Shkrime
Irlanda e Veriut – Mësime për Kosovën/ Nga Timothy Less
A ofron Irlanda e Veriut një zgjidhje për problemin e veriut të Kosovës, siç kanë lënë të kuptohet disa diplomatë? Ndoshta – dhe jo vetëm sepse të dyja janë “veriore” dhe të diskutueshme.
Por mbetet pyetja se çfarë do të thotë kjo për Kosovën? Kur diplomatët flasin për “zgjidhjen e Irlandës së Veriut” për statusin e veriut të Kosovës, pa dyshim që kanë parasysh një farë analogjie me marrëveshjen e të “Premtes së Mirë”. Kosova veriore mbetet pjesë e Kosovës, edhe pse merr autonomi formale, dhe sovraniteti mbi këtë rajon “ndahet” nga Beogradi dhe Prishtina, ndërsa Serbia e njeh zyrtarisht të gjithë Kosovën, si në veri ashtu edhe në jug. Kështu duket mirë – përveç se ka tre probleme themelore me këtë zgjidhje.
Së pari, çështja e Irlandës së Veriut dhe e Kosovës veriore nuk janë të njëjta dhe zgjidhja e bazuar në marrëveshjen e “Premtes së Mirë” nuk është e zbatueshme.
Problemi i dytë është se çdo zgjidhje sipas së cilës Kosova veriore mbetet pjesë e shtetit të pavarur të Kosovës nuk është e pranueshme për Serbinë, e cila nuk është nën ndonjë presion të veçantë për të ndryshuar qëndrimin e saj, përveç refuzimit të Bashkimit Evropian për ta pranuar atë si anëtare.
Qeveria e Serbisë ka treguar se kushti i saj për njohjen e Kosovës është integrimi i plotë i veriut me pjesën tjetër të Serbisë dhe, siç tregojnë qartë anketat e opinionit publik, edhe kjo është jashtëzakonisht e diskutueshme. Prandaj, zgjidhja e nevojshme për një ndryshim të vogël në qëndrimin e qeverisë së Kosovës, që do të nënkuptonte se veriu mund (ndoshta) të bëhet pjesë e komunitetit të komunave serbe në këmbim të njohjes nga ana e Serbisë për të gjithë Kosovën – nuk mund të na nxjerrë nga balta.
Sigurisht, publiku serb nuk është pengesa e vetme për një zgjidhje të bazuar në ndarje. Shqiptarët, si dhe shumica e diplomatëve evropianë, të cilët janë “alergjikë” ndaj ndryshimeve të kufijve, sidomos në bazë të parimeve etnike, e kundërshtojnë këtë për arsye të ndryshme.