Connect with us

DOSSIER

Pse i besoi kryeministri fjalëve të Enverit

Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Në familjen Shehu nuk priteshin ngjarje të tjera tragjike: Në bisedat telefonike nuk është konstatuar apo ndier ndonjë shqetësim për ndonjë ngjarje të mundshme që mund të pasonte pas prishjes së fejesës. Duket se tek ata ishte besuar falja e thënë nga Enveri, se “gabimi është korrigjuar”. Nga larg dhe nga komunikimi me anë të letrave dhe bisedave telefonike Skënderi nuk mundonte dhe sa mund t‘i shkonte mendja në ngjarje tragjike që mund të ndodhnin për babanë ose pjesëtarët e tjerë të familjes.

“Në bisedat telefonike, edhe ditët e fundit apo letrat që më dërgonte, babai nuk më la të kuptoja se mund të kryente një akt të tillë. Unë nuk dija gjë për vdekjen e babait, më thanë se kisha një të sëmurë në shtëpi dhe se duhej të nisesha për Tiranë. Kur mbërrita këtu, mësova se ç‘kishte ndodhur“.

Gjurmimi i të dyshuarve për veprimtari armiqësore

Gjurmimi i të dyshuarve për veprimtari armiqësore ishte detyra kryesore e Sigurimit të Shtetit. Për këtë qëllim bëhej evidentimi dhe ndjekja operative e të dyshuarve sipas rregullave të përcaktuara në Platformën e Punës Operative të miratuar nga Byroja Politike e PPSH-së. Normimi i kësaj veprimtarie nga ky forum partiak dëshmon për rolin parësor të partisë në ndjekjen dhe dënimin e kundërshtarëve politikë të regjimit. Miratimi nga partia i këtyre rregullave argumentohej si e drejtë e partisë bazuar në rolin e saj udhëheqës të sanksionuar në vitin 1976 në Kushtetutën e RPSSH-së. Miratimi i rregullave me fuqi detyruese shtetërore nga një forum partiak është në kundërshtim me parimet e përgjithshme të shtetit dhe së drejtës, të ndërtimit të shtetit të bazuar në kushtetutë dhe ligje.

Normat me fuqi detyruese për institucionet shtetërore, përfshirë edhe agjencitë e agjenturës, kërkohet të jenë të miratuara me ligj të veçantë nga Kuvendi. Prandaj shmangia nga parimet e njohura të shtetit të së drejtës përbën në fakt një shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive të njeriut.

– Sigurimi i Shtetit ishte arkivi zyrtar sekret i biografisë së shtetasve shqiptarë

Në çdo shtet ka rregulla për mbajtjen e të dhënave personale të shtetasve. Këto rregullohen me ligj. Administrimi dhe përdorimi i tyre në shtetet demokratike u nënshtrohet kritereve të rrepta ligjore të të drejtave dhe lirive të njeriut për privatësinë e të dhënave personale dhe ruajtjen e sekretit të tyre nga organet shtetërore. Në pushtetin popullor të dhënat biografike administroheshin kryesisht nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ato u mbivlerësuan dhe u bënë bazë e punës së Sigurimit të Shtetit. Të dhënat biografike u shfrytëzuan për ndjekien, persekutimin dhe dënimin e kundërshtarëve politikë. Dihet se Sigurimi i Shtetit kishte nën kontroll të fshehtë, ndiqte e verifikonte me imtësi, vepronte në mënyrë të hapur dhe të fshehtë me funksionet e tij agjenturore, kishte marrë fuqinë e madhe që të vendoste për fatin e shtetasve për çdo të dhënë që mund të kishte rëndësi për bindjet ideologjike dhe qëndrimet politike.

Ai ishte organi që vendoste faktikisht për të mbledhur informacione, të dhënat biografike dhe për të përcaktuar qëndrimet e rëndësishme partiake dhe shtetërore. Prej këtij organi agjenturor merreshin të dhënat dhe kërkohej zytarisht mendim për qëndrimin e garancitë politike, të cilat kërkonin të garantohej besueshmëria e personit, si dhe të përjashtonin dëshirën dhe të mos linin asnjë dyshim për mundësinë e arratisjes jashtë shtetit për personat për të cilët bëhej kërkesë zyrtare dhe parashikohej se do të dilnin jashtë shtetit, përfshirë edhe sportistët, për aktivitete sportive.

