Connect with us

Politike

Jemi absolutisht të bindur që kjo është zgjidhja e duhur.

Përshëndetje të gjithëve!
Në rradhë të pare më lejoni të shpreh kënaqësinë që jemi këtu sëbashku në një shkollë të rindërtuar nga bashkia e Lezhës, një shkollë që ishte në një gjendje goxha të vështirë, si shumë shkolla në Shqipëri e që si shumë shkolla në Shqipëri, tanimë është rindërtuar. Ndërkohë që, përpjekja për të rindërtuar shkollat ekzistuese që ende kanë nevojë për ndërhyrje dhe për të rindërtuar shkollat që për fat të keq u rrënuan në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar, vazhdon çdo ditë pa pushim.
Sot jemi këtu për të çuar përpara një nismë të qeverisë sonë, të ministrisë së arsimit, në mbështetje të nxënësve të cilët janë ende në klasat kolektive. Klasat kolektive janë një problem i madh, një problem i trashëguar nga e shkuara që ka ardhur duke u zbutur, por që vazhdon të jetë prezent sot e gjithë ditën, duke faktikisht i pamundësuar fëmijëve që i frekuentojnë këto klasa që të kenë një trajtim të barabartë në procesin e mësimnxënies me fëmijët e tjerë, të cilët kanë mundësinë që të frekuentojnë klasat sipas moshës dhe pranë vendbanimit të tyre. Por nga ana tjetër, siç e tregon dhe kjo nismë, çdo krizë me të cilën ne detyrohemi të përballemi është edhe një mundësi.
Çdo pengesë është dhe një stimul, çdo mur që na del përpara nxit imagjinatën tonë dhe mobilizon qenien tonë për të bërë një sforco më shumë për të arritur ta kapërcejmë. Faktikisht nisma për dixhitalizimin e plotë të klasave kolektive e për t’ju dhënë mundësi fëmijëve që shkojnë në klasat kolektive që të kenë akses në mësim, sipas moshës së tyre e këtë mësim ta marrin nga mësuesit më të mirë të Republikës së Shqipërisë, është faktikisht një nismë që kthen në mundësi pikërisht një krizë, e cila i ka rrënjët larg në të shkuarën e të cilët ne mund ta zgjidhim përfundimisht, duke dixhitalizuar mësimin në të gjithë rrjetin e fëmijëve që frekuentojnë klasa kolektive e duke i kthyer shkollat, klasat, stacionet ku këta fëmijë mblidhen, në pika ku ata bëjnë ato që janë realisht aktivitete që mund të bëhen bashkërisht. Aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin fizik, aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin artistik, aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin shoqëror, por jo aktivitetin e mësimmarrjes së tyre në të njëjtën klasë, me të njëjtin mësues, ku në një bankë mësuesi shpjegon librin e klasës së dytë dhe në një bankë tjetër librin e klasës së shtatë.
Jemi absolutisht të bindur që, jo vetëm kjo është zgjidhja e duhur, por dhe mundësitë, falë dhe partnerëve tanë që në këtë kohë të vështirë nxjerrin në pah dhe më mirë se në kohë të zakonshme vlerën e tyre, ta bëjmë këtë shpejtë, ta bëjmë këtë shumë mire, duke zgjidhur përgjithmonë një problem, të cilin në kohë të zakonshme, qeveri pas qeverish nuk e kanë zgjidhur dot dhe ne, për hir të vërtetës thjesht e kemi zbutur, por jo zgjidhur plotësisht.
Me këtë nismë, ne e zgjidhim këtë problem dhe u ofrojmë të gjithë fëmijëve të klasave kolektive siç thashë, akses cilësor në mësim, madje akses në mësim me mësuesit më të mirë të Republikës së Shqipërisë. Janë një grup, një skuadër mësuesish që janë zgjedhur nga më të mirët për të realizuar të gjithë këto programe, që natyrisht u vihen në shërbim të gjithëve, jo vetëm nxënësve të klasave kolektive për të përballuar këtë fazë kaq delikate e kaq të ngatërruar të jetës sonë kur kemi përballë një armik të padukshëm, i cili funksionon si një fuqi e natyrës, duke na dëmtuar dhe duke na penguar që ta shohim të nesërmen me qartësi.
Në këtë krizë, kjo që po ndodh me arsimin është e jashtëzakonshme, pikërisht për atë që sjell mbrapa, jo thjeshtë për atë që na jep sot, por për atë që sjell mbrapa sepse ky program i mësimdhënies dixhitale, nuk është se do të rreshtë kur beteja apo më saktë lufta me armikun e padukshëm të ketë përfunduar, përkundrazi, do të vazhdojë të zhvillohet dhe të sofistikohet, duke u bërë pjesë e pandashme e jetës arsimore e duke u dhënë mundësi jo vetëm nxënësve, por dhe mësuesve që të adaptojnë mësimdhënien e tyre, duke u nisur nga shembulli i më të mirëve, i mësueseve dhe mësuesëve më të mirë që punojnë dhe i realizojnë këto orë mësimi dixhitale, por duke u dhënë mundësinë dhe prindërve që në përpjekjen për të ndihmuar fëmijët të aktualizojnë dijet e tyre, të aktualizojnë njohuritë e tyre e të kenë ndihmën e drejtpërdrejtë të mësuesit, pa pasur nevojë të shkojnë e të takojnë mësuesin, gjë që edhe mund ta bëjnë, por që e bën të pamundur për mësuesin t’i gjendet të gjithë prindërve që do të donintë dinin ekzatësisht se çfarë duhet të bëjnë e si duhet të reagojnë për një çështje apo një çështje tjetër në përpjekjen për të ndihmuar fëmijën.
