Aktualitet

Habit Fidel Ylli: Do të bëjmë një qytet olimpik, më të madhin në botë

Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, ka folur në lidhje me një nga statuset e tij që bëri shumë bujë në median online. Në këtë status ai u shpreh se në Tiranë do të ndërtohet një tjetër stadium, i cili do të jetë me 40 mijë vende. Ylli tregoi dhe detaje të tjera lidhur me këtë stadium. Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar tha se stadiumi nuk do të jetë vetëm për futboll, por edhe për evente ose sporte të tjera. Madje ai u shpreh me shumë optimizëm: “Po bëjmë një qytet olimpik, më të madhin në botë”.

Rudina Magjistari: Kjo e stadiumit e di pse tërhoqi vëmendje, se u duk sikur ishte mbyllur çështja e stadiumeve në Shqipëri, të paktën në Tiranë, me ndërtimin e “Air Albania”, i cili është një stadium pa diskutim shumë i bukur, por ju thatë i vogël në vende dhe…

Fidel Ylli: Qeveria do të bëjë këtë vit dhe 3 stadiume të tjera. 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Korçë, që do jenë stadiume të reja.

Rudina Magjistari: Për qytetet e tjera, për Tiranën?

Fidel Ylli: Tirana ka në plan stadiumin Dinamo, “Selman Stërmasi”, që do prishet dhe do rindërtohet nga e para. Ka në plan, për të bërë Bashkia e Tiranës gjithmonë, “Pallatin e Sportit” që është një hambar i kohës së Italisë dhe aty stërviten ekipet, që është një skandal. Akull, ftohtë, pa banjë, pa dush është një tmerr i vërtetë. Kurse kjo nuk ka të bëjë me stadiumin. Ne po bëjmë një qytet olimpik, më të madhin në botë. Që do të thotë…

Rudina Magjistari: Sa ambicioz paskemi qenë ne shqiptarët. E kemi garën me të gjithë.

Fidel Ylli: Unë i kam parë Rudina, të gjitha qendrat olimpike duke filluar nga Sydney, nga Atlanta, nga Brazili, nga Londra, nga Gjermania, nga Greqia, nga Roma, nga të gjitha. Qendër si kjo nuk do të ketë në të gjithë botën.

Rudina Magjistari: Projekti është gati?

Fidel Ylli: Projekti edhe dy javë mbaron. Është gati, prandaj nuk e kam nxjerrë. Por nuk do ketë vetëm 1 stadium për futbollin, 40 mijë e pak, do shtojmë 1  karrige më shumë se stadiumi i Torinos, së Juventusit.

Rudina Magjistari: Dhe do kthehemi vendi i parë, me stadiumin më të madh në botë.

Fidel Ylli: Jo nuk do të jetë më i madhi në botë, por për Shqipërinë do të jetë një stadium fantastik, i bukur që ne pretendojmë jo vetëm të bëjmë futboll aty, por të bëjmë edhe hapjen e ekipeve sportive, të bëjmë edhe koncerte, të bëjmë edhe ndeshje boksi, po të bëjmë edhe një ndeshje Champions League këtu. Siç u bë Conference League.

Rudina Magjistari: Një nga gjërat, që besoj unë është e rëndësishme në këtë rast, është fakti që stadiumi do të zhvendoset në periferi, një stadium i madh.

Rudina Magjistari: Sepse në qendër ajo që ndodh në mes të Tiranës është që, sa herë ka një ngjarje sportive, bllokohet Tirana dhe është diçka që e ndiejnë të gjithë qytetarët. I penalizon qytetarët në mënyrë të padrejtë, le të themi, nuk ka pse të ndodhë kështu. Kështu që shumë mirë që stadiumi i rëndësishëm të jetë të jetë edhe në periferi.

Fidel Ylli: Por thashë, nuk është një stadium. Është një stadium olimpik, jo vetëm për futboll. Se këta kanë bërë një gafë, e kanë lënë kryeqytetin me stadium futbolli pa pistë atletike. Jemi të vetmit në kryeqytet në botë që nuk kemi një stadium me pistë atletike dhe unë kam bërë debat.

TRENDING

Exit mobile version