Connect with us

Shkrime

Gjithçka është biznes. Edhe negociatat e armëpushimit në Ukrainë

Ana Zafesova

Avionë, naftë, miniera dhe rafineri: pas negociatave mes rusëve dhe amerikanëve për një armëpushim në Ukrainë mund të fshihet një axhendë e dytë, me më pak politikë dhe më shumë biznes.

Më në fund, pas tre vitesh izolim, Vladimir Putini ka mundësinë që e kërkonte prej kohësh: atë për të “folur me amerikanët si i barabartë”, dhe nuk ka ndërmend ta lërë të shkojë dëm.

Që në raundin e parë të negociatave në Riad, dy javë më parë, delegacioni rus ka diskutuar me atë amerikan – të paktën sipas njoftimeve zyrtare – kryesisht për marrëdhëniet bilaterale, të cilat, gjithsesi, janë reduktuar në minimum pas veprimeve të ndërsjella që kanë paralizuar praktikisht funksionimin normal të ambasadave përkatëse.

Por, për të mbajtur të përqendruar vëmendjen e Donald Trumpit, i cili kërkon një zgjidhje të shpejtë të konfliktit që mund ta paraqesë para mbështetësve të tij, duhen ofruar vazhdimisht stimuj. Dhe, pasi është dhënë tashmë sinjali se në fushën e mineraleve të rralla Rusia mund të ofrojë shumë më tepër se Ukraina, po vihet bast edhe mbi shumë fusha të tjera.

Gjestin e parë të vullnetit të mirë e ka bërë Putini, duke përjashtuar nga sanksionet, në prag të telefonatës së tij me Trumpin, një sërë fondesh investimi amerikane. Këto fonde tani mund të shesin aktivet e tyre në Rusi, të cilat ishin “ngrirë” pasi konsideroheshin si në pronësi të “vendeve armiqësore” – një etiketë që kufizon ndjeshëm mundësinë për kompanitë e vendeve jo-miqësore për të bërë biznes në Rusi.

Në një intervistë për New York Times, këshilltari i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandr Dynkin, madje sugjeroi se Kremlini mund të njohë Shtetet e Bashkuara si vend “jo armiqësor”, duke lënë ndërkohë në listën e zezë vendet evropiane. Kjo do t’u lejonte gjigandëve amerikanë të riktheheshin në tregun rus.

Është e vërtetë që, disa minuta para se të merrte telefonatën nga Trumpi, Putini kishte takuar industrialistët rusë duke u thënë që të mos mendonin rikthimin e konkurrentëve perëndimorë dhe heqjen e sanksioneve. Por është po aq e vërtetë që, në disa fusha, ekonomia ruse ka nevojë të menjëhershme për oksigjen.

Një nga sektorët ku një shkrirje me SHBA-në do të ishte shpëtimtare janë transportet ajrore. Programi qeveritar për të zëvendësuar flotën ajrore me avionë të prodhimit vendas ka dështuar që në nisje, dhe përpjekjet e ndërlikuara për të kontrabanduar në Rusi pjesë këmbimi për Boeing dhe Airbus – të bllokuara prej tre vitesh nga sanksionet ndërkombëtare – nuk po arrijnë të përmbushin nevojat.

Pikërisht dje, nënkryetari i Unionit Rus të Industrisë Turistike, Dmitry Gorin ka deklaruar për agjencinë Interfax se vetëm vitin e kaluar janë detyruar të “mbajnë në tokë” 58 avionë, dhe se në dy vitet e ardhshme flota ajrore mund të zvogëlohet me ritmin e 100 njësive në vit. Që tani, vetëm gjysma e 800 avionëve pasagjerë rusë janë të çertifikuar për fluturime ndërkombëtare, dhe norma e incidenteve – për fat të mirë ende të vogla – është në rritje të dukshme.

Dynkin nuk ngurron të përmendë një përjashtim të mundshëm të avionëve Boeing rusë nga sanksionet amerikane si një masë shpëtimtare, ndoshta në këmbim të kthimit të të drejtës së fluturimit mbi Siberi për kompanitë ajrore amerikane, çka do të shkurtonte ndjeshëm disa itinerare aziatike.

Një tjetër sektor ku rusët dhe amerikanët mund të bëjnë marrëveshje është ai i naftës. Dhe, që dhjetë ditë më parë, politologu rus Abbas Galyamov, ish shkrues i fjalimeve të Kremlinit dhe aktualisht në mërgim, shkruante në kanalin e tij në Telegram se një grup amerikanësh janë duke negociuar me Moskën dhe Berlinin për blerjen e kuotave ruse në tre rafineri gjermane.

Këto kuota i përkasin gjigantit shtetëror rus Rosneft, të drejtuar nga një prej “skifterëve” më besnikë të Putinit, Igor Sechin, dhe aktualisht administrohen nga qeveria e Olaf Scholzit.

Në këtë marrëveshje, pala ruse do të përfaqësohej nga Kirill Dmitriev, tashmë pjesë e delegacionit të Moskës në Riad, dhe Matthias Warnig, ish-oficer i Stasi-t dhe mik i presidentit rus, i cili u vendos në krye të ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream.

Pala amerikane, nga ana tjetër, do të përfshihej përmes Chevron dhe njerëz të afërt me Steve Witkoff, negociatori i Trump-it që ka shkaktuar skandal kohët e fundit me lavdet ndaj Putinit dhe mbështetjen e hapur për tezat propagandistike të Kremlinit mbi Ukrainën.

Këto lëvizje pas kuintave mund të shpjegojnë pse negociatat mes rusëve dhe amerikanëve po vazhdojnë, ndonëse është e dukshme që Rusia nuk është realisht e interesuar të arrijë një armëpushim në Ukrainë.

Ka çështje të tjera për të diskutuar.

Deputeti Vyacheslav Nikonov, një nga teoricienët e diplomacisë së Putinit, ka pohuar për New York Times ekzistencën e një “axhende bilaterale që nuk lidhet me Ukrainën, të cilën Putini e konsideron shumë më të rëndësishme”.

Kjo edhe për shkak se alarmet ekonomike po bien me forcë në Rusi: dje Reuters zbuloi se një raport sekret i Bankës Qendrore Ruse paralajmëron rrezikun e rënies së çmimeve të naftës, në rast se OPEC-u vendos të rrisë prodhimin.

Një prirje “që mund të zgjasë për vite”, duke tharë burimin kryesor të financimit të Kremlinit. / La Stampa

Advertisement