Connect with us

Shkrime

Hapet plaga/ Vuçiç para humbjes fatale

Presidenti serb, Aleksandar Vuçic, i cili është në shënjestër të protestave në Beograd, nuk është dukur kurrë më i humbur sesa kur u shfaq në një video zyrtare duke u ankuar për protestuesit në rrugë duke i quajtur ata me emra fyes “budallenj të çmendur, vrasës dhe kriminelë”.

Por, pas disa javësh protesta, Vuçic tani është në shënjestër. Siç shkruan gazeta amerikane “The New York Times”, protestat, me thirrjet për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të zbatimit të ligjit dhe heqjen e licencave të transmetimit nga dy stacione televizive pro-qeveritare, u shndërruan në një revoltë më të gjerë kundër “klimës së dhunës” për të cilën fajësohej presidenti serb dhe sulmuesit e tij në media.

“Nuk vë bast për rënien e tij, sepse liderët si Vuçiç kanë teknika shumë të fuqishme mbijetese, por Por është hapur një plagë dhe peshkaqenët po sillen rrotull në ujë” – deklaroi Vuk Vuksanoviç nga Qendra për Politikat e Sigurisë në Beograd, një institut i pavarur kërkimor.

Në këto ujëra të trazuara ka filluar te peshkoje Rusia, ambasadori i së cilës në Serbi Aleksandar Bochan-Kharchenko fajësoi Perëndimin për nxitjen e protestave, te cilat përkuan me ndezjen e tensioneve në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 – citon gazetën amerikane portali serb “Nova”.

Ndërsa dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Beogradit në fund të muajit të kaluar, Vuçiq urdhëroi ushtrinë e tij të lëvizte drejt veriut të Kosovës, e cila është e populluar kryesisht nga serbë etnikë. Kjo lëvizje pasoi vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të futur kryebashkiakët e rinj shqiptarë që fituan pasi votuesit etnikë serbë bojkotuan zgjedhjet.

Kjo i tërboi serbët e Kosovës, të cilët sulmuan paqeruajtësit e NATO-s, duke plagosur dhjetëra prej tyre dhe duke e shtyrë aleancën të nxitonte për të dërguar qindra trupa shtesë në veri të Kosovës.

Duke iu referuar problemeve me Kosovën, Botcan-Kharchenko, ambasadori i Rusisë në Beograd tha se “qëllimi i Perëndimit është të ndryshojë politikën e Serbisë në lidhje me Rusinë”.

Një sondazh i kohëve të fundit nga ‘Demostat’, një grup kërkimor, zbuloi se vetëm 3 për qind e serbëve thanë se dëshironin marrëdhënie të mira me SHBA, krahasuar me 22 për qind që mendonin të njëjtën mënyrë për Rusinë. Në të njëjtën kohë, 32 për qind favorizojnë Bashkimin Evropian dhe vendet skandinave, gjë që tregon se mbështetja për Rusinë, edhe pse e fortë, mbetet pas Perëndimit në tërësi.

Atë që ambasadori rus e prezantoi si një komplot perëndimor për të shkaktuar probleme në Kosovë dhe për të rrëzuar Vuçiçin, shumica e ekspertëve, por edhe e demonstruesve, e shohin krejt të kundërtën.

Çedomir Çupiç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, thotë se Kosova tashmë është e humbur, sepse nuk ka asnjë mundësi reale që Serbia të kthehet dhe të sundojë mbi më shumë se një milion shqiptarë etnikë të shqetësuar. Por për Rusinë, tha ai, pasionet e brendshme që ajo ende i mban te ndezura, janë dhurata e Zotit për Moskën.

Dhuna në Kosovë gjithashtu ofroi gjithashtu një lajm rrallë të mirë për Vuçiçin pasi luajti në avantazhin e tij si mbrojtës i interesave serbe, ndërsa ai lufton për të shuar protestat në rrugë.

Situata ndërkohë ka shqetësuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilët prej kohësh janë përpjekur të ulin temperaturën dhe të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ata dënuan në mënyrë të pazakontë vendosjen e forcave të sigurisë në veri të Kosovës nga kryeministri Albin Kurti.

Nderkohe, tensionet në Kosovë vetëm sa po e ndihmojnë Vuçicin duke ndezur pasionet për territorin që shumica e serbëve e konsiderojnë si pjesë të vendit të tyre”, tha Milomir Mandiç, drejtor i ‘Demostat’.

