Bota
Garë e ethshme e vendeve në mbarë botën që të sigurojnë vaksinat kundër COVID-it
Britania është në prag të fillimit të fushatës së vaksinimit kundër COVID-19.
Punonjësit e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, ata që jetojnë në shtëpi për të moshuarit si dhe kujdestarët e tyre do të vaksinohen me dozën e parë duke nisur nga e marta. Vaksina është prodhim i përbashkët i kompanive Pfizer dhe BioNTech.
Nisma fillon thuajse një javë pasi enti rregullator dha miratim për përdorim emergjent për vaksinën, duke e bërë Britaninë të parin vend perëndimor që fillon vaksinimin në masë. Miratimi u dha pak javë pasi kompania Pfizer tha se vaksina kishte treguar mbi 90% sukses pas provave të fundit klinike.
Britania mori të dielën 800,000 doza vaksine nga Pfizer/BioNTech, sasia e parë e totalit prej 40 milionë vaksinash që ka blerë. Britania ka një popullatë prej 66 milionë vetësh. Vaksina që po përdoret në Britani shoqërohet me një proces të komplikuar pasi duhet mbajtur në temperatura nën -70 gradë celcius.
Të hënën Kanadaja njoftoi se do të merrte dozat e para të së njëjtës vaksinë në fund të dhjetorit.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha të hënën se deri në 249,000 doza të vaksinës do të mbërrijnë këtë muaj dhe 3 milionë të tjera do të sillen vitin e ardhshëm. Kanadaja ka një popullsi prej 37 milionë banorësh.
Ndërkaq, Instituti Serum në Indi ka paraqitur kërkesë për një vaksinë të zhvilluar nga gjigandi farmaceutik britanik AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Kompania Serum, prodhuesja më e madhe e vaksinave në botë, preferon dukshëm vaksinën e AstraZeneca/Oxford pasi mund të transportohet në temperatura 2-8 gradë Celcius, ndryshe nga kushtet tepër të ftohta që kërkohen për vaksinën e Pfizer/BioNTech.
Presidenti i Indonezisë Joko Widodo njoftoi të dielën se vendi i tij ka marrë një sasi vaksinash nga prodhuesi kinez Sinovac. Vaksina po testohet në Indonezi, ku qeveria po bën përgatitjet e fundit për të vaksinuar një popullsi me 270 milionë banorë.
Në shkallë globale ka mbi 67.5 milionë të diagnostikuar me koronavirus dhe mbi 1.5 milionë të vdekur. Shtetet e Bashkuara kryesojnë në të dyja kategoritë me afro 15 milionë raste dhe mbi 283,000 të vdekur sipas Universitetit Johns Hopkins.