Kosova
“Gjuha e trimërisë” ka pasoja, Prishtina kritikohet për akuzat ndaj zyrtarëve të BE
Ankesat e zyrtarëve të shtetit të Kosovës në drejtim të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, muajt e fundit janë shpeshtuar. Shqetësimet e artikuluara nga kryeministri Kurti e zëvendësi i tij, Bislimi, por edhe zyrtarë të tjerë, janë kryesisht për mungesë neutraliteti në tryezën e bisedimeve.
Madje, edhe presidentja Osmani ditë më parë duke folur për dialogun kujtoi se Lajçakut i skadon mandati këtë verë. Megjithatë, njohësit thonë se pas zgjedhjeve në BE, mund të ketë ndryshime emrash por jo edhe të qëndrimeve të Unionit karshi procesit të bisedimeve.
“Esenca është që marrëveshja është aty, palët janë zotuar dhe është vështirë që të ndryshojë diçka gjatë rrugës. E vetmja çka mundtë bëhet nëse sillet një figurë e fuqishme politike brenda BE-së atëherë mund tëndryshojë dinamika e zbatimit të marrëveshjes”, thotë Dritëro Arifi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Politika, qoftë e Shteteve të Bashkuara apo e Bashkimit Evropian nuk ndryshon duke u bazuar tek individët sepse ajo politikë është e përcaktuar, qoftë nga shteti apo nga blloku i shteteve në rastin e Bashkimit Evropian”, u shpreh politologu Arton Demhasaj.
“Gjuha që nga fillimi i këtij mandati të kësaj Qeverisë Kurti 2 ka qenë absolutisht e papërshtatshme dhe jo diplomatike dhe mos të harrojmë çdo gjuhë, që mund të na duket si ‘gjuhe e trimërisë’ por në diplomaci këto gjuhë të papërshtatshme kanë edhe pasoja”, tha Arifi.