemër Nënsekretarin për ardhjen e tij këtu, personalisht, për të kurorëzuar një proces të nisur dhe përgatitur falë përfshirjes së drejtëpërdrejtë dhe vendosmërisë e vullnetit të ambasadores, duke nëshkruar një marrëveshje, e cila fillon konkretizimin e atyre që janë pikat kyçe të Dokumentit të  Partneritetit Strategjik mes vendeve tona, nënshkruar pak vite më parë.
Po ashtu, pëmes Sekretarit, unë dëshiroj që edhe publikisht t’i përcjell Presidentit Trump urimin më të sinqertë për një shërim sa më të shpejtë dhe po ashtu të shpreh falenderimin për të, për administratën e tij, si dhe për vëmendjen dhe besnikërinë me të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë shoqëruar Shqipërinë në këto vite, si dhe padyshim për një pikë kyçe në historine  këtij rajoni, që ishte  nënshkrimi i Marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, në Shtëpinë e Bardhë, jo thjeshtë si një konfirmim përfundimtar i një procesi të nisur më parë për bashkëpunim dhe normalizim të marrëdhënieve, në rrafshin e bashkëpunimit ekonomik, por edhe për shtysën e fortë që i dha një njohjeje të paimagjinueshme deri para këtij takimi, nga ana e Izraelit, të Kosovës, një njohje, e cila hap pa diskutim një perspektivë të re në procesin drejt njohjes përfundimtare të Kosovës.
Memorandumi që nënshkruajmë sot për Bashkëpunimin Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e nje kapitulli të ri për investimet e drejtëpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50 vjeçare, që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.
Memorandumi po ashtu do të nxisë – dhe e falenderoj Nënsekretarin për bisedën shumë interesante që kemi zhvilluar dhe për angazhimin e tij personal për të nxitur bizneset që të vazhdojnë në këtë proces, ku qeveria amerikane hedh hapin e parë, duke u futur vetë përmes këtij Memorandumi dhe duke u angazhuar vetë për të mbështetur me ekspertizësn e vet, me teknologjinë amerikane dhe patjetër për financimin, gjë për të cilën do të punojmë bashkërisht, – ndërtimin e  Skavicës, në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë të ndjekin këtë shembull.
E kur thashë investimet amerikane dhe jo vetëm, kam parasysh impaktin e madh që do të ketë ky hap dhe hapa të tjerë që do të hidhen nga kompani amerikane, mbi kompani të tjera europiane apo përtej Europës nga vende mike.
Ne kemi të përcaktuar vijën tonë. Për ne, paraja që vjen për t’u investuar në Shqipëri nuk është një para që vlen njësoj, sikur vjen nga një vend mik, sikur vjen nga vende që nuk hynë ndër miqtë tanë më të preferuar dhe nuk janë aleatë strategjikë dhe partnerë strategjikë të Shqipërisë. Në këtë rast, ne jemi posaçërisht të kujdeshëm. Ndërkohë do të bëjmë çmos në vijim, siç kemi bërë deri më tani, që paraja që vjen nga vendet mike të mos ketë pengesa dhe të përkthehet në rritje ekonomike, të përkthehet në punësim, të përkthehet në përfitim reciprok.
Aspekti tjetër i rëndësihem është ajo çka Memorandimi ofron për të patur një udhërrëfyes në sektorë strategjikë. E këtu kam parasysh që nga burimet energjitike, tek infrastruktura e turizmit dhe energjia dhe posaçërisht kam parasysh konfirmimin e qëndrimit tonë të kahershëm që Shqipërisë dhe rajonit i duhet një qasje strategjike, për të patur një rrjet të sigurtë në procesin e kalimit në nivele të tjera të digjitalizmit dhe të transferimit të të dhënave.
Në këtë kontekst, unë dua t’i rikthehem letrës shumë dashamirëse që mora nga Presidenti Trump dhe dua të rikonfirmoj atë që kam thënë në mënyrë të përsëritur që Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon, jo thjeshtë si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogut, por si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G.
Rrugët e pastra të teknologjisë 5G, në këndvështrimin tim janë rrugët e pastra për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë dhe fëmijët e fëmijëve të fëmijëve tanë. Ne në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë që një ditë të bukur, fëmijët tanë të zgjohen e të jetë shumë vonë. E në këtë aspekt, ne jemi absolutisht të lumtur që nuk jemi vetëm dhe që jemi në krahun e atyre që janë miqtë tanë më besnikë dhe më të besueshëm dhe që nuk kanë për ne ndonjë nevojë që t’i detyrojë të jenë miqtë tanë, por shohin tek ne pikërisht atë që ne shohim tek ata; Partnerë të besueshëm dhe miq të mirë në ditë të vështira, siç thotë populli shqiptar.
Edhe një herë falënderime Zoti Nënsekretar për vizitën tuaj, sidomos në këtë kohë të vështirë, edhe pse më vjen mirë që kemi një gjë të përbashkët, shqiptarë e amerikanë, këto kohë, që në Europë e kemi të ndaluar të hymë. Ne kemi qenë mësuar me këtë, por fakti që ju kemi dhe ju tani, bashkë me ne, që nuk na lënë të shkojmë në Europë se kanë hall se u çojmë COVID-in, është kënaqësi e madhe që takohemi në Tiranë. Koha do ta tregojë që ky është vendi i duhur për të qenë sëbashku e nuk ka vend më të bukur se ky në mes të Europës. Kështu që shpresoj që ju ta ndjeni e ta prekni këtë gjë edhe vetë, siç jam i bindur, e ndjen dhe e prek ambasadorja çdo ditë, që nuk e vuan fare këtë izolim nga Europa këtu në mes të Shqipërisë. Ju faleminderit!
Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *