Connect with us

Rajon

HISTORIANI BULLGAR: NUK PRITET ASNJË REZULTAT NGA VIZITA E PRESIDENTES SË RMV-së NË SOFJE

“Në Bullgari që nga fillimi kanë pasur shumë dyshime që qeveria dhe presidentja e re e Maqedonisë së Veriut do të ndërmarrin veprime pozitive dhe do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, sepse gjatë fushatës elektorale partitë dhe kandidatët maqedonas lëshonin shumë parrulla antibullgare. Por, nga ana tjetër, në Sofje ka moskuptim për sjelljen e koaliciont VLEN që është pjesë e pushtetit aktual. Përfaqësuesit e këtij koalicioni premtonin gjatë fushatës parazgjedhore se ata do të bëheshin garantë për eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut, por shpejt pranuan tezat e partnerëve të tyre maqedonas që shkatërrojnë procesin e integrimit”- thotë për kdp.mk historiani bullgar Anton Pançev, duke komentuar vizitën e paralajmëruar në Bullgari të delegacionit të lartë shtetëror maqedonas në ballë me presidenten Gordana Siljanovska Davkova.

Përgatiti: KDP 

Bëhet e ditur se të premten Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Sofje. Ajo do të shoqërohet nga ministri i Jashtëm, Timço Mucunski dhe ministri i Kulturës, Zoran Lutkov. Paralajmërohet se delegacioni nga Shkupi do të ketë një takim edhe me presidentin bullgar Rumen Radev, mirëpo deri tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për këtë.

“Kjo është një vizitë që synon afirmimin e marrëdhënieve të ndërsjella, përdorimin e diplomacisë kulturore si mjet për mirëkuptim më të mirë mes dy shteteve në një periudhë kur ka një tension të panevojshëm në marrëdhëniet dypalëshe. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për normalizimin sepse kjo është në interes të tregtisë dhe ekonomisë si dhe të bashkëpunimit politik. Prandaj, e konsideroj këtë si një gjest afirmativ nga ana e Presidentes dhe nga ana e Qeverisë”, – ka deklaruar kryediplomati maqedonas, Mucunski.

Ndërkaq, duke komentuar vizitën e delegacionit të lartë shtetëror në Sofje, Anton Pançev,  analist dhe historian i njohur bullgar, thotë për kdp.mk se është i bindur që kjo vizitë “nuk do të sjellë rezultate në asnjë aspekt në marrëdhëniet dypalëshe ose në lëvizjen e vendit drejt BE-së”.

Anton Pançev

“Qeverisja e re e Maqedonisë së Veriut – kryeministri i shtetit, disa ministra, por edhe vetë presidentja – vazhdimisht ka deklaruar në mënyrë të prerë se nuk do ta zbatojnë kërkesën e BE-së për përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën maqedonase që është kusht i domosdoshëm për fillimin e negociatave për anëtarësim. Në këto rrethana nuk mund të presim kthesa të mëdha. Idetë e qeveritarëve në Shkup për gjoja zbatimin me vonesë të ndryshimeve kushtetuese nuk bazohen në realitetin politik dhe nuk mund të merren me seriozitet, sepse Bullgaria nuk do të pranojë një ndryshim të tillë, por edhe procedurat e BE-së nuk do të ndryshohen për hir të Shkupit”, – thotë Pançev.

Për të janë të diskutueshme dhe të pabaza edhe përpjekjet maqedonase me arsyetimin tjetër për ngadalësimin e ndryshimeve kushtetuese, për shkak se Bullgaria nuk paska qeveri të rregullt me të cilën të negociohet:

Sepse, Maqedonia e Veriut duhet t’i zbatojë angazhimet dhe detyrimet që burojnë nga Korniza Negociuese dhe nga Traktati për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, që janë ratifikuar nga institucionet relevante maqedonase. Negociata të reja për këto angazhime nuk do të ketë dhe nga Shkupi zyrtar priten vetëm veprime reale për zbatimin e tyre. Mosrealizimi do të sjellë vetëm vonesa të reja në rrugën drejt BE-së”.

Anton Pançev, në prag të kësaj vizite, ngre edhe çështjet lidhur me Korridorin VIII që, rikujton ai, “ka rëndësi strategjike edhe për mbrojtjen e vendeve të NATO-s dhe të BE-së”, e që Shkupi zyrtar   po e vë në pikëpyetje:

“Shqetësime në Bullgari shkaktojnë edhe planet e qeveritarëve të rinj në Shkup të pezullojnë, madje edhe t’i japin fund Korridorit 8, që duhet ta lidhë Bullgarinë me Shqipërinë dhe Italinë. Me këtë projekt janë angazhuar edhe BE-ja dhe SHBA-të, sepse ky korridor ka rëndësi strategjike edhe për mbrojtjen e vendeve të NATO-s dhe të BE-së”, – vlerëson Pançev duke nënvizuar se nga Shkupi priten veprime konkrete e jo arsyetime

“Prandaj, institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të veprojnë në mënyrë aktive për realizimin e premtimeve dhe angazhimeve, me të cilat u ngarkuan me dokumente zyrtare dhe janë me karakter ndërkombëtar. Variante të tjera nuk ka, sepse ndryshime në qëndrimin bullgar nuk mund të ketë, ndryshime në Kornizën e negociatave, gjithashtu nuk mund të ketë, dhe çdo deklaratë nga ndonjë politikan në Shkup që ndryshime të tilla qenkan të mundshme, nuk përkon  me realitetin politik dhe juridik në BE dhe është manipulim me shoqërinë maqedonase. Faktikisht, politikanët, gazetarët dhe ekspertët bullgarë që nga fillimi kanë pasur shumë dyshime që qeveria dhe presidentja e re e Maqedonisë së Veriut do të ndërmarrin veprime pozitive dhe do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, sepse gjatë fushatës elektorale partitë dhe kandidatët maqedonas lëshonin shumë parrulla antibullgare. Por, nga ana tjetër, në Sofje ka moskuptim për sjelljen e koaliciont VLEN që është pjesë e pushtetit aktual. Përfaqësuesit e këtij koalicioni premtonin gjatë fushatës parazgjedhore se ata do të bëheshin garantë për eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut, por shpejt pranuan tezat e partnerëve të tyre maqedonas që shkatërrojnë procesin e integrimit”, – thotë. A. Pançev.

Marrëdhëniet Shkup-Sofje, pas zgjedhjeve të përgjithshme në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rënie të ndjeshme pikërisht për shkak të refuzimit të Qeverisë së re maqedonase që të bëjë ndryshimin e Kushtetutës dhe të fusë në të minoritetin bullgar, një kusht ky i vendosur nga BE-ja për zhbllokimin e procesit të integrimit të vendit në familjen evropiane.

 

Advertisement