“Kurti vazhdimisht po e ndihmon Vuçiçin”, tha Pavle Grboviç, deputet i opozitës në Parlamentin serb nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, i cili ndihmon në organizimin e protestave javore në rrugët e Beogradit.

“Askush në skenën politike serbe nuk ka bërë më shumë për pozitën e Serbisë në Kosovë dhe për Vuçiçin, sesa Albin Kurti” – theksoi ai.

 

Shkrime

Kurti gjunjëzon kundërshtarët në Tiranë dhe Prishtinë, tërbohet Edi Rama

Nga ‘Bota Sot’

Prej vitesh, kryeministri Edi Rama është përpjekur që të shesë veten në SHBA e Evropë si liderin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu kryeministri shqiptar është përpjekur që të nxjerrë shpesh herë Albin Kurtin si një politikan që i takon të kaluarës dhe jo bashkëpunues kur vjen puna për çështje ndërkombëtare. Rama gjithmonë ka bërë opozitën në Prishtinë duke u bashkuar në ide e mendime dhe me kundërshtarët e Kurtit në Kosovë. Rama arriti deri aty sa pak kohë më parë hodhi dyshime se lideri i Kosovës do futet në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të konfliktit në veri.

Një gjë e tillë nuk ndodhi, madje që prej asaj periudhe Albin Kurti regjistroi vetëm fitore ndaj serbëve të Vuçiçit duke “gjunjëzuar” çdo zë kundër dhe në fund duke marrë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kjo gjë ka “tërbuar” Edi Ramën. Sipas analistëve takimet e Ramës me Diasporën po ndodhin për arsyen se kryeministri po kërkon t’i tregojë komunitetit ndërkombëtar se është lider më popullor se Kurti te shqiptarët e shpërndarë nëpër botë.

“Rama me një gur do të vrasë disa zogj. E para do të lëri në hije dhe po rivalizon Albin Kurtin. Me këtë tur takimesh në gjithë Europën, duke shkuar deri në SHBA, ai po jep një mesazh te komuniteti ndërkombëtar se ai është lider më popullor te shqiptarët dhe diaspora sesa Albin Kurti. Me pjesëmarrjen në takim, popullariteti dhe lëvizjet masive sa do të vijnë e do të rriten. Do të jetë në Londër dhe në prag të europianit në Gjermani. Dhe këtë Rama do e shfrytëzojë politikisht. Në gjermani do jetë kulmi i vëmendjes së gjithë shqiptarizmit për shkak të Euro2024”, është shprehur Kreshnik Spahiu.

Po pse Kurti ka alarmuar Edi Ramën, saqë në një intervistë të fundit e sulmoi duke thënë se ai s’përmbushet nga epshi revolucionar? Përgjigjen e kësaj pyetje e japin fitoret e Albin Kurtit, ku për herë të parë Kosova ka marrë nën kontroll territoret që kanë qenë nën ndikimin serb.

Fitorja e parë e Albin Kurtit dhe historikja ndaj Serbisë është padyshim njohja e targave. Prej një janarit të këtij viti, makinat me targat e Kosovës (RKS) do të mund të lëvizin lirshëm nëpër territorin e Serbisë.

Vendimi prej qeverisë serbe për këtë u mor më 25 dhjetor të vitit që lamë pas, ndërkohë që autoritet serbe, midis tyre edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiç, e quajtën atë një vendim “për të ndihmuar qytetarët serbë” të Kosovës. Para janarit, makinat me traga të Kosovës që hynin në Serbi, detyroheshin të mbulonin targat (RKS) me një shirit letre kur hynin atje. Propaganda serbe kishte bërë që qytetarët serbë të Kosovës, të merrnin targa të shtetit serb për makinat e tyre. Kur qeveria e Kosovës vuri kushte për t’u pajisur detyrimisht me targat e saj, atëherë qytetarët serbë të Kosovës vendosën t’i binden ligjit të këtij shteti edhe pse para kësaj pati përplasje dhe sulme nda Kurtit. Gradualisht ata u pajisën me targa të Kosovës.

Me këtë veprim ata u thane autoriteteve të Beogradit: boll u bëmë viktima të luftës politike midis dy qeverive. Duam të jetojmë të qetë atje ku jemi, pra në Kosovë, duke zbatuar ligjet dhe rregullat e saj. Shkurt, ata i dhanë një shuplakë përpjekjeve të autoriteteve të Beogradit për t’i përdorur për qëllime të mbrapshta. Kjo fitore e Kurtit, erdhi sigurisht nga mbështetja e amerikanëve. Të gjithë sulmonin Kurtin dhe i kërkonin të hapte rrugë pasi do përballej me sanksione, por ky i fundit qëndroi deri në fund stoik.

Një tjetër fitore historike e Albin Kurtit është heqja e dinarit serb. Vendimi i kryeministrit kosovar tregoi se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia gjithë këto kohë nuk e ka patur hall që po ndalohet dinari, por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Vuçiç ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Kurti për të pasur transparencë se kush, kujt i dërgon para me çfarë qëllimi, e mbështeti plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë eliminohen paratë e pista dhe financimet e dyshimta që mund të përdoreshin nga serbët për të krijuar destabilitet në veri.

Po ashtu zgjedhjet në veri të Kosovës dhe ngjarja e rëndë në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici kosovar shënuan një transformim të madh të situatës mes dy vendeve.

Si fillim, tema e zgjedhjeve ka qenë edhe më e përfolura pas lajmeve të prodhuara nga kancelaritë e mëdha ku në qendër u vendos Kosova, për shkak të tensioneve që u shkaktuan vitin e kaluar në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të gjithë shqiptarë u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Por teksa Kurti të vetmen gjë që bëri ishte zbatimi i Kushtetutës dhe çdo veprim u bë në përputhje të ligjit, strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale, të udhëhequra në prapaskenë nga Beogradi, sulmuan policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.

Në fund Serbia mori goditjen e madhe, pasi pas sulmit që ndodhi në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023 ku ndodhi edhe vrasja e policit kosovar nga grupi terrorist serb, për herë të parë Prishtina mori gjithë kontrollin e Veriut. Pas ngjarjeve në Banjskë, autoritetet e Prishtinës e shpallën të gjithë veriun e Kosovës zonë potenciale terroriste dhe KFOR me deklarimet e SHBA e NATO qëndron në prapavijë si mbrojtëse e Kosovës, por rol parësor ka policia e Kosovës.

Një tjetër goditje që Albin Kurti i dha Serbisë dhe Edi Ramës me ndihmën e ndërkombëtare ishte dhe shkatërrimi i “Ballkanit të Hapur”. Projekti i kundërshtuar prej tij me forcë në fund u shpërbë.

 

Continue Reading

Shkrime

Serbia po feston, edhe pse nuk është e qartë se për çfarë

Sandra Petrusic

Në momentin kur u miratua Rezoluta për Srebrenicën, në Serbi kishte festë, edhe pse nuk dihet saktësisht se për çfarë u festua, pasi ne fakt u miratua Rezoluta per Srebrenicën, e cila sipas interpretimit të tyre e karakterizon popullin serb si “gjenocidal”. Por, duke pasur parasysh se si luftën e Kosovës, ashtu edhe luftën me NATO-n, ata e festuan si fitore, pse të mos votohej për një rezolutë kundër së cilës Serbia është?
Rezoluta jodetyruese e OKB-së për Srebrenicën u miratua me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, e cila sipas kritereve të vendosura nga koalicioni qeverisësi Presidentit serb, është një “fitore” sepse “suksesi është çdo gjë nën 90 vota”.

Fakti që të gjitha vendet demokratike ishin pro dhe vendet autokratike ishin kundër, nuk ishte lojë, ashtu si fakti që asnjë vend i ish-Jugosllavisë nuk ishte me Serbinë (marrëdhëniet e mira me ta janë ato që garantojnë paqen, jo mbështetja e Korea e Veriut). Ana Brnabiç deklaroi paraprakisht se Kombet e Bashkuara e humbasin çdo kuptim pas kësaj (kjo ndoshta do të thotë se Serbia nuk do ta pengojë më hyrjen e Kosovës kur OKB-ja të pushojë së qeni e rëndësishme), dhe më pas thirri: Ne jemi krenarë për Aleksandar Vuçicin. Faleminderit që ai nuk I la ata të shkelin serbët dhe Serbinë.

Lumturinë e saj e ndanë edhe qytetarët serbë,  të cilët gjoja “spontanisht” dolën në rrugë të armatosur me flamuj të sapoblerë dhe me makina që filluan të lëvizin në mënyrë të organizuar nëpër qytet. U organizua një festë madhështore, ndonëse nuk është saktësisht e qartë se çfarë po festohej, teksa ne fakt u miratua Rezoluta per krimet serbe ne Srebrenicë.

