Connect with us

Kosova

James Rubin trondit Hagën: Kjo është padrejtësi historike ndaj luftës së Kosovës

Vazhdon në ditën e dytë dëshmia e James Rubin në Hagë, në mbrojtje të ish-drejtuesve të UÇK-së që mbahen prej pothuajse 5 vitesh në paraburgim me urdhër të Gjykatës Speciale. Rubin e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, tha ai. Sipas Rubin, kjo s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe, sipas tij, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur ka formuar Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

“Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi”, shtoi ai. “Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”.

James Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.

Sipas artikullit të lexuar nga prokurori, Hashim Thaçi drejtoi fushatën e vrasjes së disa komandantëve. Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.

Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.

“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha ai.

Rubin, u pyet në Gjykatën Speciale nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së.

“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport”, është shprehur Rubin.

“Sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh”, ka thënë ai.

“Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti”, ka shtuar Rubin.

Ai ka thënë se raportet e Kryqit të Kuq i konsideronte më të besueshme.

Më herët, Rubin pohoi se mund të jetë në dijeni të raporteve nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilat shkruanin se UÇK-ja ishte përgjegjëse për vrasje, ndalime, rrëmbime edhe të civilve shqiptarë.

Prokurori e pyeti për disa artikuj specifikë në gazetat e asaj kohe për vrasje dhe arrestime të disa individëve.

Megjithëse ai shtoi se nuk i kujtohen raste specifike që janë shkruar në raprote apo në mediat ndërkombëtare pas më shumë se 20 vjetësh.

I pyetur nëse kishte dëgjuar të thuhej se UÇK-ja po kryente krime, gjatë kohës që Rubin po përcillte konfliktin në Kosovë, ai tha se nëse do të kishte dëgjuar, do t’i mësonte, por shtoi se “disa gjëra u shfaqën pas luftës”.

Kush është James Rubin?

James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.Aktualisht, ai shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë, si dhe dëshmi të tjera u dhanë me shkrim. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u bë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Advertisement