Connect with us

Bota

Italia i ‘rrëmben’ taksapaguesit milionerë të Francës, rindizet ‘sherri’ Meloni-Macron

Ka zgjatur pak armëpushimi mes Giorgia Melonit dhe Emmanuel Macronit. Ngrohtësia e takimit dypalësh të qershorit, me shtrëngime duarsh dhe buzëqeshje formale, është zbehur shpejt. Tensioni mes Romës dhe Parisit shpërtheu sërish dje, duke kapërcyer çdo kufi të pritshëm.

Shkëndijën e ndezën deklaratat e kryeministrit francez François Bayrou. Bayrou e cilësoi Italinë si shembull të një vendi që praktikon “dumping fiskal”. Ai akuzoi Italinë për konkurrencë të pandershme, që rrezikon të boshatisë Francën nga taksapaguesit e saj më të pasur. Një sulm i drejtpërdrejtë dhe i papritur, që vjen në një moment kur qeveria franceze po përballet me dobësitë e saj të brendshme. Më 8 shtator pritet votëbesimi vendimtar për mbijetesën e maxhorancës. Në këtë klimë pasigurie, Bayrou zgjodhi të hapë një front të ri të jashtëm.

Përgjigjja nga Palazzo Chigi erdhi brenda një ore. Një deklaratë e shkurtër, disi e matur, por që tregon vetëm një pjesë të së vërtetës. “Deklaratat janë befasuese dhe krejtësisht të pabazuara,” thuhet në të. Burime qeveritare zbulojnë se Meloni është “e tërbuar”, ashtu si disa ministra dhe zv.ministra. Ajo do të donte të përgjigjej me ton edhe më të ashpër, por zgjodhi të mos e teprojë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit rreth Traktatit të Quirinales dhe për të mos i dhënë Parisit në vështirësi pretekste të reja polemike.

Italia nuk është parajsë fiskale

Kundërpërgjigjja italiane është e qartë: Italia nuk është tokë e parajsave fiskale. “Ekonomia jonë është tërheqëse falë stabilitetit dhe besueshmërisë. Nuk ndjekim politika favorizuese. Me këtë qeveri, tarifa fikse për ata që zhvendosin rezidencën në Itali është dyfishuar krahasuar me 2016-ën,” thuhet në komunikatë. Më pas vjen goditja: Roma fton Parisin të bashkohet në luftën kundër parajsave të vërteta fiskale brenda BE-së, të cilat prej vitesh u rrëmbejnë miliarda shteteve të tjera.

Italia u ofron banorëve të rinj një taksë të sheshtë prej 200,000 eurosh në vit mbi çdo të ardhur. Ndërkohë, profesionistët që kanë jetuar jashtë vendit për të paktën dy vjet tatohen vetëm mbi 50 përqind të të ardhurave të tyre.

“Ekonomia italiane është tërheqëse dhe po performon më mirë se të tjerat falë stabilitetit dhe besueshmërisë së vendit tonë”, tha Meloni. Deficiti i Italisë ra nga 7.2% në vitin 2023 në 3.3% këtë vit. FMN parashikon një rritje prej 0.5% këtë vit për Italinë, pas 0.6% për Francën dhe 2.5% për Spanjën.

Meloni akuzoi gjithashtu vendet e tjera evropiane se janë parajsa fiskale dhe se i shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike Italisë.

Franca ka një nga deficitet më të mëdha buxhetore në Evropë, që pritet të arrijë në 5.4 përqind të PBB-së këtë vit. Vendimi i Bayrou për të thirrur votimin ka trazuar tregjet dhe ka rritur kostot e huamarrjes në Francë, ndërsa investitorët parashikojnë një periudhë tjetër të paqëndrueshmërisë politike.

Mosmarrëveshja vjen ndërsa hendeku midis kostove të huamarrjes afatgjata të Italisë dhe Francës ngushtohet për herë të parë që nga kriza financiare globale. Kjo vjen pas një tjetër përplasjeje muajin e kaluar midis Presidentit Francez Emmanuel Macron dhe Zëvendëskryeministrit të Italisë Matteo Salvini mbi dërgimin e trupave evropiane në Ukrainë.

Nëse Bayrou bie, Macron do të mbetet në kërkim të kryeministrit të pestë të mandatit të tij të dytë. Vitin e kaluar, presidenti thirri dhe humbi zgjedhjet e parakohshme legjislative, duke rezultuar në një parlament të ndarë pa shumicë të qartë, duke rritur paqëndrueshmërinë politike në një kohë kur Franca duhet të marrë vendime të vështira në lidhje me borxhin e saj në rritje./Pamfleti

Advertisement