Politike
Hapet gara për drejtuesin e ri të SPAK, pasuesit e Dumanit 3 javë afat për aplikim

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) hapi sot garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, pas përfundimit të mandatit të prokurorit Altin Dumanit. Mbledhja u zhvillua me pjesëmarrjen e anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë, EU4Justice dhe OPDAT.
Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, u miratua projektvendimi që i hap rrugën zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme. Në mbledhje u dakordësua që kandidatët, nga radhët e SPAK, kanë afat 3 javë për aplikimin, pra deri më datë 8 tetor.
“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.
Në mbledhje u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK. Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë.
a) Eksperiencë në ndjekjen e çështjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar
b) Eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture;
c) Eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative;
ç) Eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike, dhe ndërveprim me median,
d) Aftësitë në drejtimin efektiv të burimeve njerëzore,
dh) Vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv,
e) Imazhin publik të karrierës së tij/saj si prokuror.
Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE. Si SHBA dhe BE deklaruan se do ta ndjekin me vëmendje këtë proces dhe ritheksuan angazhimin për mbështetjen e reformës në drejtësi.
Sipas ligjit të këtij institucioni, kreu i tij zgjidhet një herë në çdo tre vjet dhe ky mandat është i parinovueshëm. Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK 3 vjet më parë, ku mori shumicën e votave të KLP-së, 5 nga 11 të pranishëm. Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.