Në atë atmosferë skizofrenike pa dyshim kontribuoi edhe Aleksander Vuçic. Fillimisht, para seancës ne OKB, ai shpalosi para kamerave kopjen e tij të flamurit dhe dërgoi një mesazh: “Ky është flamuri i nderit, flamuri i trimave, flamuri i lirisë! Unë do ta mbroj atë. Ne nuk jemi një komb gjenocidal! Rroftë Serbia!”.

Ndoshta shumicës së elektoratit ne Serbi iu duk pompoz, por vështirë se dikush do të mund të shpjegonte se kush kishte për qëllim të vidhte flamurin e Serbisë apo të fuste ne kategorinë e “njerëzve gjenocidalë” serbët.

Në Serbi, akti i Vucicit u mbështet nga e gjithë qeveria, teksa edhe ata u mbështollën kolektivisht me flamur. Pastaj pikërisht në mesditë, katër orë para duelit vendimtar në OKB, kambanat ranë në të gjitha kishat ortodokse, me bekimin e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, për “shpëtimin e shtetit dhe popullit serb”.

Përshtypja e përgjithshme ishte se me këtë akt OKB-ja mbështeti falas fushatën zgjedhore të Vuçicit, për dallim nga billbordet dhe reklamat e ndriçuara me mesazhin e pakuptimtë se “serbët nuk janë komb gjenocidal”. Ky ne fakt ishte nje turp sepse “beteja” në Kombet e Bashkuara u drejtua nga i njëjti njeri që në vitet 1990 promovoi tezën “100 muslimanë për një serb te vrarë”.

Rezoluta kërkon dënimin e glorifikimit të akteve të personave të dënuar para gjykatave ndërkombëtare për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Vucici dhe zëdhënësit e tij qe akuzuan Gjermaninë si sponsore e Rezolutes, nuk kujtuan që gjermani Willy Brandt u gjunjëzua para monumentit të viktimave në Poloni në vitin 1970 dhe se Gjermania gjeti forcen për t’u përballur me krimet e veta dhe te pendohet…

 

 

 

Continue Reading

Shkrime

Fitorja e të djathtës në Maqedoninë e Veriut, fituesit i takojnë të gjitha dhe frika e ‘stuhisë në gotë’

Natyrisht se koha ka për të dëshmuar marrëveshjen më të re VMRO-DPMNE&VLEN. Qeverisë dhe pushtetit të ri i duhet dhënë atë njëqinditëshin e famshëm, ama riorganizimi i pushtetit, çfarë e ka paralajmëruar Kryeministri i ardhshëm, dhe kursi që po duket në raport me fqinjët, sikur do t’i nxjerrë punë opozitës së re, sidomos asaj shqiptare, për shkak se nuk ka dyshim se veprimet e pritshme në të dyja planet, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, do të jenë të kapshme dhe të matshme. Pushteti matet me atë që bën e jo atë që thotë se – ka për ta bërë!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Të martën e 28 majit 2024, kur dhe u konstitua legjislatura e 11-të e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me fitoren absolute, të dyfishtë të VMRO-DPMNE-së (në Presidencialet dhe Parlamentaret), dhe me një polarizim të imponuar (nga partia e z. Mickoski) ndërshqiptar e pse jo edhe maqedono-shqiptar, shtrohet çështja e filozofisë së strategjisë së veprimit politik, edhe atë në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Jam ndër ata që mendojnë se “fituesit i përkasin të gjitha”, por ma thotë mendja se mënyra se si u shënua kjo fitore e së djathtës maqedonase dhe hapat e pare drejt (ri)organizimit të pushtetit doemos që do të prodhojnë diçka më shumë se “stuhi në gotë”. Në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Për shkak se duket ashiqare se po instalohet (në pushtet) një grupim interesxhinjsh, relativizuesish dhe balansuesish që nuk është se janë për t’ua pasur lakminë. Për shkak se në polikë nuk vlen ajo nga jeta fetare “bëj si thotë hoxha e jo ç’bën hoxha”!

Politikologu maqedonas Ivon Veliçkovski, në një shkrim në rrjetet sociale, jo më larg se dje të thuash shumë esëll skicon sfidat dhe problemet që e presin Maqedoninë e Veriut nga fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së dhe kursi i paralajmëruar. Ai shkruan:

“Rreziku nga majorizimi është real. Me këtë rast, majorizimi mbi shqiptarët është “vetëm” mjet për legjitimimin e sundimit të “sistemit” financiaro-partiako-klerikal mbi shumicën, pra maqedonasit. Dhe nuk ka lidhje me parti.

Sido që të quhej shteti në hapësirën e Republikës së sotme të Maqedonisë së Veriut, në vazhdimësi që nga periudha pas Luftërave Ballkanike.

