Politike
Ish-prokurori flet për vizitën e Dumanit në SHBA: Në Shqipëri duhet të shqetësohen

Ish-prokurori Eugen Beçi komentoi vizitën e kreut të SPAK Altin Dumani në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku pritet të takohet me një zyrtar të lartë për cështjet evropiane dhe euroaziatike.
Beçi tha se vizita konfirmon mbështetjen e administratës së re Trump për Prokurorinë e Posaçme, por lidhet nga ana tjetër me interesat e SHBA sa i përket çështjeve të caktuara që ata duan të luftojnë.
“Nga pikëpamja diplomatike, ligjore në Shqipëri, ky takim shihet në disa drejtime. Së pari, programi është bërë në një periudhë shumë më të hershme, sigurisht në administratën Trump, ndaj edhe në Shqipëri duhet të shqetësohen se administrata Trump po i jep një mbështetje direkte.
Ky takim jep disa mesazhe: të mbështes, të jap besim, por në fund dhe të orientojnë. Orientimet nuk jepen me emra konkretë, por do të tregojnë drejtimet e politikave amerikane. Ka edhe një pjesë tjetër, u jepet kurajë prokurorëve të SPAK-ut.
Por mos harrojmë që qeveria amerikane do të nxjerrë orientimet e saj sa i përket interesave të drejtpërdrejta, të cilat kanë qenë të ndryshme në periudha të ndryshme. Këto do t’i jepen në mënyrë të drejtpërdrejtë si mesazh për Dumanin.
Orientimi mund të jetë në lidhje me luftën kundër narkotrafikut, duke e trajtuar si luftë kundër terrorizmit, apo kundër organizatës Soros. Ky zyrtar i lartë amerikan do të japë orientimet që vijnë nga administrata Trump: lufta kundër narkotrafikut si pjesë e luftës kundër terrorizmit, dhe lufta kundër organizatës së Soros-it”, tha Beçi.

