Connect with us

Aktualitet

Historike! Kreshnik Leka merr medalje ari në Europianin e peshëngritjes Masters në Norvegji

Peshëngritësi shqiptar Kreshnik Leka ka arritur një rezultat historik në Norvegji duke marrë medalje ari në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Haugesund.

Peshëngritësi durrsak, që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, zhvilloi një garë të shkëlqyer duke i realizuar me sukses të tria provat, si në shkëputje ashtu edhe në shtytje.

Leka, ngriti 113 kg në shkëputje, 135 kg në shtytje, ndërsa në dygarësh në total shkoi në 248 kg duke marrë një rezultat fantastik.

“Në Kampionatin Europian marrin pjesë sportistët më të mirë dhe sigurisht që konkurrenca ishte e madhe. Jam shumë i lumtur që fitova këtë medalje ari. Është krenari e madhe që himni i Shqipërisë të luhej në këtë Europian. Dua të falenderoj edhe sponsorin tim kompaninë “Teuta”, që bëri të mundur pjesëmarrjen time, sepse shteti nuk jep asnjë shpërblim për medaljet për kategorinë Masters. Jam me fat që kam sponsor, sepse ndryshe do të ishte e pamundur pjesëmarrja ime në këtë aktivitet. Shteti duhet ta kthejë vëmendjen nga atletët veteranë në çdo lloj sporti. Për arritjet ndërkombëtare duhet të vendoset një shpërblim, qoftë dhe modest.”, tha drejtori i Klubit Shumësportësh “Teuta”, Kreshnik Leka, pasi mori medalje ari në Europianin Masters të Peshëngritjes në Norvegji.

Ka shumë atletë masters në Shqipëri, që duan të tregojnë veten në arenën ndërkombëtare, por nuk ka një ligj, që veteranët të shpërblehen nëse arrijnë në zonën e medaljeve.

Advertisement