Në bazë të rregullave të normuara në urdhra, udhëzime e rregullore dhe të një procedure të rreptë të njohur ligjore dhe normave nënligjore të panjohura të punës agjenturore të fshehtë nga Sigurimi i Shtetit dhe Policia, në çdo rast bëheshin verifikime për të sqaruar qëndrimin aktual dhe rrezikshmërinë e personit që diskutohej për të dalë jashtë shtetit. Pas verifikimit, duke filluar nga familja, lagjja, qendra e punës, shkolla, të dhënat e agjenturës etj., vendosej dalja jashtë shtetit.

Lejimi për të dalë jashtë shtetit ishte një dëshmi tjetër me shumë rëndësi që tregonte se personi nuk kishte aktualisht asnjë dyshim për ndonjë aktivitet armiqësor dhe nuk paraqiste rrezikshmëri për qëndrimin e tij, në rast se do të shkonte jashtë shtetit. Kjo dëshmonte edhe për sigurinë se personi do të kthehej përsëri dhe nuk do të kërkonte strehim politik në shtetet perëndimore.

– Arkivi Qendror i Komitetit Qendror ruante dokumentet e personaliteteve më të rëndësishme dhe gjithë anëtarëve të PPSH-së

Arkivi i Partisë ishte qendra sekrete dhe më e rëndësishme ku ruheshin dokumentet partiake me të dhëna personale, si dhe ato me dyshime për veprimtari spiunazhi në shërbim të zbulimeve të huaja. Udhëheqësi ishte i interesuar, kërkonte, mblidhte e ruante çdo të dhënë të zbulimeve të huaja. Njohja dhe studimi i këtyre të dhënave ndihmon të njihen sekretet e partisë-shtet, si dhe të veprimtarisë intensive të zbulimeve të huaja për të depërtuar, për të marrë të dhëna për ndikimin me anë të agjenturës së fshehtë në punën, gjendjen e marrjen e vendimeve nga udhëheqja e kohës.

Kuadrot më të rëndësishëm e më të suksesshëm, si dhe ata më të dyshuarit e të dënuarit kanë qenë objektivi parësor i agjenturave për të rekrutuar, për të dëmtuar dhe deri në ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Veç Arkivit Qendror, në kasafortën e zyrës dhe atë të shtëpisë së tij Enver Hoxha ruante dokumentet që i përdorte në kohën që mendonte më të përshtatshme, sidomos për të goditur apo paralizuar kundërshtarët e tij politikë.

Me urdhër të Enverit, në kasafortën e zyrës së Hysni Kapos ruheshin dokumentet e ardhura nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë, në Austri, me të dhënat për veprimtari spiunazhi të Mehmet Shehut. Arkivi i Partisë ruante dokumente për të gjithë, përfshirë edhe Nexhmije Hoxhën. Në një dokument të vitit 1952 Enver Hoxha bënte të njohur se Nexhmije Hoxha kishte qenë anëtare e Partisë Fashiste gjatë pushtimit të Shqipërisë. Në diskutimet për kandidaturat për anëtarë të Komitetit Qendror ai ka theksuar se Nexhmija kishte qenë vetëm një herë në këtë parti.

Dokumenti i këtij fakti tregon për saktësinë e dokumenteve, ruajtjen e të dhënave, sqarimin e dyshimeve apo të ndonjë mendimi që mund të cilësohej si problem për gruan e udhëheqësit kryesor. “Biografinë shoqja Nexhmije e ka të mirë, vetëm një herë ka qenë në GLA. Rrjedh nga shtresë nëpunësi të ulët. Që kur ishte e re ka punuar kundra italianëve dhe bënte pjesë në grupin komunist të Shkodrës. Vazhdimisht ka punuar me rininë dhe gjatë kohës që është hedhur në ilegalitet ka punuar edhe në forume. Çështjet i kupton mirë, vetëm se duhet të bëjë më shumë përpjekje për ngritjen e saj dhe të punojë me më shumë vullnet se shumë herë i heq zvarrë çështjet. Asaj i duhet gjithashtu të përmirësojë edhe metodën e punës, pse merret me shumë gjëra të vogla. Gabime në vijë nuk bën pse është edhe vigjilente. Një e metë e saj është se pak i ka ndihmuar vartësit e saj dhe shumë pak ka shkuar në terren. Ajo duhet të bëjë më shumë përpjekje për lartësimin e saj pse është në sektorin e agjitpropit dhe megjithatë nuk hap shumë libra me dorë dhe gjithnjë e sheh me shkresa. Kështu, sigurisht që nuk mund të kalohet me njerëzit e agjitpropit. Këto të meta ajo i ka, po ne mendojmë se i ka garancitë për të qenë në listë.”

Advertisement