E fundit që kam, është në fakt kryesorja që shkon përtej temës që na ka mbledhur sot këtu që është mësimi dixhital në këtë kohë pandemie. E fundit që kam lidhet me sfidën e jashtëzakonshme e të përditshme të të gjithë sistemit arsimor, që nga ministrja, tek punonjësi më i fundit në sistem, duke kaluar përmes mijëra mësueseve dhe mësuesëve që çdo ditë duhet të përballojnë ngarkesën e dyfishtë apo të dyfishuar si rezultat i kësaj situate.
Ngarkesën e tyre të zakonshme për të gjithë procesin mësimor dhe edukativ dhe plus ngarkesën e jashtëzakonshme për të qenë dyfish prindër në raport me fëmijët, për të qenë vigjilent në çdo moment shumë më tepër se sa çdokush që njësoj si ata si qytetarë duhet të respektojnë distancat, duhet të mbajnë maskën, duhet të lajë duart sa më shpesh sepse jo vetëm janë në kontakt me shumë fëmijë, por përmes fëmijëve dhe me shumë familje. Por nga ana tjetër edhe sepse kanë detyrën më të vështirë të mundshme, që t’ja u bëjnë fëmijëve sa më të lehtë e sa më të kuptueshme të pakuptueshme, pse nuk duhet të përqafohen me njëri-tjetrin, pse nuk duhet t’i japin dorën njëri tjetrit, pse duhet t’i rrinë larg njëri – tjetrit, ndërkohë që fëmijët që në momentin e parë të lindjes, janë mësuar për të bërë krejt të kundërtën, për të qenë sa më afër nënës, për të qenë sa më afër babait, për t’u përqafuar me gjyshin e gjyshen, pastaj me shokët e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, është një sfidë e jashtëzakonshme për të garantuar në kushte të mundshme dhe më pak të mundshme, – fatmirësisht pjesa më e madhe e shkollave, por jo të gjitha i kanë kushtet që t’i respektojnë këto rregulla pa ndonjë vështirësi të madhe, shumica po dhe fatmirësisht dhe falë skuadrave të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave, rregullat po zbatohen më së miri nëpër shkolla, por edhe në shkolla ku kushtet janë më pak ndihmuese. Për të gjitha këto, unë besoj që mësuesit, mësueset, drejtuesit e shkollave, drejtuesi i arsimit, sot janë krahas mjekëve, pjesë e frontit të parë.
Nëse mjekët janë në vijën e zjarrit për të luftuar drejtpërdrejtë me virusin në organizmin e njerëzve, mësuesit janë në vijën e parë për të penguar që zinxhiri i infeksionit të shtrihet me shpejtësi dhe të prekë shumë njerëz.
Përfitoj nga rasti që të them se është momenti për t’u bërë të gjithë të vetëdijshëm se çfarë rreziku po kalojmë. Rreziku që po kalojmë është që të na duhet të mbyllemi përsëri. Një mbyllje e dytë do të ishte shumë herë më problem dhe me shumë më tepër pasoja se mbyllja e pare, në të gjitha aspektet për të gjitha kategoritë. Këtë rrezik ne mund ta shmangim duke mos shmangur atë që duhet të bëjmë në të përditshmen tonë, duke mos shmangur bezdinë (jo të vogël në fakt) të vendosjes së maskës sapo të dalim nga shtëpia, të mbajtjes së maskës kudo ku jemi jashtë shtëpisë, të ruajtjes së distancave në cdo situatë, të mos shkuarjes nëpër restorante e nëpër klube, kur nuk është e nevojshme vërtetë, të shmangies së grumbullimeve dhe të respektimit të tjerëve dhe të shëndetit të tjerëve, duke mos i prishur këto rregulla. Mund të vazhdoja akoma dhe mund të duken shumë, por janë vetëm 3. I tha edhe miku ynë që foli përpara meje. Të mbajmë maskën këdo, të ruajmë distancën dhe të lajmë duart sa më shpesh. Janë 3 gjëra të bezdisshme, në raport me forcën e zakoneve tona të krijuara në vite, po janë kaq të vogla në raport me dëmin e jashtëzakonshëm që mund të kemi nëse mbyllemi sërish që realisht  duhet që secili të kuptojë që ka rëndësi ajo që bën ai. Askush nuk duhet të niset me idenë që nuk jam unë aiajo që do ta sjellë mbylljen, “punë e madhe se nuk po e vë unë maskën”, “punë e madhe se nuk po i respektoj unë distancat”, “punë e madhe se nuk po i laj unë duart”. Për të mos thënë dhe diçka tjetër, e cila duhet thënë dhe nuk duhet harruar që kjo nuk është një lojë, nuk është një grip i zakonshëm dhe me gripin e stinës bashkësjell që vetvetiu e dobëson organizmin që sulmon. Virusi mund të jetë fatal.
Kështu që, ta bëjmë këtë gjë së bashku! Shumë mirënjohje, shumë respekt, shumë falënderime për të gjithë mësueset, për të gjithë mësuesit e Shqipërisë që sot realisht po japin një kontribut të posaçëm, jo thjeshtë për mirërritjen dhe të ardhmen e fëmijëve, por për shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre.
Faleminderit!
Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *