Connect with us

Bota

‘Gruaja e Hekurt Nr 2’ formon qeverinë e djathtë

E njohur për vendosmërinë e saj të çeliktë dhe theksin e rëndë romak, Meloni ka mbikëqyrur rritjen meteorike të partisë së saj nga 4 për qind e mbështetjes në 2018 në 25 për qind të parashikuar përpara zgjedhjeve. Qëndrimi i saj pa kompromis ka ‘goditur’ me italianët e frustruar, të cilët, pas shtatë qeverive në 11 vite të trazuara, e shohin Melonin si të vetmin opsion politik të mbetur i paprovuar.

Vendimi i saj për të qëndruar fort në opozitë duke refuzuar të mbështesë qeverinë në largim të kryeministrit Mario Draghi, ndryshe nga aleatët e saj të koalicionit duke përfshirë ekstremin e djathtë Matteo Salvini dhe dinosaurin politik Silvio Berlusconi, i ka dhënë asaj edhe më shumë popullaritet dhe e ka forcuar statusin e saj. Por pikëpamjet e saj të ashpra për emigracionin dhe ruajtjen e “familjes së krishterë” kanë ngritur frikën e një rikthimi të politikave të diskutueshme. Kritikët thonë se retorika e saj përbën një kërcënim për të drejtat civile dhe do të hapë rrugën që pikëpamjet e ekstremit të djathtë të zënë skenën qendrore në diskursin politik të vendit.

Jashtë Italisë, kritikat e ashpra të Melonit ndaj Bashkimit Evropian dhe përafrimi i saj me figurat euroskeptike, si kryeministri hungarez Viktor Orban, kanë sjellë ‘zymtësi’ mbi drejtimin e ekonomisë së katërt më të madhe të BE-së. Dhe pastaj janë shqetësimet rreth origjinës fashiste të partisë së saj, një lidhje për të cilën, thonë kritikët, ajo nuk ka bërë mjaftueshëm për ta ndërprerë.

E lindur në vitin 1977, Meloni ishte 15 vjeç kur trokiti në derën e krahut të të rinjve të Movimento Sociale Italiano (MSI), një parti e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore nga ish-anëtarët nostalgjikë të diktaturës fashiste të Benito Musolinit. E vendosur në një rrugë të qetë në lagjen e klasës punëtore Garbatella në Romë, Meloni gjeti në lëvizje një “familje të dytë”, siç e përshkroi në autobiografinë e saj të titulluar: Io sono Giorgia [Unë jam Giorgia].

Nëna e Melonit ishte 23 vjeç kur e lindi, një vit e gjysmë pasi solli në jetë vajzën e saj të parë, Arianna. Mamaja bënte disa punë për t’ia dalë mbanë, nga banakiere në klubin e famshëm Piper deri tek kujdestaria e fëmijëve.

Babai i saj, një kontabilist nga një zonë më e pasur në Romën veriore, u zhduk kur ajo ishte ende e re, duke lundruar me një varkë për t’u vendosur më vonë në një nga ishujt Kanarie. Vizitat sporadike do të pasonin, por në moshën 11-vjeçare Meloni vendosi të mos e shihte më, duke pasur parasysh mungesën e interesit.

Një mungesë e tillë, shkroi Meloni, do të nxiste më vonë nevojën e saj për të përmbushur vazhdimisht pritshmëritë e njerëzve të tjerë dhe për të provuar veten, veçanërisht në një mjedis të dominuar nga meshkujt.

“Ajo duhej të mësonte që në moshë të re se si të luftonte për të arritur gjëra, diçka që fomroi karakterin e saj,” tha Marco Marsilio, guvernatori rajonal i Abruzzo për Brothers of Italy. “Ju do të dalloni ndryshimin midis dhjetëra militantëve të njohur të krahut të djathtë, ajo u dallua për vendosmërinë e saj,” shtoi Marsilio, një nga mentorët e Melonit dhe një anëtar i MSI në kohën kur ajo iu bashkua partisë.

Si një anëtare e Frontit Rinor të MSI-së, Meloni shkëlqeu në tubimin dhe koordinimin e organizatave studentore në një kohë kur MSI ishte e vetmja parti, fort aktive, e krahut të djathtë në universitete që zakonisht dominoheshin nga kultura politike e majtë.

Militantizmi politik në MSI ishte një “përvojë totalizuese”, kujton Meloni në librin e saj, ku aktivistët do të gjenin një botë ku t’i përkisnin, një botë relativisht e padëmtuar nga një valë e madhe skandalesh korrupsioni dhe aktivitetesh mafioze, të cilat në vitet 1990 çuan në kolapsin e establishmentit italian të pasluftës.

Këto ishin gjithashtu vitet e fundit të MSI-së, e cila në 1995 u shndërrua në Aleancën Kombëtare (AN), një lëvizje që synonte të linte pas rrënjët e saj fashiste, duke e riemërtuar veten si një parti nacionaliste konservatore e krahut të djathtë. Brenda pak vitesh, Meloni u bë kryetare e lëvizjes rinore të AN dhe në moshën 29-vjeçare ajo kishte hyrë në parlament.

