Kosova
Kafshata që zëvendëson fetën e bukës për Kosovën
Falë angazhimit diplomatik të qeverisë gjermane, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur në Berlin të bien dakord për nënshkrimin e tre marrëveshjeve të reja në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Këtë e bëri të ditur ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në kuadër të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.
Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Ministrja gjermane theksoi se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje e kanë njerëzit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin dhe u shpreh se marrëveshjet lehtësojnë rrugën për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.
Për arritjen e marrëveshjeve ka punuar edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me qendër në Sarajevë. Sekretarja e përgjithshme, Majlinda Bregu, sqaroi se tani të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë më tarifa prej 200 deri 500 euro për njohjen reciproke të diplomave dhe se
falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë të njerëzve, bie edhe “muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor.
Nënshkrimi përfundimtar i marrëveshjeve të arritura pritet të bëhet në samitin e 3 nëntorit në Berlin, në prani të gjithë liderëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit të BE.