Kosova
Kërkohet me urgjencë: Qeveria e re në Serbi të bëjë progres në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Qeveria e re e Serbisë, që do të krijohet pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, do të përballet me tri çështje kyçe; normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, reformat dhe harmonizimin e politikës së jashtme me Bashkimin Evropian, ka thënë raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik.
“Gjëja e parë është një përkushtim i sinqertë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. E di që deri më tani është bërë shumë punë konstruktive pavarësisht tensioneve”, ka thënë Bilçik për median serbe me seli në Kosovë
“Shpresoj se qeveria e ardhshme do të bëjë vërtet progres në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, që përfshin zgjidhjen e çështjeve të hapura, që i referohet edhe sulmit në Banjskë në shtator. Kjo pyetje nuk do të largohet”, shtoi.
Pos kësaj, eurodeputeti sllovak ka përmendur edhe domosdoshmërinë e zbatimit të reformave, duke i konsideruar si të domosdoshme për afrimin e Serbisë me BE-në.
“Reforma, reforma, reforma. Shpresoj që qeveria e re, shumica e re qeverisëse, të përmbushë mandatin e saj katërvjeçar, të jetë e qëndrueshme dhe të jetë në gjendje të fokusohet në gjithçka që duhet bërë në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë, por edhe reformave strukturore në ekonomi dhe energji. E gjithë kjo së bashku mund ta sjellë Serbinë më afër anëtarësimit në BE”.
Ai ka theksuar se zgjerimi është rikthyer në agjendën e Unionit, prandaj shpreson që kjo cështje të kthehet në agjendën e Serbisë me qeverinë e re.
Po ashtu, si çështje të tretë të rëndësishme për qeverinë e re serbe, ai ka nënvizuar harmonizimin e politikës së jashtme të Beogradit me Brukselin, përfshirë këtu vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
“Unë e kuptoj që ka disa çështje, e kuptoj që është e vështirë, por ndërsa Serbia përparon drejt normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, shpresoj se do të ketë harmonizim me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë.
Në kohën kur Rusia sulmoi Ukrainën, integritetin e saj territorial, shpresoj se Serbia mund të na qëndrojë pranë për këtë çështje”, tha Bilçik.
Ky, në vlerësimin e Bilçik-ut, do të ishte një sinjal për të gjithë partnerët në Bashkimin Evropian, që do ta afronte Serbinë me Unionin.
“Këto tre gjëra janë të rëndësishme. Progresi në cilindo prej tyre e çon në thelb Serbinë më afër anëtarësimit në BE. Përparimi në gjithçka, siguron që Serbia të jetë në BE”.
Në zgjedhjet e 17 dhjetorit, forca e parë politike ka dalur Partia Progresive Serbe (SNS) – partia e presidentit serb Aleksandër Vuçiç – e ndjekur nga koalicioni “Serbia kundër dhunës”.
Mirëpo, në drejtim të SNS-së – e cila ka 10 vjet që udhëheqë në Serbi – ka pasur akuza për manipulime me vota. Madje, kritika të ashpra për udhëheqjen në Serbi për mënyrën se si ka shkuar procesi zgjedhor, ka pasur nga Bashkimi Evropian, por edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Edhe koalicioni “Serbia kundër dhunës”, ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve, dhe janë duke protestuar aktivisht, duke kërkuar kështu ripërsëritjen e zgjedhjeve.