Dhe ato ishin gjithashtu vitet kur Berlusconi, një manjat televiziv, sulmoi politikën italiane duke krijuar Forza Italia (Përpara Italia), një parti e qendrës së djathtë që ishte konservatore dhe populiste, por ekonomikisht liberale me një pikëpamje miqësore ndaj BE-së.

AN u bashkua me Forza Italia, me të cilën më vonë u bashkua në një koalicion që fitoi pushtetin, me kryeministrin Berlusconi që emëroi Melonin si ministren më të re të Italisë në krye të portofolit të të rinjve në 2008.

Në vitin 2012, kur Italia ishte në mes të një recesioni të shkaktuar nga një krizë borxhi në eurozonë, Meloni vendosi të nisë lojën e saj më të madhe politike: bashkëfinancimin e Brothers of Italy. Duke u pozicionuar në të djathtën ekstreme dhe me një logo që mbante të njëjtën flakë djegëse trengjyrësh të MSI-së, partia e re u bashkua nën një axhendë nacionaliste e proteksioniste duke shprehur hapur pikëpamjet intolerante ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare, emigrantëve dhe homoseksualëve.

“Po për familjet natyrore, jo për lobin LGBT, po për identitetin seksual, jo për ideologjinë gjinore, po për kulturën e jetës, jo për humnerën e vdekjes,” tha Meloni në një fjalim në qershor gjatë një mitingu.

“Jo dhunës së Islamit, po kufijve më të sigurtë, jo emigracionit masiv”, bërtiti ajo përpara një turme brohoritëse që e duartrokitën e u ngritën në këmbë.

Edoardo Novelli, një sociolog dhe profesor i komunikimit politik në universitetin Romë 3, tha se vizioni i Melonit ndjek moton “Zoti, familja dhe atdheu”, bazuar në identitetin e krishterë, modelin tradicional të familjes dhe të një kombi të përbërë së pari nga patriotë italianë.

“Kjo do të krijojë një ide se ka modele ‘të drejta dhe të gabuara’, qytetarë të kategorisë A dhe B,” shtoi Novelli.

“Por ky nuk është vetëm një vizion abstrakt, ai do të përkthehet në zgjedhje reale si ligjet, aktet e qeverisë, mundësitë, programet financuese,” paralajmëroi ai.

Megjithatë, ndërsa fushata zgjedhore po i afrohet fundit dhe shanset për një fitore bëhen më konkrete, Melonit i është dashur të kryejë një veprim balancues për të siguruar Brukselin se ajo dhe koalicioni i saj nuk do të jenë rrezik për stabilitetin e Evropës, veçanërisht pasi Italia do të marrë pjesën më të madhe të një fondi rimëkëmbjeje të BE-së me vlerë 200 miliardë euro.

Ajo ka premtuar vazhdimisht besnikërinë e saj ndaj BE-së dhe NATO-s dhe ka konfirmuar se Italia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën ndërsa vendos sanksione ndaj Rusisë.

“Ajo e ka zbutur shumë tonin e saj për tema të caktuara si mosbesimi ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare dhe BE-së, një ndryshim qëndrimi që është studiuar me kujdes për të hyrë në qeveri si një parti e fortë,” tha Lorenzo Castellani, një profesor i historisë në Universiteti LUISS i Romës me fokus në partitë e krahut të djathtë italian.

Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se e gjitha është një fasadë.

“Nuk ka pasur asnjë evolucion, por vetëm një rifillim i temave historike të së djathtës italiane dhe të neofashizmit të paraqitura në një mënyrë më tërheqëse,” tha Piero Ignazi, një profesor në Universitetin e Bolonjës. “Tonet kanë ndryshuar, por është çështje nuancash dhe vlerash kamuflazhi”, tha Ignazi.

Në një nga mitingjet e saj të fundit në Milano, ajo paralajmëroi se “kohët e mira kanë mbaruar” për BE-në, ndërsa insistoi në një nga temat e saj të vjetra që jepte alarmin mbi “emigracionin masiv, i cili është një armë e madhe ekonomike dhe fuqitë financiare të përdorura për të ulur konkurrencën midis punëtorëve”.

Partia e saj gjithashtu ka refuzuar të mbështesë të premten një raport të parlamentit të BE që dënon Hungarinë për kufizimet e saj ndaj lirive civile.

Kritikët tregojnë gjithashtu një propozim të koalicionit të Melonit për një ndryshim të kushtetutës që do të prezantonte një president të zgjedhur drejtpërdrejt, duke e afruar demokracinë parlamentare të Italisë me një sistem presidencial. Ndryshimet kushtetuese, si dhe çdo centralizim i pushtetit, konsiderohen tradicionalisht tabu midis mbështetësve të krahut të majtë.

Meloni e ka hedhur poshtë herë pas here pretendimin se ajo përbën një rrezik për demokracinë.

Sido që të jenë rreziqet, italianët po bërtasin për një ndryshim ndërsa vendi përgatitet për një dimër të ashpër. Detyra në dorë, për këdo që del fitimtar më 25 shtator, është e kthjellët dhe Meloni e di këtë: “Nuk mund të them se nuk më dridhen duart përballë një përgjegjësie të tillë”, pranoi ajo javën e kaluar.

Advertisement