Politike
‘Hetimet dështuan’/ Meta: Nuk u gjet asnjë “provë” kundër meje

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se hetimet e kryera ndaj tij, në dy muaj s’kishin asnjë lidhje me të, por kishin të bënin me persona të tjerë. Në një intervistë për Syri.net, Meta tha se këto veprime përdoreshin për të justifikuar paraburgimin e tij. Ai ka shtuar se zgjatja e komunikimit të akuzave kishte të bënte me veprime proceduriale, të cilat kërkonin një kohë fizike të caktuar, si nga ana e tij edhe e avokatit.
Meta tha se qëllimi i hetimeve ishte eleminimi politik i tij, rrëmbimi i Partisë të Lirisë, frikësimi i opozitarëve dhe qytetarëve me qëllim rrëmbimin e dhunshëm të mandatit të 4-ët të Edi Ramës, sipas tij. Gjithashtu Meta tha se Partia e Lirisë do merret seriozisht me të gjitha çështjet e drejtësisë, përfshirë edhe ndryshimet që duhen në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, duke u konsultuar me grupet e interesit. Ai thotë se opozita duhet të intensifikojë luftën kundër korrupsionit.
Pjesë nga intervista e Metës:
1- Pyetje: Z. Meta, çdo të komentonit lidhur me akuzat e komunikuara dje ndaj jush nga SPAK-u dhe mbylljen e hetimeve?
Përgjigje: Dita e djeshme ishte thjesht për të komunikuar mbylljen e hetimeve, pasi tre akuzat më janë komunikuar zyrtarisht që në 27 Maj. Po kështu hetimet e këtyre dy muajve s’kishin asnjë lidhje me mua, por kishin të bënin me persona të tjerë. Por këto veprime përdoreshin për të justifikuar paraburgimin tim vetëm për qëllime të izolimit politik për llogari të porositësit dhe orkestruesit të gjithë kësaj farse gjyqësore ndaj meje, Edi Ramës.
2- Pyetje: Atëherë përse zgjati gati 3 orë ky komunikim?
Përgjigje: Zgjatja kishte të bënte me veprime proceduriale, të cilat kërkonin një kohë fizike të caktuar, si nga ana ime edhe e avokatit tim, Z. Cakrani.
3- Pyetje: Atëherë, çdo të konkludonit në fund të hetimeve?
Përgjigje: Asgjë më shumë se çfarë kam deklaruar që me aktin barbar të rrëmbimit tim në 21 Tetor. 10 muaj hetime për t’u pyetur vetëm njëherë dhe kjo për çështjen e lobimit me “McKeon Grup”, e cila dihej prej kohësh se ishte trillim dhe siç u konfirmua edhe nga vetë autoritetet gjyqësore amerikane. Po kështu, nuk ekziston në të gjithë këtë dosje hetimore asnjë fakt apo provë penale ndaj Ilir Metës. Nuk ekziston asnjë akt, veprim, vendimmarrje e Ilir Metës në shkelje të ligjit apo në dëm të interesit publik.
Gjithashtu nuk ekziston asnjë qindarkë apo pasuri e paluajtshme e sekuestruar e Ilir Metës. Pra gjithçka ka qenë e bazuar vetëm në fabrikime mediatike, të cilat me urdhër të Edi Ramës nga tribuna e Partisë Socialiste, u kthyen në akuza nga shërbëtorët e tij në SPAK. Qëllimi ishte i qartë, eleminimi politik i Ilir Metës, rrëmbimi i Partisë të Lirisë, frikësimi i opozitarëve dhe qytetarëve me qëllim rrëmbimin e dhunshëm të mandatit të 4-ët të Edi Ramës, për të shtypur në mënyrë edhe më arbitrare të drejtat e tyre, si në rastin e Thethit, me ndryshime absurde në Kodin Penal etj.
4- Pyetje: Si do ecni më tej në këtë proces?
Përgjigje: Do ecim drejt seancës gjyqësore paraprake. Gjatë kësaj kohe do njihemi me hetimet që janë bërë më me hollësi. Jemi të detyruar të respektojmë konfidencialitetin deri në këtë seancë, në mënyrë që ne të mos bëhemi shkak për rrjedhje informacioni. Por unë dhe avokati, Z. Cakrani jemi shumë të qartë se çdo “provë” e pretenduar nga SPAK-u është vetasgjësuese për akuzat e ngritura.
Hamendësimet dhe fantazitë nuk kanë asnjë mbështetje në fakte dhe prova në rastin konkret. Për të mos thënë se qëllimisht nuk janë bërë hetime të plota e të thelluara, vetëm për të lënë hapësira për mjegullnaja propogandistike dhe shmangur persona të caktuar nga përgjegjësitë penale. Por ecuria e procesit në të ardhmen, do të provojë se Ilir Meta dhe e vërteta janë në anën e ligjit dhe transparencës në çdo rast.
5- Pyetje: Po për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal çdo të komentonit?
Përgjigje: Përpara 10 ditësh këtu humbi jetën një qytetar, i cili kurrsesi nuk duhej të ishte në masën e arrestit me burg për shkak të kartelës së rëndë shëndetësore që kishte. Ose që në çdo rast duhej të mbahej në spitalin e burgut, nën kujdes shëndetësor. Papërgjegjmëria dhe neglizhenca të tilla vrasin jo vetëm jetë njerëzore, por edhe dëshmojnë fytyrën e vërtetë të një regjimi represiv paraburgimi dhe gjyqësori. Kështu ndodh kur gjyqtarët automatikisht konfirmojnë çdo masë sigurimi pa lexuar as dosjen dhe as marrin në konsideratë specifikat edhe shëndetësore të qytetarëve.
Pastaj të flasësh për këto ndryshime që kanë injoruar të gjithë grupet e interesit, është humbje kohe. Por Partia e Lirisë do merret seriozisht me të gjitha çështjet e drejtësisë, përfshirë edhe ndryshimet që duhen në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, duke u konsultuar me grupet e interesit. Ndërkohë, duhet intensifikuar lufta kundër korrupsionit në rritje dhe të pandëshkuar të Edi Ramës, pasi e gjithë kapja e shtetit dhe drejtësisë synon persekutimin politik të drejtuesve të opozitës për të shmangur vëmendjen nga korrupsioni vrastar i Edi Ramës, i cili ka thelluar në ekstrem varfërinë dhe zbrazur çdo ditë Shqipërinë nga shqiptarët. 5 Prioritete për 4 milion shqiptarë plus është udhërrëfyesi më i qartë për një Shqipëri tjetër, me diell dhe mundësi për të gjithë.

