Connect with us

Bota

Grabitja e dyqaneve luksoze në qendrat tregtare, kosto prej 100 mld dollarë

Sulmet masive nga hajdutët në dyqanet luksoze të qendrave tregtare shkaktojnë një kosto prej 100 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas llogaritjeve të Bloomberg.

Në Kaliforni të paktën 30 persona vodhën më shumë se 400 mijë dollarë mallra nga një dyqan ‘Yves Saint Laurent’ në qendrën tregtare Glendale, në Los Angeles, dhe në një rast tjetër, një bandë rrëmbeu një duzinë çanta Gucci nga një dyqan Bloomingdale në qendrën tregtare Westfield.

Ndërkohë që është shënuar dhe një rënie konsiderueshme e shitjeve pasi klientët e frikësuar zgjedhin të shmangin dyqanet që konsiderohen si objektiv i preferuar i grabitësve.

Këto sulme, të filmuara nga kamerat e sigurisë dhe telefonat celularë, janë bërë virale në zonën e Los Angeles dhe po e detyrojnë Guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom të marrë masa. Këtë javë, ai njoftoi dhënien e 267 milionë dollarëve në grante për 55 agjenci lokale të luftimit të krimit, me paratë e destinuara për të siguruar një teknologji më të mirë mbikëqyrjeje për të kapur bandat kriminale.

Kalifornia nuk është i vetmi shtet që përballet me një rritje të krimit të kësaj natyre. Sipas Federatës Kombëtare të Shitjes me Pakicë, kostoja e mallrave të humbur nga vjedhjet e vogla deri te grabitjet e kamionëve të stilit mafioz është rritur në gati 100 miliardë dollarë në vit.

Kompanitë paralajmërojnë se mungesa e pasojave për vjedhjet në dyqane do të çojë në një rritje të krimit. Ndjekja e dobët penale e hajdutëve është një nga faktorët që kontribuon në rritjen e sulmeve. Për shembull, në Los Angeles, shumë njerëz të akuzuar për vjedhje lirohen pa pasur nevojë të paguajnë për lirimin me kusht.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Advertisement