Connect with us

Aktualitet

“Ka ardhur koha”/ Intelektualët bëhen bashkë për “Mendimin e lirë” – Platforma publike për Shqipërinë “2050”

Sot u zhvillua Konferenca e Parë e Mendimit të Lirë, e organizuar nga Fatjon Softa, ekspert i sigurisë, një nismë që synon të krijojë një platformë publike për të institucionalizuar vlerat intelektuale dhe shoqërore, duke ofruar një pasqyrë të re të realitetit shqiptar për vitin 2025.

Gjatë konferencës, Softa theksoi rëndësinë e një qasjeje ndryshe nga politika tradicionale, duke promovuar një alternativë profesionale që fokusohet në problematikat reale të vendit. “Shoqëria civile sot është pasive, e papërfaqësuar dhe shpesh indiferente ndaj politikës. Qëllimi ynë është të krijojmë një grup intelektualësh dhe profesionistësh, që mund të ofrojnë ekspertizë të qartë për orientimin e politikave publike,” tha ai.

Në fokus të kësaj nisme janë çështje të rëndësishme si burimet minerare, drejtësia, siguria kombëtare, arti dhe kultura, monopolët shtetërorë, shëndetësia, bujqësia dhe politikat ekonomike. Softa nënvizoi se vendi ka nevojë për një shtresë të mesme profesionale të fortë, e cila mund të stabilizojë paqëndrueshmërinë dhe të udhëheqë zhvillimin e Shqipërisë drejt vizionit të vitit 2025.

Softa shtoi se grupi synon të jetë një zë negociator për problematikat që lidhen me zhvillimin ekonomik, proceset e integrimit europian dhe të gjitha fushat që prekin shoqërinë. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve dhe intelektualëve të lirë në diskutime për të ndikuar pozitivisht në politikat e vendit.

“Shqipëria ka nevojë për liderë me ide, për njerëz që janë të aftë të sjellin vizione të qarta dhe të orientojnë vendin drejt një të ardhme më të mirë,” tha Softa, duke apeluar për një shoqëri më aktive dhe të angazhuar.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ishte një nga të ftuarit kryesorë të konferencës. Ai foli për rëndësinë e një ambienti të sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Siguria publike dhe kombëtare është shtylla e sovranitetit të një vendi. Problemet e vogla që përballemi çdo ditë ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës sonë dhe në rendin publik,” tha Nano. Ai vuri në dukje nevojën për edukimin e një brezi të ri profesionistësh dhe ndarjen e njohurive të tij me të rinjtë në botën akademike.

Nano shtroi pyetjen thelbësore: “Si mund të kontribuojmë ne për të arritur një nivel më të lartë në institucionet e rendit dhe për më shumë siguri në vendin tonë?”

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte krijimi i një “Tavoline Ballkanike” me pjesëmarrjen e pesë vendeve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo platformë synon të jetë një hap konkret drejt integrimit europian dhe zhvillimit të rajonit.

Në përfundim të konferencës, Fatjon Softa apeloi për një shoqëri më aktive, duke ftuar profesionistët dhe mendimtarët të kontribuojnë në krijimin e një Shqipërie më të drejtë dhe të qëndrueshme deri në vitin 2025.

Advertisement