Konkretisht, pranimi i modelit të majorizimit, edhe para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, maqedonasve iu imponohet si pikë referimi për të dëshmuar besnikërinë dhe përkatësinë ndaj sistemit. Paralelisht, kjo do të thotë se të pranojnë se vetëqenia maqedonase varet ekskluzivisht nga mbrojtja pansllaviste nga Moska në kuadrin evropian dhe nga Beogradi në kuadrin ballkanik.

Mbi këtë bazë, në periudhën 1945-1991, maqedonasve iu ofrohet një përshtypje e epërsisë ndaj të gjithë të tjerëve në republikë dhe rreth saj, me përjashtim të popujve konstituivë të Federatës.

Gjithësesi, përshtypja e epërsisë është me çmimin e detyrimit të nënshtrimit ndaj maqedonasve sistemorë. Kjo  ilustron shkurtimisht jugo-maqedonizmin që u largua në mënyrë të pakthyeshme me IRJM-në.

Marrëveshja Kornizë (e Ohrit), e Prespës dhe e Sofjes, edhe në shtëpi, edhe ndërkombëtarisht shënuan fundin e supremacisë sistematike financiaro-institucionale, e cila edhe pse e imagjinuar mbi jomaqedonasit, në fakt i shtypi, varfëroi dhe i shpërnguli maqedonasit. Me pasaporta bullgare. Njëqind mijë e kusur para një dekade, sot ndoshta edhe më shumë?!

Prandaj, këto tri marrëveshje, të cilat Maqedoninë e Veriut nga orientale e kthyen në përkatësi evropiane dhe euroatlantike, do të mbeten “halë në sytë” e elitës së ardhshme qeverisëse, përkatësisht të partnerëve të saj sipas “vijës së zjarrit” të kumtuar nga J. Kerry para një dekade.

Dhe atyre do t’ju kundërvehet duke minuar instrumentet e tyre, që nga “Balancieri” deri te zbatimi i emrit kushtetues. Duke u munduar që në të ta tërheqë edhe opozitën.

Kjo së pari u bë e qartë me narrativën e “partive maqedonase” të cilat së bashku me median detyrimisht u desh t’i ndiqnin udhëzimet e bosëve të tyre manjatë jugo-sovjetikë dhe më 2024 prodhuan rezultate zgjedhore për të përsëritur rrethanat e viteve 1998-99.

Dhe, trendi u konfirmua nga përçarja në KOM-OA për hapat e nevojshëm për marrjen e Tomosit për autoqefalësinë nga Patriarkana Ekumenike.

Prapambetja si zgjedhje mes njohjes së supremacisë mes të barabartëve si kishë kombëtare (në Maqedoninë e Veriut) apo vetëm kishës etnike sipas kutit etnofilist (majorizues dhe supremacist) të Moskës të garantuar nga “Tomosi” prej Beogradi.

Dhe kështu në vitin e 34-të të pavarësisë:

– Pushteti duhet të përgjigjet nëse vërtet duan një Maqedoni të Veriut unitare, evropiane dhe euroatlantike,

– Sinodi duhet të përgjigjet cila është më e vjetër: Kryedioqeza e Ohrit apo Patriarkana e Pejës?”- ka shkruar I. Veliçkovski në dritaren e tij në Facebook.

Do të thoja një vlerësim katërcipërisht i qëndrueshëm. Kuptohet për ata që kuptojnë dhe duan të kuptojnë. Pa kurrfarë hatërmbetje!

Natyrisht se koha ka për të dëshmuar marrëveshjen më të re VMRO-DPMNE&VLEN. Qeverisë dhe pushtetit të ri i duhet dhënë atë njëqinditëshin e famshëm, ama riorganizimi i pushtetit, çfarë e ka paralajmëruar Kryeministri i ardhshëm, dhe kursi që po duket në raport me fqinjët, sikur do t’i nxjerrë punë opozitës së re, sidomos asaj shqiptare, për shkak se nuk ka dyshim se veprimet e pritshme në të dyja planet, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, do të jenë të kapshme  dhe të matshme. Pushteti matet me atë që bën e jo atë që thotë se – ka për ta bërë!

Continue Reading

Shkrime

Pse i mbajmë bastardët, si “të ndershëm”?!

Nga Ben Andoni

Përgjigjja e parë është se shpesh nuk i njohim të korruptuarit, kurse në përgjithësi korrupsioni në politikë nuk perceptohet lehtë, pasi politikanët dinë ta fashisin, ta relativizojnë e ndërkohë që jo shumë individë kanë përvoja personale me këtë fenomen. Aman, korrupsioni ndihet. Dhe, ndjenja disa herë i paraprin dijes për gjithçka. Shumë shqiptarë shikojnë zyrtarë e bashkëvendas që pasurohen në mënyrë galopante dhe ndryshojnë statuset sociale dhe ekonomike brenda pak vitesh! Institucionet deri më tani, që duhet ta frenonin, kanë ndihmuar fare pak, kurse politika ka ditur ta mbrojë këtë fenomen.

Një çerek shekulli më parë, pikërisht në vitin 1999, Banka Botërore publikoi një analizë krahasuese të korrupsionit në të gjitha rajonet kryesore të botës për periudhën 1996–99 (Kaufmann et al., 1999a,b). Ajo që tronditi në gjetjet s’ishte se nuk dolën pritshmëritë normale, porse rajoni më i keq mbi dhé për korrupsion nuk perceptohej të ishte as Afrika, as Azia Jugore apo Lindore, as Amerika Latine, por Komonuelthi i Shteteve të Pavarura (Vendet, që lindën pas shpërbërjes së BRSS). E, më tej, ndër pjesët më të korruptuara të botës, ishte ajo që në kohën e Perdes së Hekurt identifikohej thjesht si Evropa Lindore.

Pothuaj 25 vjet më vonë, situata jo vetëm nuk është përmirësuar në rajon, por në rastin e Shqipërisë, situata lidhur me korrupsionin është keqësuar jashtëzakonisht. Ka një përmirësim të lehtë për Shqipërinë në indeksimin e korrupsionit falë goditjeve të Drejtësisë. Pavarësisht se kryeministri i vendit, Edi Rama, mundohet ta relativizojë si fenomen, duke i dhënë besimin SPAK-ut, qasja e tij morale lidhur me përgjegjësinë lë shumë për të dëshiruar, ashtu si edhe e shumë personazheve të tjera. Fatkeqësisht, opozita e përçarë keqazi në jo pak momente ka treguar se është pjesë e këtij realiteti jo të zakonshëm, kurse ish-kryeministri Berisha mban non-gratën amerikane dhe britanike me motivacionin e korrupsionit galopant.

Projekt-rezoluta e propozuar nga PS për luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen, që tashmë është në dyert e Kuvendit për votim dhe qëndrimi ndaj saj, nuk është se mund të ndryshojnë diçka. Kjo dihet fare qartë dhe pastër: Politika është vetë përgjegjëse.

Ndërkohë, publiku kërkon zgjidhje dhe luftë ndaj korrupsionit, kurse opozita ia var të gjithë përgjegjësinë qeverisjes së Ramës. Kryeministri e shtegton fajin, duke e bërë përgjegjëse pikërisht dezinformimin, madje në takimin e pak orëve më parë të Italisë përdori edhe një gjuhë të ashpër për kritikët, që i janë shtuar jo pak. A mund të ndryshonte një formim më i mirë arsimor për perceptimin? Po, nëse kapitali social do kishte parametrat të lartë a do ndikonin sa i përket perceptimeve për politikën e sotme?! Zor të besohet. Kemi një reformë arsimore që nuk ka dhënë asnjë efekt, për të mos thënë që e ka keqësuar edhe më shumë gjendjen e saj.

“ Ndërtimi i komuniteteve të forta në të cilat qytetarët ndihen të lidhur dhe besuar ndaj njëri-tjetrit ka shumë përfitime, njëra prej tyre është se do të ndihmojë në përmirësimin e perceptimeve publike për sferën politike. Megjithatë, as arsimi dhe as kapitali social nuk janë ilaç. Të dhënat tregojnë se arsimi në përgjithësi i ndryshon qëndrimet në një farë mase, por jo plotësisht”, shkruan Clive Bean tek “Are we keeping the bastards honest? Perceptions of corruption, integrity and influence on politics” (A po i mbajmë të ndershëm bastardët? Perceptimet e korrupsionit, integritetit dhe ndikimit në politikë), që na ka ndihur për titullin.

