Kosova
Hijet e viteve 90’ varen nga tavani i Ballkanit/ Rajoni po shkon drejt një spirale të rrezikshme

Vitet ‘90 po rikthehen si paralajmërim për Ballkanin Perëndimor, i cili po kalon një nga periudhat më të trazuara politike në disa dekada. Nga bllokada institucionale në Kosovë, te protestat masive në Serbi, retorika separatiste në Bosnje e Hercegovinë dhe përçarjet në Mal të Zi – tabloja është një mozaik krizash. Ekspertët paralajmërojnë se indiferenca e Perëndimit, në një kohë kur Rusia përpiqet t’i shfrytëzojë dobësitë e rajonit, mund ta shtyjë Ballkanin drejt një spiraleje të rrezikshme.
Në vitet ‘90, ideologjia e Sllobodan Millosheviqit ndezi konflikte që lanë plagë të thella në rajon. Sot, hije të ngjashme po rikthehen përmes udhëheqësve aktualë. Në qendër të tyre, shumë vëzhgues vendosin Aleksandar Vuçiçin e Serbisë.
Në pushtet nga viti 2014, fillimisht si kryeministër, pastaj si president, ai ndjek një strategji që kombinon nacionalizmin me pragmatizmin politik, dhe shtrihet edhe përtej kufijve të Serbisë: në Kosovë, përmes sfidimit të autoritetit shtetëror; në Bosnje e Hercegovinë, përmes mbështetjes së hapur për separatizmin e liderit serb, Millorad Dodik; dhe në Mal të Zi, përmes ndikimit mbi grupet proserbe.
Në një gjendje të tillë kritike, Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington vëren se Vuçiç i përshkallëzon ose qetëson vetë krizat – jo për stabilitetin e rajonit, por për pushtetin e tij, duke rrezikuar ekuilibrat anekënd, sipas saj.
“Asgjë nuk është e izoluar, gjithçka është e ndërlidhur. Gjithçka që ndodh tani në Serbi lidhet shumë edhe me atë që ndodh në Bosnje, me Dodikun, me situatën në Kosovë dhe me polarizimin në Mal të Zi. Sepse, fatkeqësisht, ajo që ndodh në Beograd, e përcakton drejtimin e gjithë rajonit”, theksoi Ivana Stradner

