Aktualitet
Fuga i përgjigjet Akademisë së Shkencave: Nesër do keni shkresat zyrtare
Kryesia e Akademisë të Shkencave paska reaguar sot me një deklaratë publike shumë konfuze për një teskt akademikësh ku pak a shumë shprehet se unë, pra Artan Fuga paskam thënë të pavërteta se ka përpjekje deputetësh, dy më saktë, që po iniciojnë një ndryshim ligjor që të krijojnë kushte që kryetari etj. të rizgjidhen përsëri në vijimësi për një mandat të dytë duke ndryshuar ligjin në fuqi.
Unë do të botoj deklarata publike të deputetit që ka qenë i angazhuar në këtë pikë. Pa merak.
Nesër do të keni edhe shkresat zyrtare që më vërtetojnë matematikisht, pra si një edhe një një që bëjnë dy, jo tre!
Me vjen keq që Kryesia e Akademisë humbet kohën kot sepse asnjë ofendim nuk kam bërë për asnjë deputet në deklaratën publike që shpreh projektin tim të mundësisë për të kandiduar.
Dhe sa më shumë nga të tilla reagime lincuese, me të cilat jam mësuar, aq më shu_më rritet vendosmëria për të kandiduar!
Pse shqetësohen? Sigurisht që kundërshtimi im si qytetar dhe akademik kundër këtij ndryshimi ligjor është e drejta ime që nuk e heq dot as Zoti jo më kryesia e Akademisë së Shkencave, megjithë konsideratat e mia të larta për të !
Por si fillim pyes : a gënjen Artan Fuga apo media dhe shkresat për faktin e relatuar?
Publiku mund ta shohë! Lutem të ruhet edukata dhe etika e ligjërimit!
Faleminderit!
——-
Dokumenti/ Ndryshon ligji i Akademisë së Shkencave, Gjinushi drejt mandatit të dytë. Si ndryshoi qëndrimi i Ramës
Fatmira Nikolli | 18 Janar, 2023
Skënder Gjinushit i hapet udhë për t’u rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat të dytë, menjëherë pas përfundimit të mandatit të tanishëm. Një grup deputetësh kanë propozuar ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”. Me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”, ku siç shihet është hequr togfjalëshi, por jo radhazi”.
Ligji i miratuar vetëm 4 vite më parë ndryshon tepër shpejt, ndonëse i parapriu gjithë zhurmës mbi nevojën për një reformë, dhe kritikave të shumta, për kryetarë e zgjedhje farsë çka çoi drejt penalizimit deri edhe në buxhetet shtetërore në institucionin. E megjithatë, vetëm 4 vite më pas, kthehemi të besojmë se kryetari duhet të ketë dy mandate radhazi.
Kur Skënder Gjinushi u zgjodh për të drejtuar Akademinë e Shkencave në vitin 2019, ardhja e tij në krye të institucionit më të rëndësishëm të shkencës, pasoi një kohë të gjatë debati e akuzash nga ana e kryeministrit të vendit Edi Rama, që e cilësonte akademinë, një godinë vakish, që hapej vetëm për ceremoni mortore çka e bënte sipas tij, Çabejn të rrotullohej në varr. Përplasja e qeverisë me institucionin shkencor, qe nxitur nga rrokada mes Muzafer Korkutit dhe Gudar Beqirajt në pozicione drejtuese. Me marrjen e Akademisë nga Gjinushi, ish ministër nën Ramiz Alinë, ish aleati i Ramës që la partinë për akademinë, Kryeministri i vendit, hapi thesin e fondeve dhe u rikthye të besojë se nën lidershipin e Gjinushit, “dikush i asaj kohe akademike mund të garantojë këtë kohë”.
Ndryshimet ligjore që u bënë pikërisht për të shmangur rrokadën duket po zhbëhen për të sjellë jetëgjatësinë e një drejtuesi në një post.