Connect with us

Aktualitet

Gabimi i Kurtit dhe thumbi i Vlorës/ Shkrim nga Albanian Post | Editorial NTV.AL

Në botë nuk ka asnjë organizim më të madh të natyrës së njëjtë sesa Konferenca e Sigurisë së Mynihut. Eventi që zhvillohet që nga viti 1963 në Bavari të Gjermanisë, është një mbledhje e parvjetshme me politikanë dhe liderë vendimmarrës të fushave të ndryshme. Me moton “paqe përmes dialogut”, konferenca provon që të afrojë platforma të ndryshme komunikimi mes liderësh dhe të zhvillohen diskutime të cilat më pas mund të çojnë në marrëveshje eventuale. Shkaku pse Konferenca e Sigurisë së Munihut është treguar kaq e suksesshme ndër vite, ka të bëjë edhe me setin e bisedimeve në tavolina takimesh. Të dizajnuara nën “Chatham House Rule”, komunikimi bëhet lirshëm, sepse bashkëbiseduesit pajtohen që çfarë thonë brenda takimit nuk ekspozohet jashtë. E gjithë ideja e rregullave këtu është që ka pajtim xhentëlmenësh që asnjë nga të pranishmit nuk do të citohet se çfarë ka thënë brenda takimit dhe çfarëdo teme që të hapet, do të pranohet për shqyrtim, jo ngjajshëm me takimet formale të natyrave të tjera. Në vitin 2020, Albin Kurti, morri pjesë për herë të parë në Konferencën e Munihut si kryeministër i Kosovës dhe për herë të parë ishte pjesë e një tavoline me rregulla të tilla. Në këtë takim ishin të pranishëm liderë botërore dhe gjithashtu edhe liderët e Ballkanit Perëndimor. Albin Kurti, Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, Miroslav Lajçak, Josep Borrell, por edhe shumë të tjerë kishin mundësinë të shpreheshin lirshëm dhe me gjuhë më të drejtpërdrejtë për qëndrimet e tyre. Krejtësisht kundër rregullave, dikush nga ekipi i Kurtit kishte incizuar fjalimin e tij dhe ai u bë publik në Kosovë. Fjalimi i Kurtit ishte cilësuar heroik, meqë ai “po ua thoshte në fytyrë” se cili ishte qëndrimi i tij për tema të ndryshme. Përtej heroizmit lokal, veprimi përbënte shkelje të rëndë të rregullave të takimit dhe protokollit të konferencës. Gjithsesi, për Kurtin i rëndësishëm në atë kohë ishte elektrifikimi i masës në prag zgjedhjesh. Tre vjet më vonë, Kurti dhe ekipi i tij e kishte të vështirë të realizonte takime të nivelit të lartë. Madje, ai nuk ka arritur as nivelin e takimeve që ka siguruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kjo në një kohë kur Serbia vazhdon të mos i vë sanksione Rusisë, siç ka bërë e gjithë bota perëndimore. Derisa Vuçiç është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, Kurti nga amerikanët ka takuar senatorin, Bob Menendez. Vuçiç ka zhvilluar takim edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, ndërsa Kurti vetëm ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna. Takimi më i rëndësishëm i Kurtit ka qenë ai me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe me zyrtarët e Bashkimit Evropian, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, por këto ishin takime në vazhdën e bisedimeve për propozimin franko-gjerman. Ajo çfarë dihet me siguri, është se organizime me traditë, siç është Konferenca e Sigurisë në Munih, janë shumë strikte në respektimin e rregullave dhe protokolleve rreth të cilave organizon takimet. Po çfarë kishte thënë Kurti në vitin 2020 në Munih që kundër rregullave, deshi me patjetër ta publikojë… Në atë kohë ende ishte i freskët debati për ripercaktimin eventual të kufijve, të cilën e kishte propozuar presidenti Hashim Thaçi. Në Kosovë do refuzohej kategorikisht kjo ide me parulla si “kjo është ndarje e Kosovës”. Ishte krijuar edhe një version se si për këtë janë marrë vesh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Advertisement