Connect with us

Politike

Gonzato: Deri në 2026 reforma zgjedhore të përfshijë rekomandimet e OSBE/ODIHR

Bashkimi Europian kërkon nga klasa politike shqiptare të përfshijë në reformën e re zgjedhore të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të bëra deri më sot, ndërsa pret që palët t’i qëndrojnë angazhimit të tyre për ta përmbyllur këtë proces deri në vitin 2026.

Në një intervistë për emisionin “Ekspres” në RTSH, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se ky duhet të jetë një angazhim i qartë i Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit në BE. Disa nga elementet që duhen përmirësuar në këtë reformë, tha z. Gonzato, lidhen me çështjet si transparenca në financimin e fushatës, rregullimi i medieve online dhe shmangia e shpërdorimit të burimeve publike.

“Mendoj se gjetjes e ODIHR-it këtë radhë konfirmojnë të njëjtat probleme që janë konstatuar në 2021, kështu që këto probleme duhen zgjidhur. Ndaj në deklaratën e bërë nga Përfaqësuesja e Lartë [Kaja] Kallas dhe Komisionerja Kos ne u jemi referuar gjetjeve të misionit të OSBE-së, u referohemi mangësive që ata kanë theksuar, dhe kërkojmë një reformë zgjedhore që të përfshijë të gjitha rekomandimet e bëra deri më tani, dhe ato që do të bëhen këtë herë. Ne e dimë se cilat janë çështjet: transparenca në financim, rregullimi i medies në internet, shpërdorimi i burimeve publike etj. Të gjitha këto elemente duhen trajtuar në reformën zgjedhore, e cila është diçka për të cilën Shqipëria është angazhuar të bëjë në kuadër të anëtarësimit. Ka një udhërrëfyes për shtetin e së drejtës, që përmban një angazhim të qartë për bërjen e kësaj reforme deri në 2026”, u shpreh ambasadori i BE-së.

Lidhur me zgjedhjet e 11 majit, z. Gonzato tha se BE-ja i qëndron gjetjeve të raportit paraprak të OSBE/ODIHR-it, duke sqaruar se e kanë “keqcituar qëllimisht” për këtë.

“Këndvështrimi i BE për zgjedhjet e 11 majit është mirë ta përsëris, pasi jam keqcituar qëllimisht apo jam keqcituar në mënyrë përzgjedhëse. Më kujtohet kur kam mbërritur në Tiranë, më 1 dhjetor 2023. Një nga pyetjet ka qenë pikërisht qëndrimi për reformën zgjedhore dhe kam cituar që ‘ne iu qëndrojmë rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it’. Gjatë muajve që vijuan e kam përsëritur thirrjen për të zbatuar këto rekomandime, për të garantuar që reforma zgjedhore që diskutohej mes partive të pasqyronte këto rekomandime. E përsëris edhe tani: i qëndrojmë analizës së OSBE/ODIHR-it. Analiza është në zotërim të gjithkujt dhe kemi disa përfundime paraprake, ende jopërfundimtare, pasi raporti përfundimtar do të përmbajë rekomandime që kanë të bëjnë specifikisht me këto zgjedhje. Përfundime paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka qenë një fushë e barabartë loje dhe tregon për një sërë problemesh që janë konstatuar nga misioni”, tha shefi i delegacionit europian në Shqipëri.

Z. Gonzato theksoi gjithashtu se reformat duhet të jenë rezultat i dialogut politik, duke përfshirë edhe opozitën, pasi anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar që nuk duhet përdorur për qëllime partiake.

“Gjithmonë kam bërë thirrje për këtë lloj dialogu kur vjen fjala për procesin e anëtarësimit. Të gjithë e dinë se objektivi i anëtarësimit në BE është një objektiv që e ndajnë të gjitha partitë dhe mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve. Ky është objektiv mbarëkombëtar dhe nuk është diçka që duhet të jetë objekt i politikave partiake. Në kontaktet e mia me të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, kam theksuar faktin se për BE-në është e rëndësishme që ata të ishin përfshirë. Kur ndërmerr reforma e di se cilat janë standardet, por mënyra e zbatimit të tyre në Shqipëri ka dallim. Mund ta bëni në një mënyrë që nuk merr parasysh interesat e një klase të caktuar në nevojë. Duhen opinione të ndryshme dhe dialog politik për të siguruar që reformat të bëhen pozitive për popullin shqiptar”, u shpreh Gonzato.

Advertisement