Kosova
Kërkesat e pesëshes për Vuçiçin, sipas analistit Dushan Janjiç
Dushan Janjiç, nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se Bashkimi Europian dhe emisarët perëndimorë, në esencë, po përpiqen të mbajnë një lloj dinamike përsa u përket çështjeve politike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Por, para cilës do çështje politike, ata po kërkojnë të definojnë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës. Janjiç vlerëson se sulmi në Banjskë të Zveçanit, në Veri të Kosovës, është çështja e parë që trajtohet në kërkesat e emisarëve perëndimorë, dhe kjo situatë, sipas tij, paraqet problem serioz për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Ata nuk i japin hapësirë Vuçiçit të lëvizë jashtë kësaj çështjeje të sigurisë, derisa të mos fillojë gjykimi ndaj grupit të armatosur që verpoi më 24 shtator dhe derisa të mos zgjidhet çështja e kthimit të serbëve të veriut në institucione”
Sipas Janjiç, deklaratat e Vuçiçit se vendet e Perëndimit kanë politikat e veta që “janë plotësisht të kundërta” me qëndrimin e Serbisë, janë për “konsum të brendshëm”.
“Për herë të parë, Perëndimi po sjell në prag të bisedimeve të rradhës një pako sigurie, e cila, sipas definicionit, nuk funksionon në formatin ku i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell do jenë kryesorët, pasi këtë do ta mbikëqyrë grupi i QUINT-it”.
Dushan Janjiç thotë se presidenti Vuçiç është pajtuar tashmë me Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin është rënë dakord në Ohër.
“Aleksandër Vuçiç e ka pranuar që në muajin shkurt marrëveshjen, ku statusi i Kosovës është i zgjidhur, pra pranimi i ekzistencës së Republikës së Kosovës. Tani po bëhen përpjekje që të ruhet ai nivel politik i dialogut, por se, në esencë, edhe po insistohet në siguri, për të cilën do të ketë mbikëqyrje më të madhe EULEX-I, Misioni i BE-së për sundimin e ligjit”
Janjiç gjithashtu ka theksuar se, pa stabilizimin e situatës së sigurisë në veri të Kosovës, nuk mund të ketë dialog për zbatimin në terren të obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më herët Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, teksa ka komentuar rrjedhën e tensioneve në raportet Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, është shprehur se Serbia është gati të bëjë lëshime ndaj Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kur komentoi thirrjen e presidentit të Serbisë, drejtuar serbëve të Kosovës që sa më shpejt të nisin inciativën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, Janjiç ka vlerësuar se kjo lëvizje shkon në favor të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e në dëm të serbëve në Kosovë.
“Vuçiçi legalizoi dhe inkurajoi Kurtin për të vazhduar politikën e tij në veri të Kosovës; nga fakti se ai mori një pjesë të përgjegjësisë për situatën e keqe politike dhe të sigurisë në veri. Qëllimi i presidentit serb tani është shpërqëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare nga procesi gjyqësor kundër Milan Radojiçiçit, përgjegjësit për sulmin terrorist të 24 shtatorit”
Janjiçi gjithashtu ka vlerësuar se Kurti është “politikan i fshirë” nga lista e pritshmerive në Bruksel për shkak të ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, por edhe ka pranuar se eskalimi në shkallë të gjerë i situates, ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut.