Connect with us

Aktualitet

Inspektimet sipas standardit të BE-së? Kryeinspektori i Përgjithshëm: Ja çfarë do të ndodhë me ushqimin dhe territorin

Pezullim i AKU, lirim i hapësirave publike apo aksion ndaj ndërtimeve pa leje. Këto janë frazat më të dëgjuara të ditëve të fundit nga Kryeministri dhe autoritetet. Por në fakt bëhet fjalë për një reformë që ka nisur që një vit më parë dhe janë miratuar disa ligje dhe vendime të qeverisë për riorganizimin e inspektorateve sipas modelit të Bashkimit Europian.

Inspektoratet nuk do të varen nga ministritë dhe emërimet e inspektorëve nuk do të varen më nga politika, por nga Inspektorati i Përgjithshëm, i cili do të ketë pjesë të tij edhe ish-AKU, specialistët e mbrojtjes së territorit dhe atij shëndetësor. Kjo reformë u paralajmërua një vit më parë nga Kryeministri Edi Rama.

Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari ka shpjeguar në një intervistë për Top Channel gjithë punën njëvjeçare për reformimin e inspektorateve. Ligji i ri i inspektimeve do të ulë numrin e kontrolleve në biznese. Gjithashtu, për herë të parë inspektorët, para se të vendosin gjobë, do të këshillojnë, paralajmërojnë biznesin. Sepse qëllimi nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi.

“Tre bëhen inspektorate të mëdha. AKU bashkohet me AKVMB, peshkimin dhe të bimëve, dhe bëhet një inspektorat, pra ulet numri i inspektimeve ku do të shkojnë katër inspektorë. Dhe rrit përqendrimin. IKMT bëhet një inspektorat i madh dhe ka brenda vetes mbrojtjen e territorit, pyjet, ujërat, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore dhe zonat e mbrojtura. Pra bashkohen bashkë, ulet barra ndaj biznesit. Inspektorati i shëndetësisë do të bashkohet pjesërisht me inspektimin e barnave dhe rrethimeve”, shprehet Hajdari.

Kryeinspektori, Shkëlqim Hajdari, thotë se ka marrë fund koha kur institucionet që duhet të garantojnë siguri ushqimore drejtoheshin nga juristë apo elektricistë. Në krye të inspektorateve do të vendosen vetëm specialistë të fushës përkatëse. Ndërsa kushtet janë gati, sipas Hajdarit, edhe për ndërtimin e një sistemi online me kamera në kohë reale, për të mbuluar të gjithë kantieret e ndërtimit në Shqipëri.

“Nëpër inspektoratet shqiptare nuk do të ketë më njerëz që arsimin nuk e lidhin me inspektimin. Pra do të ketë inxhinierë: inxhinier mjedisi, inxhinier ushqimi, inxhinier pyjesh dhe arkitektë.”

Ligji i Inspektimit vjen si direktivë e BE-së. Por që ky ligj të nisë menjëherë funksionin e tij, më parë duhet që qeveria të miratojë 11 aktet nënligjore, e për këtë duhet të nxitojë, sepse në të kundërt do të gjendemi para një kolapsi ligjor.

“Reforma e nivelit europian që është pjesë e integrimit të Shqipërisë është meritë e Kryeministrit Edi Rama, ku e gjithë trupa e inspektimit do t’i bëjmë autonome. Ne do të pranojmë rrezikun që në këtë pjesë të shërbimit nuk ka punë partia, por profesionistët, dhe do të shporren njerëzit që e kanë parë inspektimin si mjet fitimi.”

Në vitin 2026 pritet që të nisë ndërtimi i godinës së re multifunksionale prej 11 katesh të Inspektoratit të Përgjithshëm, për akomodimin e 750 inspektorëve, nga 1500 gjithsej. Ku do të përfshihen drejtoritë qendrore të tyre dhe drejtoria rajonale e Tiranës, si dhe vende magazinimi me kushte laboratorike për mbajtjen, ruajtjen dhe administrimin e mostrave të marra për analiza gjatë procesit të inspektimit.

Me këto ndryshime, kryeinspektori Hajdari përcakton se nuk do të ketë largime nga puna të inspektorëve aktualë, bazuar në formimin profesional dhe performancën e tyre në punë./ Top Channel

Advertisement