Connect with us

Ekonomi

Investimet e huaja këtë vit kanë rënë me 14%

Investimet e Huaja Direkte arritën në 237 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar nivelin më të lartë deri tani gjatë vitit 2020.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja, edhe këtë vit, po qëndrojnë në vlera të konsiderueshme, megjithëse në rënie krahasuar me vitin 2019. Për nëntë muaj, ekonomia shqiptare ka thithur 697 milionë euro investime të huaja, në rënie me 14% krahasuar me vitin e kaluar.

Rënia e investimeve të huaja ishte e pritshme, për shkak të përfundimit të gazsjellësit Trans Adriatik, projekti më i madh i investimeve të huaja realizuar në Shqipëri. Shpërthimi i krizës ekonomike i keqësoi edhe më shumë pritshmëritë rreth Investimeve të Huaja Direkte.

Megjithatë, shifrat tregojnë se Investimet e Huaja Direkte kanë vijuar. Të dhënat sektoriale për tremujorin e tretë nuk janë ende të disponueshme, megjithatë besohet se sektorë si energjetika dhe industria nxjerrëse vazhdojnë të thithin investime të konsiderueshme, kryesisht si vijimësi e projekteve ekzistuese. Për gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja u dominuan nga energjetika, industria nxjerrëse dhe shërbimet financiare.

Sektori energjetik ka dhënë shtysën kryesore për rritjen e Investimeve të Huaja Direkte në dekadën e fundit. Veç gazjellësit TAP, të tjera projekte të mëdha kanë qenë ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës nga kompanitë austriake Verbund dhe EVN, ndërtimi i hidrocentraleve të Banjës dhe Moglicës nga norvegjezët e Statkraft apo HEC-et e Fangut dhe Peshqeshit në Mirditë, nga kompania turke Ayen Energy. Edhe mes HEC-eve më të vogla që janë ndërtuar në dekadën e fundit, disa syresh i takojnë investitorëve të huaj, sidomos italianë.

Një kontribut të rëndësishëm në ecurinë e investimeve të huaja edhe këtë vit po japin fitimet e riinvestuara. Për nëntë muaj, ato kishin vlerën e 285 milionë eurove, që përbën afërsisht 41% të gjithë flukseve të investimeve të huaja direkte në vend. Ky fakt dëshmon ndikimin e konsiderueshëm të investitorëve ekzistues. Nëse investimet totale ranë me 14%, fitimet e riinvestuara pësuan një rënie me vetëm 4%.

Fitimet e riinvestuara kanë një peshë të rëndësishëm në sektorë strategjikë si ai bankar, i telekomunikacioneve, si edhe në industrinë nxjerrëse. Kriza ka bërë që shumë biznese të vendosin të kapitalizojnë fitimet e akumuluara, për të shëndoshur bilancet dhe për t’i paraprirë goditjeve të mëtejshme të krizës, sidomos në sektorin financiar

Monitor/

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *