Ekonomi
Investimi 2.2 Milionë Euro Impakt në Mbrojtjen e Mbi 5 Mijë Ha Pyje
Më shumë se gjysma e sipërfaqes së Shqipërisë është pyje dhe kullota.
Mbrojtja dhe shtimi i tyre, jo vetëm përmirëson burimet natyrore, por zbut efektet e ndyshimeve klimatike, hap vende të reja pune dhe gjeneron të ardhura për banorët e zonave rurale.
Një financim i Bankës Botërore, GEF dhe SIDA-s suedeze me vlerë 2.2 milionë euro ka mbështetur me grante shoqatat e pyjeve që të menaxhojnë më mire pyjet e kullotat, mbrojnë mjedisin dhe rrisin sipërfaqet e gjelbra.
Këto investimet kanë forcuar në të njëjtën kohë kapacitetet vendore si dhe kanë fuqizuar ekonomikisht edhe gratë.
Sot në 17 tetor, Ditën e Luftës kundër Varfërisë këto projekte marrin një vlerë të veçantë me kontributin e shumëfishtë që sjellin në jetën e komuniteteve dhe përmirësimin e burimeve natyrore.
Erion Estrefi, përfaqësues i Ministrisë së Turizmit shprehet “Qeveria shqiptare me procesin e decentralizimit rreth 80% e sipërfaqes pyjore dhe kullosore të vendit janë transferuar në pronësi të bashkive. Me mbështetjen e këtij projekti është përmirësuar menaxhimi dhe janë shtuar sipërfaqet pyjore”.
Menaxhimi i Pyjeve
“Kjo është bërë e mundur përmes mbështetjes me grande nga projekti për fermerët dhe shoqatat e përdoruesve të pyjeve dhe kullotave të cilët nuk e kanë ndalur punën e tyre edhe gjatë periudhës së pandemisë”- tha Estrefi.
Projekti i menaxhimit të pyjeve nga bashkitë ka një rol të rëndësishëm. Bashkia jep mbështetje për projektet e shoqatave që aplikojnë për grande. Kur flitet për shtimin e pyjeve kemi parasysh për nisma që bëjnë të mundur ndalimin e erozionit dhe shtimin e sipërfaqeve pyjore. Nxitja e këtyre projekteve ka një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e fondit pyjorë dhe rritjen e punësimit.
Konkretisht shoqata e pyjeve në Elbasan është përfituese dy granteve nga ky projekt. Me mbështetjen financiare janë shtuar sipërfaqet e mbjella me fidanë të rinj pyjor në zonën e Bradasheshit dhe është ndërtuar prita në luginën e lumit Shkumbin që mbrojnë nga erozioni shkollën, rrugën automobilistike, 5 ha tokë dhe 35 shtëpi banimi.
Projekti
Projekti ka ndërhyrë në zonat e thella malore ku 70-80% e popullsisë janë të vetëpunësuar dhe me të ardhura të pakta nga emigracioni ndaj këto investime kanë rikthyer tek komuniteti shpresën për rritjen e mundësive të punësimit dhe rritjen e të ardhurave.
Ky projekt i ka dhënë prioritet angazhimit të grave në sipërmarrje duke shënuar një hap të rëndësishëm në angazhimin e gruas në sektorin e pyjeve që nuk ka qenë më parë.
386 ha me pyje të reja janë shtuar nga ky projekt, ndërsa 4234 ha të sipërfaqes pyjore dhe 533 ha kullota janë mbrojtur nga dëmtimet e ndryshme./ATSH