Janë pikërisht arsimimi dhe njohuritë që gjeneron, të cilat ndihmojnë në krijimin e

sferave më të aksesueshme të politikës për individët, i referohemi studiuesit e mësipërm. Në fakt, e gjithë Lindja po vuan shkollimin dhe sidomos humbjen e kredibilitetit të arsimimit të saj, por mbi të gjitha sesi ndodh edhe që individi i shkolluar që rekrutohet në administratë e bën paq korrupsionin. Më shqetësues akoma mbetet papërgjegjshmëria e qeverive dhe sidomos në rastin e sotëm mos marrja e përgjegjësive. Kjo ndodh rëndom në maxhorancë me Ramën, pas akuzave të korrupsionit, por së fundi u pa në një rast edhe me kreun teknik të Opozitës z. Noka, kur u nis një hetim mbi pasurinë e tij. Kjo, përbën atë që më së shumti ushqen shqetësimin e qytetarëve shqiptarë: privilegjohen shumë pak individë.

Zgjidhja që i mbetet publikut është e dukshme: Ikja. Megjithëse Rama mëton se shifrat janë jo ato që jepen në media për largimin, fakt është sipas INSTAT, se çdo vit largohen nga vendi rreth 42.000 rezidentë shqiptarë, pra nga viti 2012 deri në vitin 2022, janë larguar nga Shqipëria plot 420.000 rezidentë. Me fjalë të tjera, përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me 40.000-42.000 banorë, fshihet nga harta e Shqipërisë, duke qenë se kjo është një shifër një popullsi demografike mesatare e qyteteve tona (Panorama, 2024). Dhe, më shqetësues ende është rasti i fundit që lidhet me Institutin Kombëtar të Statistikave, që ka shtyrë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censusit 2023, që do të vërtetonin edhe më saktë e qartë braktisjen e vendit.

Po pse vendi ynë nuk reagon si duhet edhe pas raporteve, si ai i Transparency International, që i cituar në raportet e tij, mëton se: Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën ekskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar, ku rendit plot 9 ligje që dyshohen se janë bërë me porosi: si Ligji special për Teatrin, Ligji për Mediat Audiovizive, Ligji për Lojërat e Fatit, për Lotarinë Kombëtare, Ligji për Koncensionet dhe PPP-të, autostradën Milot-Balldre, kompania “Air Albania”, apo mbi oferta të pa kërkuara për ndërtim aeroportesh, si ai i Vlorës, etj., të cilat miratohen me shpejtësi nga një shumicë tërësisht e nënshtruar në Parlament, në mungesë të transparencës së duhur dhe konsultimeve jo të plota publike, citohet opozita (Leskaj, 2024).

Por a do të ndihmonte arsimimi dhe një kapital social më i lartë? Zor të besohet nga gjendja aktuale publike apo me politikanët që filtrohen në parlament dhe ku niveli i legjislaturave vetëm bjerret. Integriteti që beson qytetari i thjeshtë te shumë njerëz në momentet më të rëndësishme dhe ku duhet zëri qytetar nuk ndodh. Dhe, sërish fakti që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Shqipëri kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 për qind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime (Leskaj, 2024).

A do mjaftonte arsimi, që politika të ndryshonte? Jo, sepse shumë njerëz të mirë-arsimuar mbeten të pa qartë për vlerat e mira të botës politike. Ose më keq të papërfillur prej saj. Këtë e dinë shumë prej bastardëve, që “hanë kumbullat” pas qeverisë dhe që nuk njohin fare kode morale. Realiteti i Shqipërisë po na i shfaq për ditë të panginjurit, kurse goditja e SPAK-ut mbetet e vetmja dritëz, që vjen nga një tunel që nuk mbaron dhe ku dëgjohet ende gazmimi i të korruptuarve, që fatkeqësisht nuk po mbarojnë në vendin më të varfër të Ballkanit. Po atëherë pse i mbajmë “të ndershëm”, bastardët?! (Homo Albanicus)

Continue Reading

Shkrime

Arsyet pse Spanja njohu Palestinën janë standarde edhe për njohjen e Kosovës!

Nga Enver Bytyçi

Spanja e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Dekada me radhë ajo kishte refuzuar njohjen e saj, edhe pse shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë, e kishin njohur atë. Palestina ishte shtet sovran dhe i pavarur, por pas vitit 1948 ngjarjet rrodhën ndryshe e shteti palestinez u shkërmoq. Kjo ishte kostoja e asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Tani, pas shumë dekadash edhe Spanja e disa vende të tjera arritën në përfundimin se shteti i Palestinës duhet njohur. Dhe qeveria spanjolle dje shpalli vendimin e saj për njohje. Pse pikërisht tani? Pse në këtë moment kur në Gaza ushtria zraelite dhe kryeministri Netanjahu po kryejnë genocid kundër popullsisë së pambrojtur të Palestinës? Pra njohja lidhet drejtpërdrejt me krimet kundër njerëzimit dhe asgjësimin e kombit palestinez nga ana e ushtrisë dhe politikës izraelite. Nuk ka asnjë argument tjetër që e interpreton ndryshe këtë njohje. Qeveria spanjolle tha edhe se kjo njohje forcon paqen e stabilitetin në rajon.

Por krimet në Gaza janë argumenti kryesor pse Spanja njohu Palestinën dhe po ky argument shërben gjithashtu edhe për njohjen e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. Qeveria konservatore e Madridit ishte aktive në pranverën e vitit 1999 për të ndërhyrë më trupa ushtarake në Kosovë dhe për çlirimin e saj prej sundimit, dhunës dhe terrorit të shtetit, ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Spanja nuk pati asnjë dilemë për këtë, edhe pse pati vende ose politikanë nga vende të tilla si Italia, Greqia e Franca, të cilët punuan për të stopuar bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Të qenit aktiv i Spanjës asokohe lidhet pikërisht me gonocidin serb kundër shqiptarëve.

Edhe pas çlirimit të Kosovës, Spanja mbështeti të gjitha iniciativat që çuan në pavarësinë e Kosovës. Por papritmas, me shpalljen e pavarësisë, ajo u distancua nga qëndrimet e mëparshme dhe madje i forcoi lidhjet me Beogradin. Ka pak vite që qeveria e Madridit e ka zbutur qëndrimin e mëparshëm refraktar ndaj shtetësisë së Kosovës. Ka njohur pasaportat dhe dokumentet e tjera. Toleroi disa vendime në favor të Kosovës nga ana e BE-së. Po ashtu në KiE është treguar e matur e gati neutrale.

Qëndrimet e Spanjës ndaj Palestinës janë momenti kyç i rivlerësimit dhe rigjykimit të saj edhe për Kosovën. Spanja thotë se njohja e shtetit palestinez i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e Kosovës. Shteti i Kosovës është garanci e shtuar për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Këto 25 vite, pas ndërhyrjes ushtarake të Aleancës dhe çlirimit të saj nga Serbia, e kanë dëshmuar plotësisht këtë të vërtetë. Dhe është logjike të thuhet se paqja dhe stabiliteti në Ballkan e forcimi i tij përmes njohjes së shtetit e pavarësisë së Kosoës është më jetik, sesa paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme, veçmas për Europën.

Por kryesorja lidhet me atë që thashë në fillim. Kosova, ashtu si edhe Gaza sot, iu nënshtrua, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX, një dhune e terrori të egër shtetëror, të cilin e ushtroi Serbia përmes një platforme dhe komande ushtarake e policore, me qëllim spastrimin etnik të Kosovës prej shqiptarëve dhe kolonizimit të saj me serbë. Masakrat, veprat kriminale të vrasjes së 1432 fëmijëve, vrasja e pleqve, grave, djemve dhe burrave të paarmatosur të Kosovës në turmë, përdhunimi i mbi 20 mijë vajzave dhe grave, djegja dhe shkatërrimi i objekteve të banimit, biznesit dhe të trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Kosovë, të gjitha këto ishin akte genocidiale dhe krime kundër njerëzimit të parashikuara në ligjet ndërkombëtare. Mbi këtë bazë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli më 22 korrik 2010 pavarësinë e Kosovës si akt të pajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të 10 qershorit 1999.

Atëherë pse nuk u dashka që ky precedent genocidi i Serbisë në Kosovë të shërbejë për të drejtën e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës?! Pse për Palestinën vlen një kriter si ky, ndërsa për Kosovën nuk vleka?! Standardi i dyfishtë nuk e justifikon qëndrimin e qeverisë së Spanjës kundër njohjes së pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Në rastin e njohjes së Palestinës si shtet ka rënë gjithashtu alibia e krahasueshmërisë me problemin katalonjas dhe atë bask. Shtetet serioze i bazojnë politikat e tyre në parime e standarde të caktuara, ndaj dhe marrin vendime të thelluara e të studiuara me kujdes. Vendimi për njohjen e Palestinës është natyrisht i thelluar. Një vendim tjetër për njohjen e Kosovës është e do të ishte i tillë, si në rastin e Palestinës!

Të shpresojmë se qëndrimet spanjolle për shtetësinë e Kosovës do të përputhen me realitetin, me nevojën për paqe e stabilitet në Europë, me të drejtën e banorëve të Kosovës që të jenë të lirë nga dhuna e terrori serb, me nevojën e integrimeve rajonale dhe evropiane jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor!

 

 

 

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING